95-vjetori i lindjes së Luan Omarit, Gjinushi: Model frymëzues për të rinjtë, por i vështirë për t’u arritur

95-vjetori i lindjes së Luan Omarit, Gjinushi: Model frymëzues për të rinjtë, por i vështirë për t’u arritur

Skënder Gjinushi

Kryetar i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi në 95-vjetorin e lindjes së Luan Omarit në fjalën e tij tha se ai është në themelet e mbarë akademizmit institucional në vendin tonë.

Ai shprehet se Omari ka përjetuar të katër periudhat e fundme historike të popullit shqiptar: periudhën e monarkisë; vitet e stuhishme të antifashizmit, qeverisjen totalitare dhe dekadat e vendosjes e të ringritjes demokratike të shtetit shqiptar.

Gjiunushi e ka konsideruar personalitetin  e veprimtarinë e tij në një kategori të veçantë dijetarësh që, me energji intelektuale, dhunti talenti dhe vullnet e përgjegjësi krijuese, në të gjitha kohërat jeni shquar në të njëjtën lartësi, madje në ngritje. Akademiku Gjinushi e ka falenderuar veçanërisht për kontributin e dhënë në formimin e brezave të rinj cili është një model frymëzues për ta, por i vështirë për t’u arritur.

Fjala e plotë e akademikut Skënder Gjinushi:

Për Akademinë e Shkencave, për gjithë botën universitare dhe akademike, sot është një ditë e shënuar, është 95-vjetori i lindjes së Luan Omarit, i anëtarit të Akademisë së Shkencave, me emrin e të cilit është e lidhur historia e themeleve të mbarë akademizmit institucional në vendin tonë, veprimtaria e tij është historia e gjallë e akademizmit shqiptar. Dhe ne jemi këtu së bashku që ta urojmë përzemërsisht: Për shumë mot gëzuar, profesor Luani. Jemi krenarë dhe me fat, që të kemi pasur e të kemi pandërprerë në radhët tona, që prej ditëve të para të jetës së këtij institucioni. Ju jeni e do të jeni gjithnjë krenaria e kësaj bote të kërkimit dhe dijes, e Akademisë së Shkencave, e tërë mjedisit akademik e universitar.

Në personalitetin tuaj prof. Omari janë të pandara dhe në vijimësi kronologjike, me një ndërthurje organike, vlera shembullore morale e qytetare, kontributet origjinale shkencore dhe një fuqi e rrallë e karakterit dhe dinjitetit njerëzor. Këto tri përbërëse të jetës së njeriut vështirë të gjenden kaq në harmoni e sinkroni me njëra- tjetrën, si tek Ju. Tek profili Juaj ato kanë krijuar një model, kanë krijuar një simbol. Akad. Omari ka përjetuar të katër periudhat e fundme historike të popullit shqiptar: periudhën e monarkisë; vitet e stuhishme të antifashizmit, gati gjysëm shekullin e qeverisjes totalitare dhe dekadat e vendosjes e të ringritjes demokratike të shtetit shqiptar. Një prej pjesëmarrësve më të rinj në luftën antifashiste, Luan Omari menjëherë pas fitores mori përgjegjësi intelektuale e zyrtare në drejtimin e institucioneve të arsimit të lartë, që përgatitën themelimin e Universitetit të Tiranës jo vetëm si drejtues, por edhe si hartues i programeve dhe teksteve universitare, si formues e riformues i brezave të rinj. Ai në çdo kohë iu kushtua së mirës së vendit të tij si me forcën e armës, ashtu edhe me atë të ligjit, me dije e me përgjegjësi shembullore qytetare. Ishte kjo gjeneratë njerëzish të ditur e të guximshëm që përgatitën hap pas hapi edhe themelimin e Akademisë së Shkencave, me të cilën dija shqiptare njohu shkallën më të lartë të organizimit të saj institucional. Historisë së Shqipërisë, historisë së mendimit shqiptar, e të inteligjencës së vendit, nuk i mungojnë kontribuuesit me emër, shumë prej të cilëve kanë ndriçuar në një periudhë e janë zbehur në një tjetër, kanë qenë në lartësinë e momentit historik në një kohë, por që nuk kanë mundur të rishfaqen në të njëjtën lartësi në një kohë tjetër.

Personaliteti e veprimtaria Juaj i nderuar profesor ka një ndryshim. Ju bëni pjesë në atë kategori të veçantë dijetarësh që, me energji intelektuale, dhunti talenti dhe vullnet e përgjegjësi krijuese, në të gjitha kohërat jeni shquar në të njejtën lartësi, madje në ngritje. Faleminderit, profesor Luani, që na e keni provuar me jetën tuaj, se të jesh njeriu i suksesit në çdo kohë e në çdo moshë është e mundshme. Në mbi 70 vjet punë e veprimtari në arsim e shkencë, ju keni qenë njeriu i arritjeve, në krye të katedrave e të fakulteteve, për të mbërritur tek drejtimi prej më se tri dekadave i Akademisë së Shkencave, me të cilën keni ndarë sukseset dhe sfidat. Emri juaj është i lidhur pandashëm me emrin e bashkëthemeluesve të tjerë të institucionit tonë, me emrat e ndritur të shkencës shqiptare, si Buda, Çabej, Shuteriqi e Radovicka e shumë bashkëudhëtarë, disa edhe këtu të pranishëm. Kjo nuk na pengon të pohojmë me kënaqësi se Ju jeni po aq sa njeriu i Akademisë edhe i kushtetutave; po aq sa njeriu i shtetbërjes dhe mirëqeverisjes edhe njeriu i etatizmit, po aq sa njeriu i themeleve të institucioneve të sistemit universitar-akademik, edhe i vullnetarizmit në mbrojtje të të drejtave qytetare, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në institucione të rëndësishme europiane si Komisioni i Venecias. Kontributet tuaja të vyera, Ju kanë bërë të njohur si një figurë europiane e jurisprudencës, si ekspert i së drejtës kushtetutese dhe i së drejtës europiane, i historisë së shtetit dhe të së drejtës.

Ne veçanërisht dëshirojmë t’Ju falënderojmë në këtë përvjetor tuajin, për kontributin e dhënë në formimin e brezave të rinj. Ju jeni një model frymëzues për ta, por i vështirë për t’u arritur.Ne e kemi pasur dhe e kemi të vështirë t’u themi brezave të rinj se edhe ata mund të jeni po aq rezultativë, po aq njerëzorë, po aq të virtytshëm, po aq të drejt- orientuar, po aq të zellshëm, po aq të dobishëm për vendin e tyre sa profesori I tyre Luan Omari. Por lirisht mund t’u themi: jeni me fat që modelin e keni, ndiqeni që të fisnikëroheni, ndiqeni që të dituroheni, ndiqeni që t’i afroheni, dhe prapë, edhe me kaq, do të jeni qytetarë e shkencëtarë të vlefshëm. Historia e Akademisë sonë si e çdo institucioni, ka periudhat e saj më pak e më shumë të lavdishme, apo më shumë e më pak të suksesshme. Por ajo ka siguruar përtëritjen dhe reformmin e vet të vazhdueshëm në saje edhe të trashëgimisë e përvojës Suaj e të brezit tuaj, të cilët kanë qenë e janë një vlerë e shtuar dhe e pacënuar në çdo periudhë. Prandaj çdo vlerësim e nderim për profesorin tonë, akademikun e Shqipërisë e të Europës Luan Omari, ne e konsiderojmë edhe si nderim e përgjegjësi për ne, familjen e tij shkencore, me të cilën ai ka punuar e punon me intensitet e me modesti.

Ora 19:39
95-vjetori i lindjes së Luan Omarit, Gjinushi: Një model frymëzues për të rinjtë, por i vështirë për t’u arritur
  • Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    • Sondazhi i ditës:
      23 Dhjetor, 23:33

      Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



    ×

    Lajmi i fundit

    Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

    Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja