"Azemin e lashë peng në atë seli"

(8/1/2001)Zonja Hajdari, si i përjetuat zgjedhjet e 24 qeshorit? "Sa më shumë që kalojnë ditët, unë ndihem e braktisur. Pak nga pak po më braktisin të gjithë. Ndonjëherë mendoj me vete, se kanë kaluar pak kohë nga vdekja e Azemit, po kur të kalojnë vite dhe vite, çfarë do të ndodhë..." Ju jeni shprehur në "Gazetë", se do ta dëshironit një vend në parlament. Tani që zgjedhjet mbaruan dhe ju nuk figuroni në asnjë listë, cila është ndjesia juaj? "Po, e kam thënë se dëshiroja të kandidoja, dëshiroja të isha në Parlament në kujtim të Azem Hajdarit, të vazhdoja rrugën e tij, idelat e tij, shpresat, por..." (nguron për një çast) Por? Ç'farë... "Zgjedhjet e këtij viti për Partinë Demokratike ishin një ankand. Bëhej deputet ai që jepte më shumë para, për t'iu miratuar kandidatura. Unë nuk kam para dhe nuk mendoj se është e drejtë të zgjidhem si kandidate me para. Nuk e di çfarë prisnin nga unë, që të telefonoja dhe të lutesha për një kandidaturë? Jam e zhgënjyer nga kjo Parti Demokratike. Jam e bindur se PD-ja është vrarë në 12 shtator të vitit 1998, atë natë që vranë Azemin." Fatmira Hajdari është divorcuar nga Partia Demokratike? "Nga Partia aktuale po, por kurrë nga idealet e saj, sepse edhe sikur të dua ta harroj, nuk mundem. Atje ku ndodhet selia e saj, unë kam lënë "peng" Azemin. Fëmijët e mi thonë se babi i tyre ka mbetur atje. Im bir, i vogli, ka filluar të kuptojë dhe shpesh më pyet: 'Pse po vonohet babi im, kur do të vijë babi im?'" Në mitingun e mbylljes së fushatës së PD-së, ju ishit atje së bashku me Azemin e vogël... "Nuk doja të shkoja në atë miting. Dikush më telefonoi nga selia e PD-së dhe më tha se duhet të shkoja patjetër. Nuk doja. Vendosa të mos shkoja, por pata edhe një telefonatë të dytë që ma prishi mendjen. Në telefon më përmendën se nuk duhet ta bëja për ata, por për Azemin, për idealet e tij. Kështu që shkova. Unë e di se sa kam vuajtur gjatë atyre minutave, kam qarë gjithë kohën, duke mbajtur tim bir në krah." Ju mendoni se ju kanë aneksuar? "Jam e bindur se të njëjtët njerëz që kanë luftuar dikur Azemin, tani më luftojnë edhe mua, sepse nuk duan që të jem pjestare e asaj partie. E di se kanë thënë që nuk duhet të jem aty, sepse nuk kam merita, por edhe sikur të isha askushi, do të jem gjithmonë gruaja që për tetë vjet mjekoi plagët e Azem Hajdarit. Por ja që kështu qenkan njerëzit, të harrokan. Tani më kujtohen shpesh fjalët e Azemit: 'Do të më vrasin një ditë dhe do të më harrojnë, ashtu si harruan Arben Brocin.' Dhe kështu po ndodh." Si e përjetove këtë fushatë? "Ka filluar dhe ka mbaruar kjo fushatë dhe unë vetëm kam qarë. Asnjë telefonatë, asnjë arsye pse më aneksuan, asnjë përshëndetje. Nuk e ndiqja dot në televizion fushatën. Sa e hapja, trishtohesha shumë. Ka ardhur koha që në atë parti njerëzit të kuptojnë se postet nuk janë të përjetshme, askush nuk e ka trashgimini familjare." Ju dhembi humbja e PD-së në Shijak? "Më dhembi vetëm fakti që për herë të parë pas kaq vitesh në Shijak humbën demokratët. Shijaku ka votuar gjithmonë për Azem Hajdarin, ndaj doja të kandidoja atje, por askush nuk e miratoi, mbase për para. Humba zonën ku im shoq ka qenë gjithmonë i preferuari, madje kam ngelur e befasuar nga sjellja e Arben Dukës, kandidatit socialist në Shijak. Ishte koha që ende nuk ishte caktuar se kush do të kandidonte nga opozita në Shijak, dhe ai më ka dërguar një njeri që trokiti një ditë në zyrën time dhe më tha se Duka, nëse unë do të kandidoja atje, do të zgjidhte një zonë tjetër për të kandiduar, për të ma bërë më të lehtë fitoren. U befasova nga fisnikëria e një njeriu të panjohur, ndërkohë që njerëzit që përfaqësojnë idelet e mia, nuk reaguan fare." Nëse PD-ja fillon antimitingjet, ju do të merrnin pjesë? "Jo, jo më. Nuk kam asnjë arsye ta bëj një gjë të tillë. Unë kam dalë me Azemin e vogël, që kur ai ishte 40-ditësh, por çfarë fitova?! Unë nuk jam një siluetë apo fasadë që të përdorem sa herë që PD-ja ka mitingje. Pastaj, as nuk më duket e ndershme që demokratët të dalin në antimitingje." Përse e thoni këtë? "Sa mbaruan zgjedhjet, PD-ja u ngrit dhe tha se votat u vodhën. Unë do ta pyesja atë: Po ti ku ishe kur u vodhën votat? Pse nuk e mbrojte votën tënde? Dakord, unë e di se kundërshtari i vjedh votat, por ata duhet t'i mbronin vetë votat e tyre." Po ju e kishit parashikuar humbjen e opozitës? "Ishte e natyrshme një humbje e tillë dhe kjo u pa që në fillim me koalicionin që PD-ja bëri me partitë e tjera. Nuk mund të mendohet që një demokrat të votojë për kandidaturën e një ballisti apo që një republikan të votojë për mbretin. Por dhe vetë kandidaturat e PD-së nuk ishin në lartësinë e duhur, kështu që humbja është vetëm pasojë." Po zotin Berisha, a e keni takuar pas marrëdhënieve që thoni se keni vendosur me partinë e tij? "Po, para disa kohësh në një festë të ambasadës franceze. I dhashë dorën si gjithë të ftuarve të tjerë. Vetëm kaq."

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Tipologji e re e turizmit në Shqipëri', eksperti: Vijnë shumë të rinj! Jo për plazhe por për ture, Gjirokastra nga më të preferuarit