"Delon", një tjetër arrest Lirohet shefi i Portit

(12/3/2002)DURRES Vazhdojnë hetimet për "Delon". Lirohet shefi i policisë së Portit, mbetet në burg pa afat ndihmëskontrollori. Arrestohet një tjetër i dyshuar si bashkëpunëtor për trafikun e drogës. Dje në Gjykatën e Shkallës së parë të Durrësit, u morr në shqyrtim vlerësimi i masës së arrestit për ish-shefin e policisë së Portit, Shamet Bejko dhe ndihmëskontrollorin Jonard Prodani. Ata u arrestuan nga policia të mërkurën e javës së kaluar, për shkak të ngjarjes te anija "Delon", ku u gjetën drogë dhe klandestinë. Prokurori i çështjes, Arjan Ndoja, i akuzoi të dy policët e portit për "shkelje të detyrës e kërkoi arrest me burg pa afat". Gjyqtarja e seancës, Merita Xhani, e liroi nga salla ish-shefin e policisë Shamet Bejko dhe ndaj tij vendosi masën e paraqitjes së tij 1 herë në 10 ditë në prokurori. Sipas saj kjo masë u morr për shkak, se Bejko nuk kishte vendosur asnjë firmë në dokumentet e nisjes së anijes për lundrim. Ndërsa për Jonard Prodanin, u vendos masa e arrestit me burg pa afat, pasi ai ka qenë pjesëtar i grupit të praktikës për nisjen e anijes në lundrim. Ditën e dielë forcat e policisë së Durrësit në bashkëpunim me policinë e Elbasanit arrestuan 48-vjeçarin, Hyqmet Deda, nga Rrogozhina, banor në qytetin e Elbasanit. Sipas policisë ai është kushëriri i parë i Dedës që u arrestua ditën e shtunë dhe që mendohej se do të ishte pikërisht pritësi i drogës në Itali. Edhe për Hyqmetin policia ka formuluar akuzën e "trafikimit të lëndëve narkotike". Gjatë gjithë ditës së shtunë dhe gjatë paradites të së dielës forcat e policisë së Durrësit dhe ato të Guardia di Finanza kanë kontrolluar imtësisht pjesët e brendshme të "Delonit". Arsyeja ishte sepse sipas informacioneve të policisë, në këtë anije fshihej ende drogë. Për këtë qëllim disa pjesë të brendshme të anijes tregtare u desh që të sharroheshin, por pa asnjë rezultat. Dyshimi se mund të gjendeshin sasira të tjera droge ra poshtë dhe të dielën paradite u larguan forcat policore si dhe u çmontua gjeneratori i përdorur për të vënë në përdorim sharrën me të cilën u prenë disa pjesë metalike të anijes gjatë kontrollit. Për këtë hetim janë angazhuar edhe forcat e policisë italiane. Kjo pasi sipas të dhënave, trafikantët shqiptarë kishin edhe bashkëpunëtorë në Itali. Madje hetuesit italianë vunë në dispozicion disa qen me anë të të cilëve u kontrollua anija. Pas ndërprerjes së kontrolleve qentë e ardhur enkas nga Italia u kthyen mbrapsht.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë