Fatmira Hajdari: Dua Shijakun

(4/15/2001)Fatmira Hajdari ka kërkuar të kandidojë në zonën e Shijakut, pikërisht në zonën ku ka fituar dikur në mënyrë të ndjeshme, Azem Hajdari. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se dega e kryesisë së kësaj partie në Shijak ka kërkuar që emri i saj të jetë midis kryesorëve në listën që i ka dërguar qendrës së Partisë Demokratike. Por kryesia në qendër ende nuk ka bërë modalitetet përfundimtare, sepse aprovimi është kompetencë e Këshillit Kombëtar. Gjatë më shumë se një viti, bashkëshortja e Azem Hajdarit ka qenë një pjesëmarrëse aktive në jetën politike të Partisë Demokratike dhe në shumë mitingje të kësaj partie ka qenë në krahun e djathtë të Berishës. Para disa muajve ajo shprehu publikisht dëshirën e saj për të konkurruar si kandidate në njërën prej zonave, ku vite më parë Azem Hajdari ka marrë mandatin e deputetit. Tanimë është përcaktuar qartë se mundësia më e madhe është që ajo të kandidojë në Shijak. Detaje Lidhur me këtë problem, sekretari i Marrëdhënieve Publike në Partinë Demokratike, Pjetër Arbnori, shprehu respektin e tij për bashkëshorten e Azem Hajdarit, por tha se "zyrtarisht kjo gjë nuk është vendosur akoma, sepse është në kompetencën e Këshillit Kombëtar". I pyetur nëse vetë Arbnori do ta mbështeste kandidaturën e Fatmira Hajdarit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ai u përgjigj se "nuk mund të shprehem, sepse nuk dua të ndikoj ose të paragjykoj vendimin përfundimtar që do të merret nga ky Këshill". Por dukej hapur nga fjalët e ngrohta që shprehu Arbnori për Fatmirën, se ai vetë do ta mbështesë kandidaturën e saj. Kundërshtuesit Sipas bisedave paraprake me shumë anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, bëhet e ditur se asnjëri prej tyre nuk ka kundërshtim për këtë kandidaturë. Meraku kryesor i tyre spikaste vetëm në aspektin e sakrifikimit të kohës dhe preokupacioneve familjare, ngaqë dihet se politikanët janë mjaft të zënë me problemet e përditshme. Fatmira është nëna e tre fëmijëve dhe ndofta koha që mund t'i mbetet për shkak të aktiviteteve të ardhshme politike, do të jetë e kufizuar. Megjithatë është jashtë çdo dyshimi se askush nuk do të votojë kundër kandidimit të saj. Përfundimi "Ne jemi të gjithë shokët dhe bashkëluftëtarët e Azemit në përpjekjet që kemi nisur bashkë për ndërtimin e një sistemi demokratik në Shqipëri", -tha midis të tjerave sekretari i Marrëdhënieve Publike, Pjetër Arbnori. Duke vlerësuar gjithashtu figurën e Fatmira Hajdarit, Arbnori tha megjithatë se fjala e fundit i mbetet votës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Përveç të tjerave, Arbnori u shpreh se "asgjë nuk është vendosur zyrtarisht". Megjithatë, kërkesa e degës së Shijakut dhe e disa degëve të tjera të Partisë Demokratike, pikërisht në zonat ku ka qenë deputet Azem Hajdari, tregojnë se kandidatura e saj mund të miratohet.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Plazhet e Lezhës janë në kapacitete absolute', nënkryetari i bashkisë për Studio Live: Sfidoj këdo, nga portalet nuk merret vesh e vërteta