Gjingjiç: Millosheviç s'mund të dorëzohet në Hagë brenda qershorit

NISH (5/17/2001)- Kryeministri serb, Zoran Gjingjiç, tha dje se Serbia nuk do të jetë në gjendje t'ia dorëzojë ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Milosheviç, gjykatës së OKB-së për krime lufte në Hagë, deri në fund të qershorit, kur është vendosur mbajtja e një konference donatorësh për Jugosllavinë. "Do të ishte jorealiste të pritej nga ne transferimi i Milosheviçit në Hagë deri më 29 qershor, kur është vendosur edhe konferenca e donatorëve. Kjo do të jetë e pamundur brenda kornizave aktuale ligjore", u tha gazetarëve kryeministri i republikës më të madhe jugosllave. Gjingjiç u shpreh në qytetin jugor të Nishit, ku u takua me përfaqësues të biznesit për tu shpjeguar qëllimet e reformave ekonomike të ndërmarra nga qeveria e Beogradit. Ai tha se transferimi i Milosheviçit në gjykatën e Hagës nuk duhet të jetë kushti kryesor i SHBA-së për të marrë pjesë në konferencën e donatorëve, e organizuar nga Banka Botërore dhe Komisioni Europian. Beogradi shpreson t'i rrisë deri në 1,2 miliardë dollarë donacionet që janë të nevojshme për mbështetjen e hapave të dhimbshëm, për reformimin e një ekonomie të dominuar nga prona shtetërore dhe të shkatërruar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, nën regjimin e nacionalistit autoritar Sllobodan Milosheviç. "Do të ishte me të vërtetë keq, nëse SHBA-ja nuk do të merrte pjesë, ndërkohë që kjo do të thoshte mospjesëmarrje e Bankës Botërore dhe e Japonisë. Një konferencë e tillë do të linte një përshtypje negative. Ne kemi edhe një muaj për t'i bindur ata me argumentat tona", tha Gjingjiç. SHBA-ja ka thënë se do të tërhiqet nga konferenca e donatorëve, nëse Beogradi nuk ecën përpara në bashkëpunimin me gjykatën e OKB-së në Hagë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë