Hombah: Beogradi nuk ka prekur paratë tuaja

TIRANE (2/2/2001) Fillimi i ndërtimit të rrugëve, të cilat janë miratuar për tu financuar nga Pakti i Stabilitetit, do bëhet kur të ketë mot më të mirë. Këtë e ka konfirmuar kryekoordinatori i Paktit të Stabilitetit, Bodo Hombah. "Disa autostrada dhe segmente të rrugës do të inaugurohen, pasi të krijohen edhe kushte më të mira të motit. Pra, unë nuk mund të them që të punohet kur moti nuk e lejon. Me të mbaruar dimri, këto projekte janë gati, vetëm presin kohën e thatë për t'u realizuar", thotë Hombah. Kreu i Paktit të Stabilitetit, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ka diskutuar me autoritetet shqiptare gjithçka që është bërë deri më tani. Ai ka kërkuar që Shqipëria të mos ngulmojë vetëm në projektet e rindërtimit ekonomik, por edhe në ato të sigurisë, demokracisë dhe antikorrupsionit. "Që nga momenti i marrjes së vendimit për financimin, deri në momentin e fillimit të punimeve, duhet një kohë e nevojshme që duhet respektuar. Unë e kam thënë që të lindë një fëmijë i shëndetshëm do 9 muaj", thotë Hombah. Shqipërisë i janë miratuar në Konferencën e Donatorëve, që u mbajt në Bruksel, më 31 mars të vitit që kaloi, 7 projekte, që lidhen me tryezën e dytë. Ato lidhen me ndërtimin e rrugëve të reja, ujësjellësave si dhe studimeve për burimet energjetike si dhe transmetimin e saj. Këto projekte janë rrugët: Lushnje-Fier me 16 milionë euro, Fier-Vlorë me 21 milionë euro, Pogradec-Korçë 19 milionë euro, Elbasan-Librazhd me 14 milionë euro si dhe Durrës-Kukës me 14 milionë euro. Për ndërtimin e ujësjellësave janë rreth 27 milionë euro dhe rreth 1 milion euro për studimet e energjetikës. Këto janë projektet e tryezës së dytë të Paktit, për të cilat shqiptarët janë më të interesuar. Kreu i Paktit ka thënë se në takimin e tij me Grupin e Miqve të Shqipërisë është diskutuar se si të jepet ndihma e nevojshme, që vendi ynë të përgatisë projekte sa më perfekte për t'u financuar nga Konferenca e Donatorëve. Hombah, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ka kërkuar edhe njëherë shtimin e përpjekjeve për krijimin e zonave të lira në Evropën Juglindore. "Këto shtete të ndarë, përfaqësojnë tregje shumë të vogla, por me heqjen e kufijëve krijohet një treg i përbashkët me 55 milionë konsumatorë", thotë Hombah. Duke vazhduar në lidhje me marrëdhëniet rajonale si dhe problemet në zonat shqipfolëse në Evropën Juglindore, Hombah ka thënë se "i kërkova autoriteteve shqiptare që të ndërhyjnë pranë faktorit shqiptar në Kosovë dhe Preshevë, për të qenë më të moderuar dhe që problemet të zgjidhen me mjete politike".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Britani, sondazhet tregojnë fitore të opozitës