Pashko: Herët për amnisti

(5/20/2001)Shqipëria nuk e ka luksin për të ngritur "parajsën fiskale", thotë Gramoz Pashko në një intervistë për Gazetën. Këshilltari ekonomik i Kryeministrit thotë se ideja që propozoi presidenti një ditë më parë për një amnisti fiskale, është e parakohshme. Çfarë mendimi keni për idenë e presidentit Meidani mbi amnistinë fiskale? "Ajo nuk njihet në Shqipëri. Ne kemi një koncept jo shumë të saktë për paratë e pista. Madje mund të ketë njerëz që, në mënyrë naive, kujtojnë se këto para kanë ndonjë vulë ose diçka tjetër që i bën të pista. Paratë e pista janë ato para që dalin nga evazioni fiskal ose shndërrimi nga llogari bankare në para në dorë." A duhet aplikuar në Shqipëri amnistia fiskale? "E njëjta histori ka ndodhur edhe vjet kur është hedhur për herë të parë ideja nga Meidani. Megjithatë unë mendoj se Shqipëria nuk është një vend që ka luksin për të ngritur "parajsën fiskale", për sa kohë kemi një borxh në buxhet. Shteti vazhdon të marrë para për të mbushur deficitin. Këto para merren nga bankat dhe nga publiku. Megjithatë, unë mendoj se kjo ide duhet të debatohet nga specialistët." Cilat mund të jenë pasojat negative të amnistisë fiskale? "Ne duhet të jemi solidë në sistemin tonë bankar. Ky sistem ka akoma nevojë për konsolidim. Nuk duhet të harrojmë se kemi vetëm 4 vjet që jemi ndarë nga katastrofa e Piramidave. Mendoj se duhet të rrihet më shumë si mendim dhe ndoshta do të ishte një kohë më e vonë koha në të cilën Shqipëria do t'i përmbushte kushtet për amnistinë fiskale." Por disa të tjerë e mbështesin këtë ide, duke thënë se amnistia ka pasur rezultat në disa vende? "Pa konsolidim të sistemit bankar dhe atij financiar në Shqipëri, do ishte e vështirë të aplikohej. Vërtet akualisht ka 14 banka, por të gjitha këto janë të vogla dhe pozicionimi i tyre në tregun e kapitaleve është i vogël, si rrjedhojë edhe investimet e këtyre bankave janë në të njëjtin nivel. E vetmja arsye e cila mund të ndikojë pozitivisht për aplikimin e aministisë fiskale, është stabiliteti që ka Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit. Maqedonia është në krizë, Serbia është në krizë, Bosnja është gati në krizë. Kjo mund të jetë një shenjë e mirë. Megjithatë ne duhet të jemi të hapur për thithjen e kaptaleve të huaja. Në sistemin bankar shqiptar po të duash të depozitosh mbi 10 mijë dollarë, atëherë duhet të deklarosh patjetër rrugën në të cilën i ke siguruar. Ndoshta këtu duhet të ndryshohet, duke qenë pak më të hapur."

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)