Ben Andoni: A do mundet krimi i organizuar shqiptar të ketë objektiva politikë?!

Ben Andoni: A do mundet krimi i organizuar shqiptar të ketë objektiva politikë?!

Foto ilustruese

Është bërë fare e natyrshme të dëgjosh politikanët shqiptarë që artikulojnë qetësisht dhe normalisht për akuza bandash kriminele njëri-tjetrin, individë me rekorde kriminale, kërcënimet e tyre dhe se qeveria nuk e ka kontrollin e vendit! Përmendën me një lirshmëri të tillë në prag zgjedhje bandat e Elbasanit, Shijakut, Vlorës etj., sa të duket se vendi është komplet në dorë të tyre. Në fakt, krimet e ndryshme dhe droga e përvijojnë deri diku këtë logjikë.  “Shqipëria u rendit si prodhuesi më i madh i kanabisit në Ballkanin Perëndimor dhe një nga nyjet më të rëndësishme në Rajon për përpunimin dhe tranzitin e dograve të forta, si heroina dhe kokaina nga Lindja drejt Perëndimit. Një raport i fundit i ‘Global Initiative’ për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave gjatë vitit 2020 tregoi se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor janë aktorët kryesorë në biznesin global të drogës”, referonte ‘Monitor’.

Nga ana tjetër, nëse i referohesh sofistikimit të krimit, ku shquhen mënyrat e ekzekutimeve; forca e krimit; dekonspirimet e policisë dhe disa elementë të tërë e kupton qartë se tashmë krimi i organizuar është jo thjesht prezent në vend. Po ushqen rol të madh dhe do ta pengojë sinqerisht integrimin e vendit ose më saktë rrugën e saj drejt BE-së. Dhe, dëmi i krimit të organizuar në ditët tona është se nuk përbën vetëm e thjesht rrezik por krijon pengesa të mëdha ekonomike dhe mbi të gjitha psikologjike. Shqiptarët e rendisin si një nga arsyet kryesore të depopullimit por edhe të zhgënjimeve të shumta dhe mbi të gjitha të mungesës së shtetit ligjor. Në një përpjekje të orëve të fundit, ditët e mesvjeshtës 2022, kryeministri Rama sqaronte për një ndërtim pa leje se edhe pse përcjellja e dokumenteve për një ndërtim pa leje ishin në prokurori nuk kishte reagim. Policia, prokuroria dhe gjykatat jo vetëm nuk po e luajnë rolin e tyre në kuadër të Reformës në Drejtësi, por duket se janë ende të papërgatitura të marrin mbi vete një nga misionet e mëdha, për të cilat kanë sakrifikuar shqiptarët. Republika e Shqipërisë ka nxjerrë ligje të veçanta për parandalimin e krimit të organizuar por kjo dukuri duket se nuk ndalet dot më. Në një raport të hartuar në vitin 2015, me titull “Krimi Organizuar dhe Vlerësimi i riskut në Shqipëri”, autorët Fabian Zhilla dhe Besfort Lamallari rendisnin disa faktorë të karakterit politik, social dhe ekonomik, që po e inkurajojnë këtë fenomen. Megjithëse i hartuar shtatë vite më parë ai është aktual nga gjetjet e tyre, ku del se janë disa faktorë që po e nxisin fenomenin, të tillë si:

  • Tranzicioni nga një regjim totalitar me politikë të ashpër penale drejt një sistemi të brishtë demokratik me institucione të dobëta, me nëpunës pa edukimin dhe përvojën e mjaftueshme;
  • Situata kaotike e krijuar në vitin 1997 nga rënia e firmave piramidale dhe plaçkitja e depove të armatimit;
  • Institucione të prekura vazhdimisht nga shkarkimet e stafit të kualifikuar me ndryshimin e qeverive;
  • Mungesë pavarësie institucionale dhe korrupsion endemik në polici dhe organet e drejtësisë -e një varg arsyesh të tjera.

Në ditët tona, problemi është majisur pasi, krimi i organizuar ka qasje edhe në vetë organet e policisë. Jo pak herë janë pjesëtarë të trupave speciale, që janë pjesë e bashkëpunimeve, kurse përpikmëria e botës së krimit ka lënë shteg më shumë për përfshirje direkte. Ish -drejtori i Përgjithshëm i Policisë Nano në një intervistë për reportazhin “Hetime Ekskluzive”, transmetuar për kanalin francez “Metropole”, ka thënë se gjatë kohës që ishte në detyrë, 14 kriminelë janë arratisur për shkak se ishin të informuar më parë për operacionin. “Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale”, ka thënë ish-kryepolici, që nuk e mbushi vitin në detyrë pasi erdhi me kredenciale shumë të mëdha. “Kishim 32 në shënjestër dhe arrestuam 1, 2, 3 ,4 …..Anëtarë të bandave jashtëzakonisht shumë të dhunshme të trafikut të drogës dhe vrasjeve me pagesë”. Më tej Gledis Nano thotë se për shkak të reformës në drejtësi, i është dashur të shkarkojë nga puna edhe shumë kolegë.

Në fakt, vetë termi krim i organizuar mund të përdoret në dy kuptime shumë të ndryshme. Ku në të parën flitet për veprimtari sistematike dhe të paligjshme për pushtet ose përfitim, kurse në të dytën për bandat dhe organizatat e tipit mafioz, në veçanti. Kërcënimi i paraqitur nga krimi i organizuar tashmë po ndihet me projeksionin për fatin e një të shumëkërkuari, për të cilin flitet si i ekzekutuar kurse burimet e tjera që është zhdukur. E gjithë kjo sagë ka krijuar ndjesinë që ne nuk njohim një botë të errët e cila tashmë ka kanonet e veta dhe shteti ynë mbetet shumë inferior ndaj saj

A do mundet kjo botë e errët të kërkojë dhe atribute të protestës politike? Urojmë që ideologë të partive të ndryshme thjesht për të marrë pushtetin nuk do e përdorin këtë udhë sepse pastaj pasojat mund të jenë fatale. Më tepër akoma, shpresa është nëse vetë krimi i organizuar nuk do kërkojë legalizimin politik, pasi pastaj vendi mund të shndërrohet në një arenë të frikshme përplasjesh dhe influencash. Duke pasur parasysh përballjen e vendeve të Evropës me krimin e organizuar dhe kapacitet e tyre, kur vjen puna të vendi ynë duket se jemi përballë realiteteve, ku duhet të ruhemi. Gjithsesi, deklarata e ish-drejtorit të policisë Nano, ardhur me aq bujë në detyrë, është e dhimbshme për deklamimin por edhe e hidhur për  disa të vërteta që përshkruhen gati me saktësi nga gazetarët e kronikës( kjo mbetet për t’u vëzhguar pasi mënyra e artikulimit tregon se aksesi i tyre është disi problematik). Modeli i bandës Bainhof në Gjermani është një nga stereotipet që duhet të ruhemi në të ardhmen sepse një masë e të rinjve që nuk do të ikin jashtë vendit do kërkojnë alternativa jetese të veshura me motiv. Dhe, rruga e krimit, veshur me motiv të drejtësisë politike do të jetë fatal për vendin dhe demokracinë e tij.

Intermexo

Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe [RAF, (gjermanisht: Rote Armee Fraktion) dhe Grupi Bainhof, i njohur gjithashtu si Bainhof Banda (gjermanisht: Baader-Meinhof-Gruppe, Baader-Meinhof-Bande), aktiv nga viti 1970 deri më 1998] ishte një organizatë e ekstremit të majtë të Gjermanisë Perëndimore e themeluar në militantët 1999. RAF e përshkruante veten si një grup gueril komunist, anti-imperialist dhe urban i angazhuar në rezistencë të armatosur kundër atij që ata e konsideronin si një shtet fashist. Anëtarët e RAF në përgjithësi përdorën termin marksist-leninist fraksion kur shkruanin në anglisht. Udhëheqja e hershme përfshinte Andreas Baader, Ulrike Meinhof, Gudrun Ensslin dhe Horst Mahler. Qeveria e Gjermanisë Perëndimore e konsideronte RAF si një organizatë terroriste. RAF u angazhua në seri bombash, atentatesh, rrëmbimesh, grabitjesh bankash dhe të shtënash me policinë gjatë tre dekadave.

Realiteti shqiptar dhe ai i huaj

Ende krimi shqiptar nuk i ka atributet mirëfilli deklamues politikë. E para se kultura e individëve në kauza terrori është e papërvojë, kurse vetë partitë janë të paqarta, ndërkohë që në këtë stad krimi ynë po mundohet të përshtatet me të tre pushtetet klasike: Ekzekutivit, Legjislativit dhe Gjyqësorit. Megjithatë korrupsioni i madh në vend, veç të tjerave, tregon se fusha për krimin e organizuar është bajagi e shtruar. Referuar Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Shqipëria ka grumbulluar vetëm 35 pikë nga 100 pikë në total, duke u renditur në vendin e 110, në një listë ku merren në konsideratë 180 vende.

Krimi i organizuar shqiptar po zhvillohet në mënyra pothuajse identike, siç ka ndodhur në vendet post-socialiste të Evropës Lindore e Qendrore. “Skenarët përfshijnë ‘krimin e organizuar ndërkombëtar që përdor kufijtë e rinj territorialë’, ‘lokacionet e veçanta gjeografike që përdoren si destinacion tranzit të përshtatshëm ose destinacion përfundimtar për mallrat e transportuara ilegalisht’ (Nozina, 2004; Poljarevic, 2005), ‘supozime idealiste për mosekzistencën e krimit të organizuar para vitit 1989’ (Pływaczewski, 2004; Smid dhe Kupka, 2011), ‘çështjet rreth tranzicionit të trefishtë’ (Hignett, 2004a; Hyssi, 2004), si edhe ‘zyrtarët e korruptuar të përgatitur për të grabitur fondet publike’ (Reed, 1995 Kotkin dhe Sajo, 2002). Në parim, këta skenarë ndjekin dy paradigma mbizotëruese mbi shkaqet e krimit të organizuar: ‘komploti i huaj’ (shih Woodiwiss, 2003; Paoli, 2004, f. 24-27) dhe ‘gjendja e dështuar’ (shih West, 2002; Wyler, 2008), referuar studimit të Petr Kupka dhe Michal Mochtak me titull “Democracy and organised crime in East Central Europe”. Konstatimi është se krimi po mundohet të sajojë strukturat e veta “legjitime” dhe ta kthejë makinerinë e shtetit në favor të tij. Që do të thotë fitime të sigurta dhe pushtet të pakufizuar.

A ka shpatulla shteti i drobitur shqiptar të mbajë edhe panginjen e krimit të organizuar?! Shteti jo, por steoretipet sociale, kulturore, antropologjike, po tregojnë se shteti shqiptar dhe politika e tij duhet t’i ruhen këtij pakti të errët që po i grish krimi për të ardhmen e vendit. Jemi tërësisht vonë dhe mbase të dështuar, ndaj na mbetet ai pak idealizëm, që ndodhet te jo pak njerëz që e respektojnë vendin.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Rama shkarkon zv/ministren e arsimit Nina Guga e zëvendëson me Orjana Osmanin, mësuese në gjimnazin 'Petro Nini'

Rama shkarkon zv/ministren e arsimit Nina Guga e zëvendëson me Orjana Osmanin, mësuese në gjimnazin 'Petro Nini'