TIRANE-Presidenti i Republikës Ilir Meta i pyetur nëse lëvizjet e tij po shkojnë në drejtim shpërndarjes së parlamentit është përgjigjur duke thënë se një gjë të tillë mund ta bëjë me një dekret, pasi ata (deputetët) sipas tij po rrinë kot. Megjithatë, shtoi kreu i shtetit për momentin ka punë më të rëndësishme se shpërndarja e parlamentit duke bërë një prapaktheu.

"Parlamenti një ditë do shpërndahet, kot sa rri dhe kështu si është. Ju e dini që me dekret të presidentit shpërndahen. Ata duhet ta kuptojnë vetë që duhet të shkojnë të votohen. Unë kam ca punë të tjera më të rëndësishme se kaq. Unë mendoj që ka ardhur koha e referendumeve sepse këtu nuk funksionon dialogu politik kemi lidera që nuk marrin përgjegjësi për ato që bëjnë. Prandaj tu japin mundësi qytetarëve të shprehen" tha Meta në Open.

Por, Ylli Manjani, ish-ministri i LSI-së, në qeverinë 'Rama 1' kur Meta ishte në koalicion me PS-në i ka dalë kundër duke e rrëzuar pretendimin e Presidentit se ka fuqinë për të shpërndarë parlamentin me një dekret. Manjani jep në Facebook edhe arsyet se përse Meta nuk ka fuqinë për ta bërë jnë gjë të tillë nëse nuk plotësohen dy kushte.

"Si kërcënimi i Parlamentit (Edi Ramës) që do shkarkojë Presidentin, ashtu edhe kërcënimi i Presidentit (Ilir Metes) se do shpërndajë Parlamentin janë tërësisht jashtë hapësirës Kushtetuese të Republikës. Siç e kemi stërspjeguar, madje edhe të konfirmuar nga Komisioni i Venecias, procedura e shkarkimit të Presidentit është jo Kushtetuese. Nga ana tjetër, Kushtetuta parasheh se shpërndarja e Parlamentit bëhet vetëm kur ky i fundit dështon të zgjedhë Kryeministrin ose kur nuk arrin të miratojë buxhetin. Asnjëri nuk legjitimohet të bëjë atë që kërcënon se do ta bëjë!

Cilido që do të ndërmerrte një hap të tillë ekstrem, pra të përdorte autoritetin formal për të goditur tjetrin, do sillte pasoja shumë shumë të rënda për vendin. Në një përplasje të tillë, ku çdo mjet nuk përjashtohet, fiton më i forti por humbet Shqipëria. Ndaj nuk dua as ta mendoj këtë skenar. Nuk ja ka borxh ky vend askujt as një '97 tjetër, por as një Enver Hoxhë të ri..." shkruan Manjani.