Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ishin të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' për të folur për situatën politike pas djegies së mandateve dhe protestave nga opozita, por edhe zgjedhjet lokale.
Shehi u shpreh se opozita do të vijojë protestat deri në largimin e Ramës, ndërsa kërkoi ndryshime dhe një Kushtetutë të re. Ndërkohë që ministrja Spiropali tha se pavarësisht protestave dhe djegies së mandateve, opozita do të futet në zgjedhjet lokale të qershorit.
Ministrja Elisa Spiropali beson se opozita do të futet në zgjedhjet lokale. "Opozita besoj që ka filluar përgatitjet për zgjedhjet. Besojmë që Basha dhe Kryemadhi do të vendosin kandidatët për bashkitë. Urojmë që opozita të fillojë sa më shpejt për zgjedhjet lokale. Të sulmosh Kryeministrinë dhe deputetet është e papranueshme. Opozita nuk po bën detyrën. Ka një tentativë për destabilizimin e vendit, por besoj që tani edhe me mbështetjen e partnerëve, opozita është ndërgjegjësuar që protestat e dhunshme nuk janë zgjidhje. Ne po bëjmë gjithcka është në dorën tonë për negociatat. Ata të zgjidhin cështjet e tyre të brendshme dhe të vijnë zgjedhje".
Elisa Spiropali tha se shumica do të futet në zgjedhjet e qershorit, pavarësisht vendimit të opozitës, ndërsa shtoi se pret që deputetët e rinj të opozitës të bëjnë detyrën në Kuvend. "Presim që deputetët e rinj të opozitës të bëjnë detyrën e tyre. Për ne janë seriozë, legjitime, janë në listat e PD-së dhe LSI-së, që nuk i kemi hartuar ne, por liderat respektive të partive. Kemi trishtim për gjendjen e opozitës, pasi nuk do ta kishim imagjinuar kurrë as në ëndrrat tonë më të shfrenuara që opozita do të hidhej në humnerë. Parlamenti vijon punën, pavarësisht thirrjeve të papranueshme për të sulmuar Kuvendin apo për të goditur deputetët. Ne do të shkojmë në zgjedhjet lokale" tha ajo.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali duke komentuar pamjet nga përplasja mes policisë dhe banorëve te 'Petro Nini' shprehu keqardhjen. Ajo tha se policia nuk ishte në lartësinë e detyrës, prandaj u shkarkua drejtori i Policisë së Tiranës.
"Jam indinjuar dhe revoltuar nga pamjet që vijnë nga aty. Shpreh keqardhjen për familjet, që janë në marrëdhënie konfiktuale dhe kanë humbur gjyqin për pronat e tyre. Policia nuk duhet vetëm të zbatonte ligjin formalisht, por duhet të ishte në lartësinë morale të detyrës dhe të përfaqësonte publikun.
Aty nuk ka asnjë leje apo plan zhvillimi nga bashkia e Tiranës. Ai është një konflikt gjyqësor, aty nuk do të ndërtohet. E njoh mirë rastin se ime më ka lindur në njërën nga ato ndërtesa" tha ajo.
Dashamir Shehi deklaroi mbrëmjen e sotme se synimi i opozitës janë zgjedhjet e parakohshme përmes një qeverie kalimtare. Ai tha se protesta e 16 marsit do të jetë më e madhja që është organizuar ndonjëherë nga opozita. "Ne do të provojmë zgjedhjet e parakohshme. Protesta do të jetë më e madhe dhe më e organizuar. Kur të jetë dita e bukur e Zotit të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse nuk ikën Rama me 16 mars? Ne do të jemi sërish aty për të vijuar betejën tonë" tha ai.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi u shpreh se për të kaluar tranzicionin ku ndodhet Shqipëria duhet të bëhet një Kushtetutë e re, për të bërë disa ndryshime të forta. "Ata që po na zëvendësojnë kanë marrë një vendim që do e gjykojë koha. Do të zëvendësojnë numrin, por politikisht është e pazëvendësueshme, po ashtu edhe moralisht. Juridikisht mund të gjenden lloj lloj justifikimesh. Kjo lloj opozite e sajuar nuk do të jetë në gjendje të bëjë opozitë, ndërsa një pjesë e personazheve e bëjnë pak qesharake politikën. PS-ja ka njerëz të arsyeshëm brenda, përtej Ramës. Kjo e diskrediton Ramën. Duhet një qeveri e përbashkët që të bëjë ndryshimet në kodin zgjedhor. Ka ardhur dita që të bëjmë një Kushtetutë të re. Të balancojmë pushtetet, ti rikthejmë presidentin shumë nga kompetencat që i hoqëm, por të votohet në popull. Në esencë të mbetet një republikë parlamentare. Ne duhet të vendosim disa kufizime për pushtetet, nëse kalon më shumë se dy mandate, cdo njeri do të bëhet dhunues lirish dhe agresiv. Kufizimi për individin., jo për subjektin. Të vendoset tetë vite, dy mandate dhe nëse është burrë i mirë ky le të shkojë President. Dy mandate të bëhet edhe për bashkitë. Për cfarë duan këta njerëz që kanë tre mandate dhe kërkojnë për herë të katërt" tha ai.
Përplasjen mes banorëve te 'Petro Nini' dhe policisë, Dashamir Shehi e cilëson si dështim të shteti shqiptar në lidhje me cështjen e pronave. "Ata që paguajnë më shumë kanë gjithmonë të drejtë. Shteti ka dështuar për pronat. Ligjit janë bërë në favor, si cështje elektorale, jo si cështje e së drejtës. Pas 30 vitesh kjo cështje nuk është realitet i qëndrueshëm. Cdo qeveri i ka zvarritur cështjet, koha i ka zgjidhur në favor të të fortëve" tha ai.
Yyyyyyyt!
PërgjigjuKy do nje kushtetute te re qe te vjedhi dhe mos ta futi njeri ne burg
Përgjigju