Dashamir Shehi kritikoi sot qasjen e qeverisë shqiptare për mbajtjen nën kontroll të çmimit të naftës, që është ndikuar ndjeshëm nga konflikti mes Amerikës dhe Iranit.

Gjatë një interviste në emisionin Studio Live në Report TV,  Shehi argumentoi se  ulja me 20% e akcizës nga çmimi i naftës është një masë e pamjaftueshme për të parandaluar impaktin tek shtresat më të varfëra të vendit.

Sipas Shehit, qeveria duhej ta kishte lënë çmimin e naftës në nivelin para krizës, të kompensonte kompanitë për humbjet dhe t’i thoshte popullit: ‘këtë hall do ta mbajmë ne”

“Qasja e qeverisë për çmimet e naftës është e gabuar. Ulja me 20% e akcizës është një masë shumë e vogël. Ndikon shumë pak tek çmimi. Qeveria duhet të marrë përsipër diferencën e çmimit që krijohet nga kriza. Deri dje, naftën e kemi marrë me 170-180 lekë/litri.  Çmimi duhej lënë në këtë nivel që matrapazët të mos kenë mundësi të përfitojnë nga kriza Kompensimi i kësaj diference që vjen nga luhatjet ndërkombëtare, nuk do t’i kalonte 100 milionët. Ne importojmë gjithsej 700.000 ton naftë. Nëse ne ofrojmë kompensimin që në burim, do të ndodhë që i gjithë zinxhiri ekonomik nuk do të ketë asnjë motiv për të rritur çmimet. Çmimet kanë dy elementë: kostoja reale dhe emocionet. Në këtë pikë, të gjithë matrapazët biznesmenë i rrisin çmimet, ndaj qeveria duhej ta mbante çmimin aty ku ishte, në mënyrë që mos të krijonte panik në të gjithë zinxhirin ekonomik. Sot edhe sikur të duash të blesh një palë këpucë të reja, ta argumentojnë çmimin me rritjen e naftës. Sot rritja e çmimit godet shtresat më të varfëra. Qeveria shqiptare duhet të ketë kurajon të thotë 'këtë hall do ta mbajmë ne'” tha Shehi.