Ish-deputeti dhe kryetari i Lëvizja për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi, ishte i ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion “Sot, Live në Shqipëri” në Report Tv për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, që nga projektligji për referendumet e deri te zgjedhjet partiake në Partinë Demokratike.

Dashamir Shehi tha se referendumet janë një e mirë për Shqipërinë që duhet të ishin të aksesueshme shumë më parë.

“Unë e mirëpres një ligj për referendumet. Nëse Shqipëria përfiton ligj për referendumet është gjë e mirë dhe jemi gati të japim kontributin tonë. Ne si LZHK kemi vite që e kërkojmë, ndryshim kushtetues, ndryshim të sistemit zgjedhor, ndryshim të ligjit për administrimin e territorit. Mirë se vjen dhe tema për çështjet referendare, të fiksuara në kushtetutë dhe asnjëherë të zbatuar”, tha Shehi.

Ish-deputeti u shpreh dakord për propozimin e qeverisë për uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 101, por u shpreh kundër tezës për kthimin e Parlamentit në Kongres. Ndër të tjera, Shehi tha se duhet të ndryshohet formua e zgjedhjes së deputetëve.

“Nëse ai i bën dhe pa votat e opozitës, s’ka nevojë për referendum se i bën në parlament. Të merren me ligjin për referendumet se ka vlerën e vet. Në këtë ligj opozita duhet të bëjë propozimet e veta për tu mos u kthyer në mjegullnajë për mazhorancën. Unë jam për uljen e numrit e deputetëve, por nuk jam për ndarjen me senate. Të ndryshojnë formulën e zgjedhjes së deputetëve”, tha Shehi.

Dashamir Shehi tha se Ervin Salianji për PD-në sot, është armiku i ri i partisë, ashtu siç para 2 viteve ishte Lulzim Basha. Shehi tha se PD duhet të luftojë armiqtë e jashtëm dhe jo të lodhet duke kërkuar ato nga brenda.

“Atje është një njeri drejton ai dhe kaq. Uroj të qëndrojnë brenda shinave të një arsyetimi normal. Kohët e fundit ka dhe budallallëqe të natyrës, përjashtojmë këtë, përjashtojmë atë se po vjen Salianji. A Salianji qenka problemi kryesor? Për këtë moment Salianji është armiku i ri i brendshëm. Pas 2 viteve, ishte Lulzim Basha armiku i tmerrshëm që na tradhtonte. Para 30 viteve kam qenë unë. Nuk u lodh kjo parti duke gjetur armiqtë e brendshëm”, tha ish-deputeti.

Ndër të tjera, Shehi tha se Berisha nuk do të lejojë garë brenda partisë. Por të gjithë votat kundër tij, tregojnë sesa njerëz nuk e duan më si kryetar të Partisë Demokratike. Ish-deputeti arsyeton se qëllimi i Berishës është vetëm ruajtja e lidershipit në PD.

Ndër të tjera Shehi tha PD duhet të shqetësohet për mbështetjen e paktë që marrin nga prezenca e qytetarëve në protesta, ndërsa ish-deputeti thotë se ky është një tregues për mosbesimin që kanë ndaj Berishës.

“Të tjerët nuk e mundin Berishën. Ato mund të tregojnë me votat e tyre, se ato që votojnë për Salianjin, nuk janë as simpatizantë të tij, ato janë lakmues që tregojë sesa vetë nuk pëlqejnë Berishën. Ata anatemohen që mos të ketë njerëz të tjerë. Këto janë nis me rregullin, ky është oborri ynë, le të bëhet më i vogël. Brenda PD, opozitës duhet të dalin zëra të tjerë të arsyeshëm, jo të mendojnë për të rrafshuar njëri-tjetrin, por për të rrafshuar Edi Ramën. Kanë hall kush kontrollon brenda. Protestat shpesh herë janë bërë për të karikuar këtë tensionin e brendshëm. Opozita duhet të mendojë pse kryeqyteti nuk reagon e nuk del në shesh dhe pasi kanë ndodhur të gjitha këto zullume që e kanë kaluar kufirin e një shteti normal? Se nuk ka besimin. Sikur vetëm gjysma e votuesve në Tiranë të dalë në shesh, Rama ikën”, tha Shehi.