TIRANË- Moderatorja Ori Nebijaj, ka reaguar për herë të parë, nëse do të jetë zëvendësuesja e Grida Dumës si deputete në Kuvendin e Shqipërisë, pas dorëheqjes së kësaj të fundit.
Nëpërmjet një postimin në Instagram, ajo shprehet se çështja e mandatit të deputetes është rikthyer në vëmendje, por asaj i duhet kohë për të peshuar zgjedhjet. Ajo shprehet se në momentin e parë që u përfshi në politikë, pati kohën e duhur për t’u angazhuar në fushatë me gjithë zemër, e jo vetëm për të mbështetur forcën e saj politike.
Ajo shton se do duhet të marrë parasysh besimin që i kanë dhënë njerëzit që e besuan, por dhe kontratën e lidhur me punën e saj.
“Komunikim i rëndësishëm! (Kryesisht per mediat) Kur unë u përfshiva në politikë pata kohën e duhur për t’u menduar e për të marrë vendimin për t’u angazhuar në fushatë. E bëra me gjithë zemër jo vetëm për të mbështetur forcën time politike por edhe për ata mijëra njerëz që me votën e tyre e përkrahën angazhimin tim politik. Për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur ditët e fundit cështja e mandatit është rikthyer me peshë e përgjegjësi edhe më të madhe për mua. Por pertej titujve që kanë pushtuar portalet dhe me gjithë rrethanat e ndryshuara më duhet të marr serish kohën time për të arritur baraspeshë me besimin që mijëra votues më dhanë në zgjedhje por edhe me marredhënien dhe kontratën që kam me familjen time mediatike. Çdo gjë në jetë do kohën e saj…”, shkroi ajo.
Mandati i lënë nga Duma i kalon Nebiajt, pasi kjo e fundit në zgjedhjet parlamentare të 2021 siguroi 5606 vota preferenciale.
Postimi i Ori Nebijajt
Një ditë më parë Duma dorëzoi në Kuvend kërkesën për lënien e mandatit. Duma tha se ka bërë gjithçka për bashkimin e partisë, si edhe që PD të vijojë të jetë një parti pro amerikane. Duma pritet t'i futet botës së televizionit dhe do të nisë një emision në Top Channel. Mandati i saj i kalon Ori Nebiajt, por nuk dihet nëse ajo do e pranojë pasi është e angazhuar në televizion.