TIRANE-Partia Socialiste nuk do ta shkarkojë Ilir Metën, por do i rishikojë kompetencat. Sot në komisionin e Posaçëm Hetimor u paraqitën dy raporte, një nga shumica socialiste dhe një nga opozita parlamentare mbi gjetjet nëse kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit të kaluar, por edhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Report Tv siguroi ekskluzivisht raportin e PS-së. Relatorja nga shumica, që përgatiti raportin, Klotilda Bushka u shpreh se pas analizimit të provave dhe dëshmive arriti në përfundimin se Ilir Meta ka kryer shkelje me anulimin e datës së zgjedhjeve, por shkelja nuk është aq e rëndë për të justifikuar shkarkimin nga detyra. Të gjithë debatin PS-ja e mbyll duke i rekomanduar Kuvendit që të bëjë një ligj organik për rishikimin e kompetencave të Presidentit dhe ndërhyrje në Kushtetutë për zhbllikimin e mekanizmit bllokues që u krijua në Gjykatën Kushtetuese me emërimet.

Me raportin nuk ishte dakord Bashkim Fino. Socialisti i vjetër u shpreh "Unë jam kundër, çfarë do i themi presidentit, kujdes atje dhe kujdes këtu? Kush është ai president që të dëgjon, ai thotë se nuk dua t'ia di për rezolutat që bën ti". Por ndryshe nga shumica socialiste, opozita parlamentare në raportin e hartuar nga relatori Halit Valteri, që Report Tv e siguroi ekskluzivisht shprehet se anulimi i datës së zgjedhjeve është shkelje që meriton shkarkimin e Presidentit, ndërsa për cështjen e debatit të emërimeve nuk u shpreh, teksa që në fillim ka qenë kundër zgjerimit të objektit hetimor.

Por ashtu si te shumica edhe te opozita parlamentare jo të gjithë kanë qenë në një mendje, pasi deputeti Adriatik Alimadhi ishte kundër shkarkimit të Presidentit. Pas debateve dhe akuzave nga Halit Valteri se PS-ja u tërhoq nga shkarkimi për një tjetër rimartesë dhe pazar me Ilir Metën, opozita parlamentare u largua nga komisioni online, ndërsa Adriatik Alimadhi qëndroi. Të hënën raportet do të diskutohen dhe më pas zyrtarisht do i dërgohen Kuvendit për ta votuar në 30 Korrik, seancën e fundit të sesionit. Por historia mbyllet, Partia Socialiste fali Presidentin.

Debati në komisionin hetimor për Ilir Metës
Ulsi Manja: Sot do të bëhet prezantimi i raportit. Nëse Valteri ka raport të opozitës parlamentare do të dorëzojë sot dhe në përfundim do u shpërndahen kolegëve që të hënën të kemi diskutim përfundimtar. Nëse kemi dakordësi do të miratojmë një raport, nëse ka qëndrime të kundërta,  do të shkojë në Kuvend një raport me dy qëndrime.

Halit Valteri: Drejt seancës do të shkojmë me dy raporte dhe do të paraqesim një qëndrim tonin si opozitë parlamentare.

Relatorja nga PS-ja, Klotilda Bushka: Analiza e të gjitha provave që janë administruar i është nënshtruar edhe interpretimet të natyrës së shkeljeve dhe është vlerësuar nga gjithë procesi që është kryer që të analizohet shkelja e rëndë; nga rrethanat dhe pasoja. Kam menduar që ne nuk mund të marrim në konsideratë disa që janë ekskluzivitet i gjykatës Kushtetuese.

Nisur nga provat dhe natyra e komisionit hetimor që është teknik dhe jo politike, jemi fokusuar te analiza e provave dhe rezultuan disa shkelje si në kuadër të ushtrimit të kompetencave për shkeljet, por edhe emërimet në Kushtetuese, që analizohen në raport. Këto shkelje referuar rrethanave dhe pasojave dhe fakti që komisioni nuk mund të shprehet se janë ekskluzivitet i gjykatave, janë shkelje që kanë natyrë që diktojnë marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e aktit kushtetueses për evitimin e situatave bllokuese, por nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e Presidentit.

Kemi një shkelje për shfuqizimin e dekretit. U cenua e drejta për të zgjedhur. Kryerja e veprimeve për anulimin apo shtyrjen e zgjedhjeve cenuan edhe parimin e së drejtës së popullit për të qenë sovran dhe për të ushtruar të drejtat e tij. Sa i përket pasojave, ne arrijmë në konkluzionin që ka pasur shkelje në lidhje me anulimin e datës së zgjedhjeve, por për të analizuar cfarë pasojash sollën është marrë në konsideratë praktika që kemi administruar edhe nga policia edhe nga prokuroria.

Tensione ka pasur, që vihen re nga veprat penale të referuara në prokurori, pas kësaj periudhe, por këto tensione janë mbajtur nën kontroll dhe nuk ka pasur dhunë, zgjedhjet u realizuan, pavarësisht situatave, qytetarët votuan. Por shkeljet qëndrojnë. Kolegët kanë të drejtë për shkeljet, ashtu sikur e ka konfirmuar Komisioni i Venecias, por nuk sollën pasojë përvec situatave të tensionit që u miratuan nga organet e rendit. Arrijmë në konkluzionin se bojkoti i partive nuk mund të justifikojnë mos mbajtjen e zgjedhjeve.

Cështja e dytë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese
Në lidhje me emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses. Të gjitha veprimet e kryera nga presidenti sipas kolegëve përbëjnë shkak për shkarkimin e Presidentit. Komisioni mori në analizë provat dhe kemi arritur në konkluzionin se për këto cështje referencë duhet bërë në opinionin e komisionit të Venecias. Ka konkluzione që e ndihmojnë komisionin hetimor për veprimet e presidentit nëse jemi përpara një shkelje të rëndë.

Opinioni ka thënë se bllokimi i Kushtetueses janë shkaktuar nga disa faktorë; mosfunksionimi i KED-së, kushtetuta parashikon që të betohen mënjëherë, numri i kufizuar i kandidatëve, barrierë mes Kuvendit dhe Presidentit, disa vende vakante njëherësh, probleme me dispozitat e paqarta dhe procedura u bë objekt i konfliktit. Në lidhje me mekanizmin zhbllokues duket se ka ndikur një konflikt thotë Venecia. Komisioni i Venecias ka rekomanduar edhe disa përmirësime legjislative për të shmangur konfliktin për emërimin në Kushtetuese.

Bazuar te faktorët e shprehur nga Venecia, Komisioni Hetimor çmon që të japë rekomandime për situatat bllokuese dhe dihen nxitur institucionet për të forcuar bashkëpunimin. Në lidhje me këtë set të shkeljeve, ajo që komisioni hetimor, që do të vendosim bashkarisht që rezulton nga gjetjet, është e qartë se kemi shkelje si për zgjedhjet e 30 qershorit ashtu edhe për emërimet e gjyqtarëve të Kushtetueses.

Do i përmbledh edhe njëherë; në lidhje me zgjedhjet, kompetencat nuk e parashikojnë të drejtën e tij për ti anuluar dhe këto janë cilësuar shkelje, argumenti i sigurisë kombëtare po ashtu konsiderohen të pajusitifkuara. Ndërhyri në të drejtën e qytetarëve, u shkel periudha e zgjedhjeve, por pasojat nuk janë të tilla.

Relatori i opozitës parlamentare, Halit Valteri: Ky komision është ngritur një vit më parë. Janë zhvilluar dhjetëra mbledhje dhe janë marrë dëshmi, përfshirë edhe të presidentit. Por veprimtaria e tij është si të kthehet në pikën zero, për shkak se nuk ishit të aftë për çuar drejt shkarkimit por e kanalizuat te kushtetuesja. Sot e zbutët dhe e çuat në çështje procedurale dhe ky komision ka dalë jashtë objektit të tij. Kush mban përgjegjësi për dështimin e punës së komisionit që po mbyllet me një turp. Ne e dimë shumë mirë eksperiencën e komisioneve parlamentare.

Ndoshta ky është momenti i rimartesës së Ramës me Metën. Ndoshta flirtet e muajve të fundit me Metën janë për ta amnistuar nga shkelja e Kushtetutës dhe ju konsumoni pazarin e radhës në kurriz të shqiptarëve. Por kush mban përgjegjësi për dështimin e këtij komisioni? Opozita do të lexojë raportin vetëm për pjesën e parë zhdekretimin e 30 qershorit, por edhe për pjesën tjetër ne kemi argumentet tona. Akti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit është i pavlefshëm dhe ka dalë në kapërcim të kompetencave të Presidentit. Akti është nul. Ditën e hënë do të vendosim si do të veprojmë më tej.

Ulsi Manja: Pra propozimi juaj lidhur me objektin e hetimit?

Relatori i opozitës parlamentare, Halit Valteri: Për atë që u ngrit komisioni për zhdekretimin e zgjedhjeve, opozita kërkon shkarkimin e Presidentit për shkelje të Kushtetutës. Për anëtaret e Kushtetueses dhe pazaret e Ramës dhe Metës nuk i futemi.

Alban Zeneli-mazhorancës: Sipas raportit tuaj Meta ka shkelur Kushtetutën, por ju nuk do propozoni shkarkimin, si ta kuptojmë?

Ulsi Manja: Pra ju (opozita parlamentare) kërkoni shkarkimin e presidentit.

Halit Valteri: Ne jemi në mbështetje të kërkesës për atë që u ngrit komisioni hetimor

Ulsi Manja: Lidhur me draft raportin e zonjës Bushka.....

Adriatik Alimadhi nga opozita parlamentare: Mbështes raportin e mazhorancës jo të opozitës parlamentare.  Përderisa Valteri përcaktoi qëndrimin e opozitës dua të jap qëndrimin tim. Veprimet e presidentit nuk sollën asnjë pasojë të rëndë në Kuvend.

Alban Zeneli-Adriatik Alimadhit: Si duket keni interesa të përbashkëta në lidhje me shkeljet e presidentit.

Arlind Çarcani: Ftoj koleget e opozitës të largohen nga mbledhja, mos bëhemi pjesë e lojës suaj me presidentin

Alban Zeneli: Jam dakord, në formë proteste largohemi nga ky komision

Halit Valteri: Meqë Tikun e kemi pro presidentit, vazhdoni jepini drejtim. Te ikim, vazhdoni i jepini drejtim

Largohen nga mbledhja online deputetet e opozitës parlamentare me përjashtim të Adriatik Alimadhit

Ulsi Manja: Është e qartë që Presidenti ka kaluar kompetencat për anulimin e zgjedhjeve, por pretendimi i kolegeve deputete se presidenti ka shkelur rëndë kushtetutën, pas analizimit të provave dolëm në konkluzionin se shkeljet nuk janë aq të rënda për shkarkimin, lidhur me objektin shtesë të hetimeve, sigurisht që komisioni hetimor, arrin në konkluzionin që ka nevojë për sugjerime dhe rekomandime për të ndërhyrë në nivelin kushtetues dhe ligjor për të zgjidhur ngërcin.

Ne do ti kerkojmë kuvendit miratimin e raportit përfundimtar të Z. Bushka duke i bashkangjitur dhe raportin e opozitës parlamentare si mendim pakice. Ka nevojë për ndërhyrje ligjore dhe kushtetuese për zhblokimin e situatës në kushtetuese. Raportin me 47 faqe të shumicës, që përfaqëson edhe qëndrimin tim si kryetar komisioni, ne do i kërkojmë Kuvendit miratimin e raportit si raport përfundimtar të këtij komisioni duke i bashkëngjitur edhe raportin me 22 faqe të Valterit, që kërkojnë që kërkesa për shkarkimin e presidentit të mbështetet. Të dy këto materiale do i kemi në dispozicion që ditën e hënë raporti përfundimtar i komisionit mbi bazën e të cilit do të zhvillohet diskutimi.

Nuk i sugjerojmë seancës shkarkimin e presidentit. Vërtetë ka shkelje nga presidenti, por nuk është e një natyre që mund të cojë në shkarkimin e presidentit, dhe bën rekomandime të një natyre kushtetuese dhe ligjore, rishikimin e dispozitave për rishikimin e kompetencave për një ligj organik për presidentin, por edhe duke thjeshtuar emërimin e anëtarëve të Kushtetueses. Seanca ka të drejtë të japë edhe një mendim politik. Komisioni do të mblidhet të hënën dhe të diskutojë dhe raporti me votë shumicë opozitë mund të ndryshojë, por ky është qëndrimi im për të dy materialet.

Bashkim Fino: Nuk jemi në parlament për të bërë rezoluta. Ky komision hetimor për mua nuk është komision për të bërë rezoluta. Të hënën është avazi, mund të shtojmë apo pakësojmë dhe më pas mund të merret vendimi për të dalë në një raport. Unë jam kundër, cfarë do i themi presidentit, kujdes atje dhe kujdes këtu. Kush është ai president që të dëgjon, ai thotë se nuk dua t'ia di për rezolutat që bën ti.

Adriatik Alimadhi: Pjesa e Valterit lë për të dëshiruar, ka më shumë argumente politike se juridike. Nuk përdorem asnjëherë në politikë, Valteri të shikojë punën e tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:00
PS e fali për shkarkimin por kërkon rishikimin e kompetencave të Metës (Raporti ekskluziv)

Report Tv ka siguruar ekskluzivisht raportin e shumicës socialiste ku tërhiqet nga shkarkimi i Presidentit Ilir Meta. PS-ja çmon se shkeljet e kryera nga Presidenti në formën e veprimeve apo mosveprimeve, në tërësinë e tyre nuk konsiderohen të mjaftueshme për të justifikuar propozimin për shkarkimin e Presidentit. E ndërsa e falën për shkarkimin, PS-ja kërkon që t'i rishikojë kompetencat Presidentit.

( Kliko këtu ) Raporti i PS për Ilir Metën

"Qartësuar kompetencat formale dhe substanciale të Presidentit dhe parashikimin e tyre shprehimisht në një ligj organik për institucionin e Presidentit, ku të përfshihet ndër të tjera dhe përcaktimi i mekanzimave zhbllokues në rast mosveprimi në ushtrimin e kompetencave. Përfshirë parashikime të qarta për mosbllokimin në të ardhmen të proceseve zgjedhore në vend duke evituar krijimin e precedentëve që dëmtojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Thjeshtuar dispozitat për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe për të garantuar mandatin nëntëvjecar për secilin prej tyre dhe mekanzimat zhbllokuesë përkatës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe emërimet e tjera në sistemin e drejtësisë. Plotësuar me mekanizma zhbllokues mosushtrimin e kompetencave formale të organizimit të betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo të zyrtarëve të tjerë, nga ana e Presidentit" thuhet ndër të tjera në raport.

Ora 14:53
Ekskluzive/ Report Tv siguron opinion e opozitës parlamentare: Ja përse duhet të shkarkohet Ilir Meta (DOKUMENTI)

Report Tv siguron ekskluzivisht raportin e hartuar nga opozita parlamentare në Komisionin e Posaçëm të ngritur me qëllim hetimin dhe shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Halit Valteri, relatori që ka përgatitur raportin kërkon shkarkimin e Presidentit, ndryshe nga socialistët. Ai në raport ka parashtruar faktet ku e bazon opinionin që do i dorëzohet Kuvendit.

( Kliko këtu ) Opinionin i plotë i opozitës parlamentare