A duket se po përfiton paq Vuçiç në Kosovë dhe 'tektonika e të ardhmes'

A duket se po përfiton paq Vuçiç në Kosovë dhe 'tektonika e të ardhmes'

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç

Ajo që kupton më së miri kur lexon njëkohësisht deklaratat nga Prishtina dhe Beogradi është se më “vështirë” se shqiptarët e serbët e kanë të huajt, që po mundohen të negociojnë me palët. I fundit prej tyre syresh ishte Stoltenberg, shefi i NATO-s, që u kujtoi palëve:

 ”Fola me @avucic dhe @albinkurti për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara. @NATO_KFOR mbetet vigjilent”. Fjalë të harxhuara dhe energji pa fund, humbur në burokraci dhe interpretime deklaratash, kjo është pak a shumë përballja e të huajve me Kosovën

Ndërsa duket se rruga e serbëve tenton të jetë e pakthim por që me shumë gjasë do ketë sërish negociata të vështira për t’u rikthyer sërish nga fillimi, duket se janë dy personazhe, që po përfitojnë jo pak: Kurti për të treguar forcën e logjikës së tij përmes reciprocitetit dhe që diktohet nga arsyeja e vërtetë e sovranitetit, duke i dhënë peshë staturës së tij politike (megjithë kritikat gati në kor të opozitës); dhe Vuçiq në Beograd, që duket si përfituesi më i madh. “Serbët kanë dashur të largohen nga institucionet sa herë që Prishtina ka bërë diçka, por unë i kam këshilluar që të mos e bëjnë këtë dhe ata më kanë dëgjuar, sepse kam qenë gjithmonë me popullin.Ata më besuan. Arrita t’i ndaloj të paktën 20 herë. Pastaj erdhi qershori dhe incidenti i parë. Është hera e parë që po flas për këtë, atë natë mund të kishte pasur një gjakderdhje të madhe, të paparë. Shqiptarët po e përgatisnin, serbët nuk donin të fshiheshin”, u përgjigj, i ftuar në Beograd nga media vendase.

Paradoksi i deklaratës dukej sikur serbët e Kosovës veprojnë thjesht në kokën e tyre dhe se administrata e tij nuk i ndih aspak, paçka strukturave paralele që janë kudo, si dhe me mos respektimin e autoritetit të Prishtinës. Duke demonizuar një krah, presidenti serb nuk arrin me sa duket të bëhet i besueshëm se serbët e Kosovës luajnë fort me Serbinë pas shpatullave. Ashtu, si nga ana tjetër, pala kosovare e trash zërin sa herë, që bën deklarata kryeministri dhe zyrtarët sepse e dinë që tek e fundit është KFOR-i pas shpatullave të tyre, që do ta zgjidhë sikletin e rradhës. Por se ku i gjen 20 raste Vuçiq, kjo lë vend për t’u parë.

Po, a do munden dot vallë negociatorët e huaj dhe sidomos Brukseli dhe Uashingtoni ta vendosin ndonjëherë në tragën e duhur marrëveshjen mes dy vendeve? Duket se pështjellimi i propozimit franko-gjerman, ende i panjohur, si edhe qasja e Vuçiq dhe Kurtit do marrin ende kohë. Një gjë duket qartë se pas të gjithë kërcënimeve, po merr jetë Asosiacioni serb, kurse Vuçiç duke larë duart si Pilati po na tregon hapur se ai po përfiton më së miri. Kjo e ka bërë që edhe në këto ditë, kur nuk është se ka ndonjë qasje pozitive në Serbi, ai të rrëfejë për sukseset e vendit të tij, si karshillëk me opozitën e vet por edhe drejtimin e tij: Ai paralajmëroi rritje të pensioneve deri në 20 për qind duke nisur nga shkurti i vitit të ardhshëm. “Kemi pasur paqe, stabilitet, paga mesatare është mbi 800 euro, në disa pjesë të Beogradit është mbi 1000(!!). Kemi një për qind më shumë foshnje se vitin e kaluar…dhe dy vitet e fundit kemi pasur rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, e cila është e pabesueshme duke pasur parasysh rrethanat sociale (!)”, theksoi Vuçiç.

Por për të ardhmen duket se nuk është aq i panjohur, kur rruga që ka përballë i është bërë fare e njohur: “E humbëm sovranitetin në vitin 1999 dhe në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë”. Por: “Tërheqja e serbëve nga institucionet e Prishtinës është një ndryshim i madh politik, pothuajse tektonik”.

Që do të thotë se tashmë kërkesa serbe është shumë më e madhe dhe ka lidhje me krijimin e Asosiacionit, paçka qëndrimit të z. Kurti, pasi për këtë po bëhet presion i dyanshëm nga Brukseli dhe SHBA, por më shumë se të gjitha, ai po del figura e rimëkëmbjes së serbëve pas humbjes së Kosovës dhe mbi të gjitha e ka lënë të heshtur opozitën e vendit të tij, që është konfuze përballë qëndrimeve të tij. Ndryshimet tektonike të tij nuk mund ta prekin pavarësinë e Kosovës, por që do e dëmtojnë në të ardhmen e saj, kjo tashmë nuk ka asnjë dyshim, qoftë edhe prej protagonizmit të panevojshëm të zyrtarëve kosovarë, që duket se i lexojnë sipas interesit qëndrimet e atyre që ndihën pavarësinë.

Koha do të na tregojë shumë gjëra, por Kosova është në një udhë jo aq të lehtë, drejtim që me sa duket i është imponuar prej mungesës së dialogut të duhur me serbët por edhe udhës që ka marrë vetë. E sa për të huajt, mjafton ky ngërç i rradhës, që shumë prej burokratëve të huaj të gjithë palëve të marrin rrogën e qetë për vështirësinë e punës me serbët e kosovarët. (Javanews)

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen