A e humbi Kosova rastin
për liberalizimin e vizave?

A e humbi Kosova rastin<br />për liberalizimin e vizave?
Përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave pritet të jetë një nga sfidat edhe për Qeverinë e re të Kosovës, të drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Kriteret për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës ishin dhe mbeten në agjendën politike të të gjitha Qeverive të Kosovës, që nga viti 2010 e këndej.

Aktualisht, kanë mbetur dy kriteret e fundit, përkatësisht kriteri për luftimin e korrupsionit dhe ai për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Njohësit e çështjeve integruese evropiane rikujtojnë se që nga viti 2010, liderët e Kosovës kanë premtuar heqjen e vizave, ndërkohë që sipas tyre, ka munguar vullneti për të bërë edhe dy hapat e fundit.

Në Ministrinë e Integrimit Evropian thonë se fillimi i punës së Qeverisë së re është më se i mirëseardhur, në veçanti sa i përket përmbylljes së çështjeve dhe obligimeve karshi Bashkimit Evropian.

Ministrja për Integrim Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se kriteret e BE-së janë të qarta sa i përket liberalizimit të vizave dhe, sipas saj, puna e Qeverisë së re, duhet të fokusohet ndër të tjera në plotësimin e tyre.

Sipas saj, do të shtohen angazhimet, duke kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të intensifikojnë punën për plotësimin e kritereve.

"Tani për tani Kosova ka obligime dhe duhet përmbushur. Pas plotësimit të kushteve, atëherë vazhdon procesi i koordinimit me institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave.

Qeveria e re dhe unë personalisht, si ministre, jemi të përkushtuara që të kemi një qasje proaktive në avancimin e agjendës evropiane", thotë Hoxha.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane thonë se Kosova ka mbetur vonë në procesin e liberalizimit e vizave dhe si rrjedhojë, institucionet dhe liderët politikë duhet të bashkëpunojnë dhe t'i kryejnë obligimet në mënyrë që qytetarët të fitojnë të drejtën për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht procesi i liberalizimit të vizave është i bllokuar te çështja e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Ky bllokim, sipas Mazrekut, do të vazhdojë derisa nuk ka një kompromis nacional ndërmjet partive politike në pushtet dhe opozitë.

"Ky kompromis nacional duhet t’i tejkalojë ndarjet partiake, klanore, politike eventuale dhe duhet të ketë një kompromis nëse vërtet kjo klasë politike dëshiron të shtyjë agjendën tutje.

Mendoj se nuk do të duhej të kishte vonesa nëse kjo klasë politike e ka vullnetin politik që të shtyjë përpara agjendën shtet-formuese të Kosovës", konsideron Mazreku. /REL

Redaksia Online
A.Dr/Shqiptarka.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre