Vizita e sekretarit amerikan Marco Rubio në Vatikan dhe takimi i tij me Papa Leonin XIV, pak ditë pas sulmeve të ashpra të Donald Trump ndaj Selisë së Shenjtë, u interpretua në emisionin “Bota Report” në Report TV si shenja më e qartë se Amerika ka nevojë sërish për Europën dhe aleatët tradicionalë për të dalë nga ngërçi strategjik i krijuar nga lufta me Iranin.

Sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, Juxhina Sotiri dhe Alban Daci, përplasjet e Trump me Vatikanin, ftohja me Giorgia Melonin dhe krisjet brenda NATO-s kanë detyruar Uashingtonin të kërkojë një rikanalizim të marrëdhënieve me Europën në një moment kritik për konfliktin në Lindjen e Mesme.

Alban Daci u ndal te pesha diplomatike dhe morale e Selisë së Shenjtë, duke argumentuar se Vatikani historikisht ka mbajtur një linjë që shpesh bie ndesh me politikën e jashtme amerikane, pasi fokusi i tij mbetet paqja dhe mbrojtja e njeriut.

“Selia e Shenjtë ka një fuqi të jashtëzakonshme diplomatike dhe një rëndësi për shkak të moralit dhe asaj që përfaqëson. Linja diplomatike e saj shpesh nuk përputhet me politikën e jashtme të SHBA-ve sepse interesi diplomatik i Vatikanit është paqja dhe mbrojtja e njeriut. Nuk është hera e parë që është kritikuar linja soft e Vatikanit, por mendoj që Trump e ka ekzagjeruar duke bërë një nga deklaratat më të ashpra në 30 vitet e fundit kundër Papës, duke e konsideruar atë ‘rrezik për katolikët’”, tha Daci.

Sipas Juxhina Sotirit, vetë fakti që këtë herë është Uashingtoni ai që po afrohet me Vatikanin dhe jo liderët europianë me Shtëpinë e Bardhë, tregon vështirësitë strategjike ku ndodhet administrata amerikane dhe nevojën për të rikuperuar raportet me aleatët.

“Deri tani ka patur goditje të herëpashershme jo vetëm të NATO-s, por edhe marrëdhëniet personale të Trump me Melonin nuk janë më ato të para 1 viti. Profili i Melonit si një lider që është sytë dhe veshët e Trump në Europë, nuk është më. Pra, kemi ikjen e Orbanit, aleat i Trumpit dhe një kundërpërgjigje që ka marrë nga Meloni. Tani e shoh si një përpjekje për t’u afruar dhe për të kërkuar një ndërmjetësim të Papës”, u shpreh ajo.

Sotiri argumentoi se deklaratat e Trump ndaj Papës kanë krijuar një çarje më të thellë me botën e krishterë dhe me aleatët europianë.

“Ajo që ka ndodhur me Trump është e paprecedent. Gjuha denigruese ndaj Papatit dhe Vatikanit ka sjellë një çarje në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Italisë, por të gjitha vendeve të krishtera në të njëjtën kohë. I duhet një suport apo edhe një kontroll i narrativës që të thotë se SHBA është e mirëpritur në Vatikan. E vetmja gjë që i mbeti Trump në pathosin e Krishtërimit ishte të thoshte që Jezusi kishte pasaportë amerikane. Vetëm kjo mbeti pa u thënë”, deklaroi ajo.

Ndryshe nga Sotiri, Alban Daci nuk mendon se Selia e Shenjtë ka hyrë në një krizë raportesh me SHBA-në, duke argumentuar se Vatikani historikisht ka ruajtur marrëdhënie edhe me liderë kontroversë.

“Unë nuk mendoj që ka krisje të marrëdhënieve nga Selia e Shenjtë sepse ajo në historinë e saj ka patur dhe diktatorë që i kanë kushtuar goxha njerëzimit. Mussolini është një prej tyre. Filozofia e Papës nuk funksionon në bazë inatesh apo deklaratash. Problemi i Trump është që ai nuk ka koherencë dhe nuk mban mend deklaratat që bën ndaj s’ka as krisje nga ana e SHBA-ve. Ai i teston aleatët”, tha ai.

Sipas Dacit, objektivi kryesor i SHBA-së mbetet mbyllja e konfliktit me Iranin, por kjo nuk mund të arrihet pa mbështetjen e Europës dhe veçanërisht të Italisë.

“Trump tani ka përpara sfida shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me mbylljen e luftës që do mbyllet në qershor se nuk ka opsione të tjera. Asnjërës palë nuk i intereson vazhdimi i këtij konflikti. Trumpit i duhet Italia. Ka një pozicion që i duhet të mbajë linjën euro-atlantike sepse nuk e thyen dot ndryshe binomin francezo-gjerman dhe kjo është arsyeja përse Meloni ka lidhur marrëdhënie speciale me Trump. Një marrëveshje mes Amerikës, Iranit dhe Izraelit pa garancinë e BE-së do ta bënte më të dobët dhe më të paaplikueshme sepse shumicën e embargos ekonomike dhe të aksioneve bankare e ka në dorë Bashkimi Europian. Pra Trumpit i duhet Europa që ta mbyllë luftën. Aleati më i mirë historik është Italia”, deklaroi ai.

Në fund të debatit, Juxhina Sotiri u ndal edhe te kriza e besimit brenda NATO-s dhe rëndësia strategjike që Italia ka për Aleancën dhe Amerikën, përtej çdo lidershipi politik.

“Nuk duhet të harrojmë zinxhirin e komandës së NATO-s. Një ndër to është Komanda e Napolit, që është më e rëndësishmja për aleancën. Ndaj Italia është e rëndësishme përpos çdo lidershipi. Aleati që mban NATO-n është SHBA dhe duket se besimi mes aleatëve është thyer ndërsa dialogu është minuar. Kjo bën që procesi politik i vendimmarrjes brenda NATO-s të jetë i pamundur në arritjen e unanimitetit”, përfundoi ajo.