Ideja e shpirtit binjak nuk është e re. Që nga Greqia e lashtë, njerëzit kanë besuar se dashuria nuk është rastësi. Platoni imagjinonte se dikur ishim qenie të plota, me katër krahë e katër këmbë, derisa Zeusi na ndau më dysh. Që atëherë, secila gjysmë endet në kërkim të tjetrës.

Në Mesjetë, rrëfimet për Lancelotin dhe Guineverën e forcuan këtë ide: dashuri e vetme, e madhe, e përjetshme. Më vonë, Shekspiri foli për “të dashuruarit e mallkuar nga yjet”. Sot, filmat romantikë dhe aplikacionet e takimeve e kanë kthyer kërkimin e “të duhurit” në një histori moderne me algoritme.

Por a ekziston vërtet vetëm një person i paracaktuar për secilin prej nesh?

Profesori i psikologjisë sociale Viren Swami thotë se ideja moderne e dashurisë romantike lindi në Evropën mesjetare. Sipas tij, më herët dashuria ishte më e lirshme dhe nuk lidhej domosdoshmërisht me një person të vetëm për jetën.

Me kalimin e kohës, sidomos pas industrializimit, njerëzit u ndjenë më të shkëputur nga komunitetet e tyre dhe nisën të kërkonin një person të vetëm që do t’i “shpëtonte”. Sot, aplikacionet e takimeve e kanë kthyer këtë kërkim në një lloj “pazari marrëdhëniesh”, ku njerëzit kalojnë dhjetëra profile derisa lodhen.

Jason Carroll, profesor i studimeve mbi martesën dhe familjen në SHBA, bën një dallim të qartë: sipas tij, një “shpirt binjak” është diçka që thjesht gjendet. Ndërsa “i vetmi” është dikush që ndërtohet me kohë, përmes përshtatjes, faljeve dhe punës së përditshme.

Studime të ndryshme kanë treguar se personat që besojnë se marrëdhënia “duhet të jetë e lehtë” dyshojnë më shpejt kur lind konflikti. Ndërsa ata që besojnë te rritja dhe puna në çift, priren të qëndrojnë më të përkushtuar edhe kur ka debate.

Sipas Carroll, kur dashuria shihet si fat i shkruar, njerëzit bëhen më pak të gatshëm të bëjnë punën e padukshme që e mban lidhjen gjallë. Sapo shfaqet problemi i parë, lind mendimi: “Ndoshta nuk je ti i duhuri”.

Edhe kimia e fortë nuk është gjithmonë shenjë e një lidhjeje të shëndetshme. Trajnerja e marrëdhënieve Vicki Pavitt thotë se ajo që duket si “fat” mund të jetë thjesht rikthim te modele të vjetra emocionale. Sipas saj, persona që sillen herë ngrohtë e herë ftohtë mund të krijojnë varësi emocionale, jo domosdoshmërisht dashuri të qëndrueshme.

Një studim kanadez i viteve ’90 zbuloi se lidhjet më të forta emocionale shpesh krijoheshin jo në marrëdhënie vazhdimisht abuzive, por në ato ku partneri alternonte mes dashurisë dhe sjelljes së ashpër. Kjo përzierje krijonte një lidhje të fortë, por jo të shëndetshme.

Edhe biologjia vë në pikëpyetje idenë e një “të vetmi”. Disa kërkime sugjerojnë se kontraceptivët hormonalë mund të ndikojnë në mënyrën si përjetohet tërheqja. Në një studim me 365 çifte heteroseksuale, u vu re se kënaqësia seksuale ishte më e lartë kur statusi i përdorimit të kontraceptivëve ishte i njëjtë si në momentin kur ishte zgjedhur partneri.

Ndërkohë, një ekonomist amerikan, Greg Leo, ka krijuar një algoritëm që simulon përputhje në një “pishinë” virtuale takimesh. Rezultati: rrallëherë dy persona janë zgjedhja e parë e njëri-tjetrit, por shumë shpesh janë zgjedhja e dytë ose e tretë – dhe prapë mund të jenë plotësisht të lumtur.

Pra, matematika sugjeron se mund të ketë më shumë se një “i duhuri”.

Një tjetër studim, me rreth 5 mijë persona, tregoi se ajo që i bën njerëzit të ndihen të vlerësuar nuk janë propozimet madhështore apo udhëtimet luksoze. Janë gjërat e vogla: një filxhan çaj në mëngjes, makina e ngrohur në dimër, një buzëqeshje e përbashkët në një festë.

Në fund, shkenca nuk e vret romantikën. Ajo thjesht e zhvendos fokusin. Lidhjet që duken si “të shkruara” shpesh janë ato ku dy njerëz, me gjithë dobësitë e tyre, zgjedhin çdo ditë të punojnë bashkë.