A është Omicron më i rrezikshëm për foshnjat dhe fëmijët se variantet e tjera? Ja çfarë dihet deri tani

A është Omicron më i rrezikshëm për foshnjat dhe fëmijët se variantet e tjera? Ja çfarë dihet deri tani

Foto ilustruese

Të dhënat nga një zonë në Afrikën e Jugut, që është goditur rëndë nga varianti i ri i koronavirusit, Omicron, kanë treguar për një numër të lartë të shtrimeve në spital të foshnjave nën 2 vjeç, duke rritur kështu shqetësimet se varianti mund të përbëjë rrezik për të vegjlit.

Megjithatë, shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë thënë se nuk mund ta konfirmojnë ende lidhjen midis variantit Omicron dhe hospitalizimit të foshnjave, duke lënë të kuptohet se kjo situatë mund të jetë edhe pasojë e faktorëve të tjerë.

Çfarë e shkakton këtë shqetësim?

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar për Sëmundjet Ngjitëse në Afrikën e Jugut (NICD), 52 foshnja nën moshën 2-vjeçare kanë qenë në mesin e 452 pacientëve me koronavirus të pranuar në Tshvane – zonë që përfshin kryeqytetin Pretoria – gjatë periudhës 14-28 nëntor. Ky numër është më i lartë krahasuar me grupmoshat e tjera.

Por, marrë parasysh numrin e lartë të personave të moshuar, rreziku më i madh është për njerëzit mbi 60 vjeç.

A janë të lidhura hospitalizimet me variantin Omicron?

Jo. Vetëm një përqindje e vogël e testeve pozitive në Afrikën e Jugut janë duke iu nënshtruar analizës për të detektuar variantin e ri, për shkak të mungesës së kapaciteteve.

Kjo do të thotë se nuk mund të dihet me siguri nëse foshnjat në spital kanë qenë të infektuara me Omicron, kanë thënë shkencëtarët e NICD-së.

Ka gjithashtu paqartësi nëse të gjitha foshnjat e përfshira në këto të dhëna, kanë qenë të infektuara me koronavirus, pasi jo të gjitha janë testuar për koronavirus, kanë thënë shkencëtarët.

Për arsye praktike, foshnjat që kanë simptoma të frymëmarrjes, trajtohen sikur të kishin koronavirus, por mund të jenë të sëmura me një sëmundje tjetër, siç është gripi.

Sa të sëmurë kanë qenë fëmijët e pranuar në spitale?

Të dhënat tregojnë se 29 për qind e pranimeve spitalore për koronavirus në grupmoshat 0-4 vjeç kanë pasur sëmundje të rëndë. Kjo është përqindje e ngjashme me disa grupmosha të tjera dhe ndjeshëm më e ulët se përqindja e të sëmurëve rëndë në mesin e pacientëve mbi 60 vjeç.

Në mesin e fëmijëve të moshës 4 vjeç ose më të vegjël, 1 për qind e pranimeve spitalore kanë rezultuar me vdekje, kanë treguar të dhënat.

Megjithatë, numri i përgjithshëm i pranimeve nga kjo grupmoshë ka qenë 70, duke e bërë të paqartë se çfarë nënkupton shifra e 1 për qind.

NICD-ja nuk i është përgjigjur pyetjes nga agjencia e lajmeve Reuters për këtë dhe elemente të tjera të të dhënave, duke thënë se do të publikojë një raport për pranimet pediatrike në ditët në vijim.

A duhet të shqetësohemi për ndonjë lidhje potenciale me Omicron?

E pyetur nëse njerëzit duhet të alarmohen nga numri i hospitalizimeve të fëmijëve, profesoresha Anne von Gottberg, mikrobiologe klinike në NICD, i tha Reuters-it: “Jo, ende”.

“Në fakt, duket se disa prej këtyre pranimeve kanë filluar para daljes së Omicron-it”, tha ajo.

“Jemi të shqetësuar mjaftueshëm, aq sa po i shikojmë të dhënat me shumë kujdes, por, në këtë moment, nuk jam shumë e sigurt që mund ta lidhim [situatën] me Omicron-in”, shtoi ajo.

Çfarë tjetër është duke ndodhur?

Provinca Gauteng, ku gjendet Tshvane, ka parë rritje të numrit të rasteve me grip, muajin e fundit.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që t’i shikojmë infeksionet e tjera respiratore, për të kuptuar se përse fëmijët po shtrihen në spitale”, tha von Gottberg.

Shkencëtarët e NICD-së kanë thënë se prindërit e foshnjave të sëmura i kanë sjellë ato me nguti në spital, ndërsa pacientët në grupmosha të tjera kanë qenë më pak të predispozuar për të ardhur në spital.

Kur mund të dimë më shumë?

NICD ka thënë se është duke përgatitur një raport mbi pranimet pediatrike, i cili duhet të jetë gati brenda ditësh.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë të mërkurën se pret që, brenda disa ditëve, të ketë më shumë të dhëna për shpejtësinë e transmetimit të Omicron-it, por disa shkencëtarë kanë paralajmëruar se mund të duhen dy deri në katër javë për të mësuar më shumë rreth variantit./REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë