Dy ditë më parë një grup i madh mjekësh shqiptarë të cilët ushtrojnë profesionin e tyre në disa vende të Komunitetit Europian, në një letër drejtuar kryeministrit të vendit, kërkonin  zhbërjen e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës i cili u krijua në janar 2013, si një shkëputje artificiale, e forcuar dhe aspak e justifikuar nga Universiteti i Tiranës. Grupi i punës i ngritur në atë kohë nga Universiteti i Tiranës, pas një studimi të hollësishëm u shpreh në mënyrë të qartë dhe hapur kundër kësaj ndarje aspak të bazuar në parimet akademike, autonomine universitare, modelet europiane, Kartës së Bolonjës, reformatimin e kurrikulave, marrevëshjes së Sorbones etj. Pavarësisht këtij raporti, vendimi për “krijimin e këtij institucioni” rishtazi, rezultoi i pakthyeshëm dhe pasojat aspak të menduara në kohë. Fatmirësisht, kjo është një çështje që duhet të rihapet, të debatohet dhe të gjykohet edhe njëherë për efektet që kjo ndarje akademike ka sjellë apo do të sjellë në të ardhmen?!

Termi "universitet" derivon nga termi latin universitas magistrorum et scholarium, i cili nënkupton "komuniteti i mesuesve dhe nxenesve". Universiteti është gjithë përfshirës, dhe çdo formë ndarjeje krijon një përjashtim absurd, kjo do të thotë një largim nga parimet bazë të ekzistencës së këtij institucioni akademik. Universitetet në fillimet e tyre aprovuan “ius gentium” i cili kishte të bënte pikërisht me të drejtat intelektuale të akademisteve si dhe autonomine e tyre. Alma Matter Studiorum, ku përshkruhen parimet universitare,  bazohet në autonominë e ketyre institucioneve nga çdo lloj pushteti politik, mbretëror apo religjioz, e aprovuar për herë të parë në Universitetin e Bolonjës në shekullin XI, si dhe njekohësisht parashikon atë që konsiderohet “intellectual nourishment” për brezat e rinj të inteligjencës universitare.

Eksperienca e universiteteve mjekësore është një eksperiencë e Evropës Lindore dhe Azisë (kryesisht Irani). Kjo shikohet edhe në shtrirjen e këtyre universiteteve në vende si Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Polonia, Rumania, Moldavia etj. Universitetet mjekësore në këto vende u krijuan gjatë periudhës se ish Bashkimit Sovjetik në konceptimin e shkollave tekniko - profesionale. Në shumë raste, as emrin nuk e kanë universitet por “akademi” sikurse “St Petërburg State Medical Academy”, apo edhe shkolla të “miqësisë midis popujve” sikurse në rastin e “People’s Friendship Medical University of Moscow”, emra që ezksitojnë akoma edhe sot. Numërohen 53 universitete mjekësore në të gjithë Evropën nga afërsisht 2611  universitete të akredituara të cilët kanë fakultet mjekësie, pra vetëm 2%. Shtrirja e tyre shkon nga Evropa Qëndrore në atë lindore. Eshtë interesant fakti që nga vendet e Evropës perëndimore, vetëm Austria, përdori këtë model në vitin 2004 nën reformën e Schussel, ish kancelari austriak, dhe në këtë kuader, projektoi tre universitetet mjekësore të Vienës, Graz dhe Innsbruck, me justifikimin e dhënies së autonomisë dhe “forcimit të akademizmit”.

Schussel, u largua më vonë nga politika nën efektin e akuzave për korrupsion. Pikërisht kjo reformë, e vetme e këtij lloji në Bashkimin Europian, u tregua të kishte rezultat dhe impakt negativ. Kjo shikohet edhe në raportin e Komunitetit Europian mbi reformën kurrikulare e vitit 2007-2008, ku verifikohet një impakt i munguar i krijimit të universiteteve mjekësore në Austri, si përsa i përket aksesit të studentëve në këto universitete, ashtu edhe përgatitjes së tyre, për më tepër faktit të mos aplikimit edhe sot e kësaj ditë të Kartës së Bolonjës në modelet e universiteteve mjekësore. Gjithashtu, ky projekt parashikonte rritjen e autonomisë dhe financimeve, gjë e cila nuk ndodhi, kjo edhe për shkak të krizave ekonomike, gjë që i ka cuar këto universitete të sapo krijuara në situata të vështira financiare.

Një nga kritikat që i bëhen këtij modeli, qëndron në faktin e nevojës për një investim kapital shumë të madh në krijimin e këtyre universiteteve në modelin austriak, dhe pikërisht edhe vetë shteti austriak ka munguar në këto investime, duke krijuar një boshllëk të madh në nivelin akademik dhe edukativ në shkollat mjekësore. Pikërisht këto diferenca të jashtëzakonshme përsa i përket nivelit kualitativ, akademik dhe profesional me universitetet mëmë, tregon në mënyrë tepër të qartë, që ky model jo vetëm nuk ka dhënë rezultatet e “menduara”, por përkundrazi i ka ulur ato. Tregues është edhe rënia e pikëzimit “ranking” ndërkombëtar si i tre universiteteve mjekësore austriake ashtu edhe i tre universiteteve mëmë të tyre, të cilët pas reformës së mësipërme kanë humbur disa qindra vende krahasuar me më parë.

Kur shtete me buxhete relativisht të mëdha kundrejt kërkimit shkencor dhe financimit universitar kanë problem të tilla, është lehtësisht e imagjinueshme se me cfarë problematikash do të perballej Universiteti Mjekësor i Tiranës?!
Një fenomen shumë interesant është rasti i Hungarisë e cila, nga 4 universitete mjekësore në fillim të viteve 90, të trashëguara nga periudha sovjetike, sot ka vetëm një universitet mjekësor, dhe tre të tjerët rezultojnë të inkorporuar në universitetet e tjera gjithëpërfshirëse.

Në SHBA nga mbi 170 fakultete mjekësie (medical school), vetëm 3 janë universitete mjekësore sikurse University of Arkansas for Medical Sciences (ranking 2355), University of Medicine and Dentistry of New Yersey (ranking 1475) dhe Medical University of South Carolina (ranking1433) edhe këto janë më tepër të fokusuar në përgatitjen e degëve teknike mjekësore. Janë tre nga universitet me pikëzimin më të ulët në Amerikën e Veriut, kur krahasohen me kolosët universitarë gjithëpërfshirës sikurse Harward, John Hopkins, Stanford, Yale, Princeton, Columbia, Vanderbilt, Universiteti i Torontos, të cilët janë në 20 Universitetet e para në botë përsa i përket cilësisë që ata ofrojnë.
Ndërkohë në 200 universitet e para përsa i përket pikëzimit “ranking” akademik ndërkombetar nuk figuron asnjë prej universiteteve mjekësore. Për më tepër duke patur parasysh pikëzimin ndërkombëtar të universiteteve, shumica e universiteteve mjekësore janë më poshtë për nga cilësia dhe pikëzimi edhe se sa vetë Universiteti i Tiranës i cili për vitin 2012 ishte në vendin e 7044 në këtë renditje ndërkombetare.

Pikërisht mënyra e organizimit të një universiteti mjekësor, çon drejt idesë së shkollave tekniko-profesionale, shumë larg konceptit europian të një universiteti, duke personifikuar modele tepër anakronike tashmë. Në historinë e tij, Fakulteti i Mjekësisë (Tiranë), ka qenë institut, shkollë tekniko-profesionale, e krijuar sipas modelit sovjetik të asaj kohe, i cili më vonë u inkorporua në Universitetin e Tiranës. Kjo shizmë e modeluar në janar 2013 si një universitet mjekësor, e ka çuar Fakultetin e Mjekësisë, në pikënisjen e tij të një shkolle profesionale dhe asgjë më shumë. 

Një universitet mjekësor, do të bunkerizonte edukimin dhe karrierën profesionale të çdo mjeku si pjesë përbërëse e tij. Kjo për arsyen e thjeshtë, pasi si Fakulteti i Mjekësisë, këshilli i profësorëve, senati dhe rektorati do të përbëhej nga po të njëjtët individë. Do të humbiste neutraliteti i senatit të universitetit në vlerësimin e karrierave dhe ecurisë shkencore, dhe për rrjedhojë edukimi mjekësor në vend do të bënte hapa prapa. Kjo strukturë nuk do të kishte barazpeshën e kontrollit dhe neutralitetit të gjykimit, gjë e cila do të prodhonte një servilizëm të hapur dhe mungesë profesionalizmi, fenomene të dukshme tashmë. Do teë mungonte neutraliteti i senatit të një universiteti gjithëpërfshirës disiplinash.

Sistemi mjekësor akademik ka nevojë për një transformim radikal ku në thelbin e vet duhet të ketë edukimin mjekësor, karrierën profesionale, profesionin dhe akademizmin e vërtetë, inputin shkencor dhe tejçimin e dijeve tek të rinjtë, për pasojë çdo lloj reforme në këtë institucion të vyer që vendi ynë disponon dhe që përmbledh edukimin mjekësor të brezave të rinj të mjekeve shqiptarë duhet të jetë shumë i motivuar, serioz, i mirë menduar dhe sipas modeleve europiane, përndryshe pasojat do të jenë të rënda për të ardhmen. Duhet të jenë pikërisht institucione sikurse Fakulteti i Mjekësisë që të prodhojë dhe të implementojë një oponencë shkencore, teknike, profesionale si dhe akademike mbi riformatimin dhe reformimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, por e kundërta ndodh, dhe këto ide formëzohen jashtë këtij ambjenti dhe shpesh herë në mënyrën më iracionale të mundshme.

Universiteti i mjekësisë kërkon financime të tjera si dhe krijimin e departamenteve të reja të shkencave të natyrës (të cilat mbulohen nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës) sikurse Kimia Inorganike, Kimia Organike, Fizika, Biofizika dhe Biologjia, me pedagoge të tjerë të cilët duhet të punësohen, ashtu sikurse edhe laboratorë të rinj, dhe investime të reja. Aktualisht, studentët e vitit të parë të fakultetit të mjekësisë nuk kanë mundësi të kryejnë mësimin në laboratorët përkatës të kimisë, fizikës etj, pasi nuk disponohen nga Universiteti i Mjekësisë. Dhe kjo është bërë evidente tashmë. Kjo do të sjellë një ulje të kost-efektifitetit universitar, pasi do të kërkojë financime të konsiderueshme në shkencat e natyrës, në edukimin e “know how” perkatës si dhe do të jetë një proces që do të kërkojë kohë.

Pikërisht duke u bazuar në eksperiencën europiane dhe amerikane, cilësinë e dobët të universiteteve mjekësore, shumica e të cilave ndodhet në vendet e ish Bashkimit Sovjetik, shtrirjen e limituar të tyre dhe kryesisht në Europën lindore, si dhe arsyetimin llogjik të ecurisë së një universiteti të tillë në kushtet shqiptare, dhe me konseguenca detrimentale mbi të vetmin universitet të traditës dhe me histori të pamohueshme, që Shqipëria ka dhe ky është Universiteti i Tiranës, duhet që iniciativa e krijimit dhe formatimit të universitetit mjekësor të ndërpritet, në të mirë të vendit, traditës dhe edukimit të ardhshëm mjekësor në vend.  

Në konkluzion, shkencat mjekësore, sot në eksperiencën e vendeve më të zhvilluara, është edukimi më kompleks i mjekëve të rinj, edukim ky i cili është i aplikuar me multi modalitetet e tij, gjë që nënkupton, që edukimi mjekësor, ka nevojë për bio shkencat, gjenetikën, filozofin, fizikantin, informaticienin, manaxherin, inxhinierin, ekonomistin ashtu edhe avokatin mjekësor, prandaj dhe vendi i tyre është në themelin e Universitetit të Tiranës. Eshtë koha që vendi ynë t’i rikthehet formimit të inteligjencës së vendit, duke e formatuar dhe projektuar atë sipas modeleve më të mira europiane.

Eshtë e vërtetë që vendi ka nevojë për tekniciene, por për më tepër, vendi është i zhuritur për intelektualë të mirëfilltë, të cilët të dinë të ndërthurin mirë profesionalizmin e tyre me idetë novatore të drejtimit të shoqërisë të shoqërura me një nivel konstant patriotizmi edhe pse ky mund të duket anakronik për disa, dhe të tillë individë mund të prodhohen dhe farkëtohen vetëm në universitete të mirëfillta ku përgatitja teknike të ndërthuret me mendimin shkencor, politik, juridik, ekonomik, linguistik etj. Mendoj se vetëm kështu mund të rilindë edhe njëherë inteligjenca e mirëfilltë e vendit e cila t’i ofrojë popullit të saj profesionalizëm të ndërthurur me një thellësi dhe maturi të mendimit dhe ideve për zhvillimin dhe modernizimin e shoqërisë shqiptare. 
 
*Shefi i Sherbimit te Kardiokirurgjise, QSUT

Shkrimi u publikua sot (23.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)