Prej më shumë se një viti e “kam kapur” veten disa herë të shkruaj, të intervistoj, të sjell si referime personalitete fetare në rubrikën time. Kryesisht nga komuniteti ortodoks shqiptar. Në të vërtetë nuk jam besimtare ortodokse, nuk njoh personalisht asnjë drejtues të këtij komuniteti, atëherë, “ç’ujë” më çon në këtë drejtim?

Të gjithë e pranojmë që jetojmë në një kohë të çuditshme, kur vlerat që mbajnë në këmbë qytetërimin janë vënë në diskutim: Dinjiteti i njerëzve, përgjegjshmëria, e vërteta, respekti, moskapërcimi i limiteve, solidariteti, kuptimi i sakrificës… Biem dakrod se kur rrëzohen këto vlera duket sikur çdo gjë bëhet e negociueshme, e kalueshme, e justifikueshme. Se pa vlera të përbashkëta çdo gjë mund të bëhet, se qëllimi justifikon mjetet, se ndërgjegja zëvendësohet nga leverdia e të mirave materiale. Shoqëria shndërrohet në pragmatike dhe cinike. Liria, siç e njohim, shndërrohet gjithashtu në individualizëm dhe vlen shprehja “jam i lirë kundër të tjerëve” dhe jo “jam i lirë bashkë me të tjerët”.

Kemi arritur te file-t “Epstein” dhe po shohim se si janë kapërcyer limitet nga elita të padyshuara më parë. Si u arrit këtu? Sa boshllëk kemi mes nesh dhe sa humnerë rrezikojmë akoma të hapim mes nesh?

Është ky kërkim i boshteve rreth e rrotull që më ka sjellë në kontakt me ato pak përpjekje, edhe shqiptare, për të na kujtuar vlerat e vërteta që për fat të keq nuk i hasim te elitat, te intelektualë, te politikanë, gazetarë, shoqëri civile...

Sistematikisht, pa bërë zhurmë, pa ngritur zërin, në komunitetin ortodoks është punuar dhe punohet për të kujtuar se vlerat e vërteta nuk janë gjëra “cool”,  të modës, por ama rezistojnë në kohë dhe në hapsirë.

Po sjell dhe në këtë rubrikë sot një paragraf që ngre shqetësimin për bjerrjen e vlerave dhe rrezikun që kërcënon shoqëritë tona, perëndimin, por dihet, edhe ne bashkë me të. Është shkruar nga Fortlumturi Joani, jo sot, po kur ai ishte drejtues i Kishës Ortodokse në Korçë në revistën Tempulli të këtij komuniteti, në vitin 2001. A jeni dhe ju dakord me sa shkruante? Dhe mbi të gjitha: Cilët janë për ju sot individët apo realitetet që jua sjellin ndërmend rëndësinë e vlerave dhe sa prej jush e ndjejnë se kanë nevojë të thellë për to?

“Janë pikërisht vlerat dhe parimet ato që kanë fuqi transformuese. Ato transformojnë si individë të veçantë ashtu edhe kombe. Njeriu si mish është kudo njëlloj. Nuk ka racë më të ulët apo më të lartë. Janë parimet qytetëruese ato që e lartësojnë një individ, një komb, shtet apo shoqëri. Dhe në të kundërtën, shkatërrimi i tyre sjell edhe degradimin moral të një individi, të një kombi, shteti apo shoqërie.

Shumë herë dhe tek shumë njerëz vlerat nuk vlerësohen, ngaqë mungon përvoja e një ekzistence pa vlera. Ne jetojmë sot në një kohë kur vlerat ndodhen në rrezik. Qytetërimi po shkëputet nga ato në një mënyrë të papërgjegjëshme. Në shumë vende, sidomos në Perëndim, por jo vetëm atje, arritjet e qytetërimit të sotëm shihen si të vetvetishme dhe natyrale, pa kuptuar se ato janë krijuar nga tempulli. Ndonëse tani për tani nuk shihet hapur dhe qartë rreziku që vjen nga humbja e vlerave, shumë shpejt do të duken akoma më qartë. Historia dhe përvoja e gjatë e njerëzimit e ka treguar rrezikun e madh që i kanoset çdo qytetërimi nga mungesa e vlerave. Është njësoj sikur të presësh rrënjët e një peme. Pema ndoshta mund të jetojë edhe dy ose tre ditë, por pastaj sigurisht do të thahet. E njëjta gjë po ndodh edhe me prerjen e vlerave. Jeta mund të duket sikur po vazhdon dhe mund të vazhdojë për disa breza, shoqëria po ashtu, por në fund ajo do të thahet. Sepse ashtu siç nuk mund të rrojë pema me rrënjët e prera ashtu nuk mund të jetojë edhe shoqëria me rrënjët e prera.

Një qytet pa tempull kthehet në kaos. Një shoqëri pa vlera po ashtu. Sa më shumë ato do të humbasin aq më shumë do të shtohen mundësitë për të patur pushtetarë, politikanë, policë, gjykatës, mjekë dhe administratorë të korruptuar. Dhe sa më shumë shtohen ata aq më tepër kalbet shoqëria. Dhe nuk është më çudi kur tërë një shtet mund të shembet për dy ose tre ditë. Shembuj të tillë ka patur dhe ka shumë në histori. Ndoshta ne shqiptarët e dimë më mirë se çfarë do të thotë prishja e tempullit...”

Shkëputur nga revista TEMPULLI,

Nga, Imzot Joani!

2001, Korçë