Referuar kthim përgjigjes në kuadër të programit të transparencës, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka deklaruar se telefoni i drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nuk është sekuestruar.
“Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) nuk e ka sekuestruar telefonin e Drejtorit të Policisë së Shtetit”, thuhet në përgjigje.
Lajmi qarkulloi në dhjetor të vitit të kaluar lidhur me hetimet që SPAK po zhvillon për institucionin e AKSHI-t.
Një tjetër pyetje drejtuar konkretisht Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), lidhet me deklaratën e kryeministrit Edi Rama të thënë në një prej episodeve të podcastit të tij. Ai akuzoi agjentët e BKH-së për mos profesionalizëm referuar një episodi kur ata kishin shkuar në zyrat e kryeministrisë lidhur me çështjen e Belinda Ballukut dhe nuk kishin pranuar të dorëzonin armët tek personeli i sigurisë së godinës.
SPAK është përgjigjur duke iu referuar ligjit që parashikon pajisjen e oficerëve të Policisë Gjyqësore, përfshirë dhe BKH, me armë zjarri. Në përgjigje thuhet se BKH do të vijojë ushtrimin e detyrës në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
“Referenca në ligjin nr. 25/2019, “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, konkretisht neni 31, pika 3, i cili parashikon se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të BKH-së, pajisen me armë zjarri, ka pasur për qëllim sqarimin e kuadrit ligjor dhe faktin e kryerjes së veprimeve procedurale vetëm në zbatim të ligjit.
Në çdo rast, veprimtaria e BKH-së udhëhiqet edhe nga standarde të brendshme etike dhe profesionale, të detyrueshme për çdo punonjës të institucionit.
Në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, Byroja Kombëtare e Hetimit do të vijojë të ushtrojë detyrën e saj në mënyrë të pavarur dhe profesionale si pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)”, thotë SPAK.
Dhe në atë kohë, BKH reagoi duke sqaruar situatën e duke mohuar që agjentët të mos kenë pranuar të dorëzojnë armët, por kanë pyetur se ku do të mbaheshin për aq kohë sa ata ndodheshin brenda në godinë.
Komente










