A ka logjikë ekonomike “kripja” e
çmimit të ujit në Tiranë?

Po dëgjoja me vëmendje dje në mëngjes në një televizion lokal, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, lidhur me argumentat për një çmim të ri të ujit të pijshëm që furnizohet nga ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizmeve të Tiranës. Kryetari, që shumica në Tiranë e quajnë “lali Eri” (“Lali” është një emër përkëdhelës) argumetonte se nuk ka përse qytetari i Tiranës të pijë dhe të lahet me ujë më të lirë se sa uji i Xhelal Mziut.

Dakort, edhe kështu mund të jetë! Uji i Lali Erit duhet e mund të jetë më i “shtrenjtë” se sa ai i kreut të Bashkisë së Kamzës, qyteti i tretë më i madh në Shqipëri. Por unë e kam fjalën te argumentat dhe sidomos ato ekonomiko-financiarë.

Do t’i shpjegoj me hollësi më poshtë. Më ndihmoi për këtë një komunikim që kam pas bërë dikur në një takim zyrtar me z. Ndriçim Shani, kryetar i Entit Kombëtar të Rregullimit të Ujit (ERRU) si dhe një sërë materialesh që gjenden kollaj në institucionin e tij dhe në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, të cilat do të keni mundësi t’i gjeni në vijim.
 
A duhet rritur çmimi i ujit?

Edhe në duhet rritur (jo çmimi por tarifa e furnizimit me ujë) këtë të drejtë ekskluzive ligji ia jep ERRU-së. Sipas ligjit nr 8102, datë 28.03.1996 “Për kuadrin rregullator të furnzimimit me ujë dhe largimit dhe përpunimit të ujrave të ndotura” (të ndryshuar në vitin 2008), neni  13 sanksionon se në -Detyra të përgjithshme të Entit Rregullator- përfshihet edhe që ERRU “d) të garantojë që të licensuarit të veprojnë në përputhje me kushtet e licencës së tyre dhe të mbrojnë interesat e konsumatorëve në lidhje me: (i) çmimet, tarifat dhe kushtet e tjera të shërbimit; (ii) cilësinë, eficencën,vazhdueshmërinë dhe garancinë e shërbimit;” etj.

Të licensuarit janë ndërmarrjet monopol të ujësjellës-kanalizimeve si ajo që ka “pronar” z. Erion Veliaj në Tiranë dhe ku kryetari ka të drejtë të emërojë drejtorin ekzekutiv dhe dy anëtarë të asamblesë.

Pra, shoqëria UKT monitorohet dhe kontrollohet nga Këshilli Administrativ, dy anëtarë zgjidhen nga asambleja, njëri është drejtori ekzekutiv dhe këtu kemi influencën direkte të kryetarit për emërimin e tyre dhe performanca e kompanisë vlerësohet nga një kontratë performance që lidh kryetari i bashkisë me drejtorin e ujësjellësit. Kështu është sot!

Për këtë ndërmarrje monopol, në varësi të Bashkisë së kryeqytetit, (sipas të dhënave të sakta që i bëri publike edhe “Monitor”), Bashkia Tiranë po shqyrton rritjen e çmimit të ujit, sipas një vendimi, që do i propozohet Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ditën e mërkurë.

Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lek/m3 në 65 lekë/m3. Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3.

Sipas relacionit të Bashkisë, shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit.
I përmenda te gjithë këta tregues për të bërë një analizë shteruese lidhur me sa më sipër.

Ndriçim Shani, kreu i lartë i ERRU thotë se ende institucioni që ai drejton nuk ka miratuar një metodologji të re.

“Ndryshimi i metodologjisë që përdor ERRU, lidhur me vlerësimin e ndërmarrjeve si dhe me rakordimin e tarifave që ato propozojnë, nuk është gati”,- ka thënë Shani

Shani këmbëngul se kompetencë e ERRU-së është vendosja e tarifave, licensimi i ndërmarrjeve të furnizimit të ujit dhe kanalizimeve si dhe mbrojtja e interesave të konsumatorëve.

Në funksion të kësaj të fundit, ERRU e sheh, mbrojtjen e interesave të konsumatorëve të kryhet dhe në funksion edhe mbështetje të qëndrueshmërisë financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve. Pra, ERRU ka një rol të dyfishtë:

1. Në mbrojtje të konsumatorëve për shkak të pozicionit monopol dhe

2.Tarifat të lidhet direkt me përformancën e kompanisë dhe gjithë problematikën që fshihet pas saj, qoftë edhe ajo që lidhet me difekte të menazhimit.
 
Me se merret ERRU?

Midis të tjerash Enti Kombëtar i Ujit monitoron dhe kontrollon si më të rëndësishmet,  a) mbulimin e kostove të operim-mirëmbajtjes, b) normat e arkëtimit dhe c) ujin pa të ardhura.

Këta janë tre treguesit nevralgjikë, që lidhen direkt me qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve dhe me cilësinë e shërbimit.
Le të bëjmë pak histori që i vlen analizës. Nga viti 2012, sipas raportimeve zyrtare të ERRU-së, kemi një gjendje stanjacioni të sektorit.

Kjo shihet në cilësinë e shërbimit, kur nuk furnizohet me ujë për 24 orë popullsia, kur vetëm tre ndërmarrje në shkallë republike, arrijnë ta realizojnë këtë. Dhe këto janë Korça, Pogradeci dhe Librazhdi.

Sipas ERRU-së, në dukje treguesit financiarë janë në përmirësim, por “për arsye nga më të ndryshymet duhen marrë me rezerva”- thotë Shani.

Rritja e përqindjes së mbulimeve të kostove të operim&mirëmbajtjes vjen nga ulja e shpenzimeve të tre ndërmarrjeve kryesore në Shqipëri.

Hidhini një sy tabelës në vijim

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës ne tre vitet 2014-2016 tregon performancë të mirë. Pra mbulon kostot e operimit me tarifat ekzistuese.

Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) dhe të vetë ERRU-së e venë UKT në vend të dytë, pas Korçës.

tabela 1

"Mbulimi i Kostos Direkte të O&M" dhe "Mbulimi i Kostos Totale" gjenden ta sakta në raportin e ERRU-së për vitin 2016 (http://ëëë.erru.al/doc/Raporti_Performances_2016.pdf).

Sipas raportit “Progres i mirë është shënuar për sa i përket dy treguesve të mbulimit të kostos, "Mbulimi i kostos së O&M dhe "Mbulimi i kostos Totale".

Sektori ka tejkaluar objektivat e performancës së mirë të ERRU si dhe objektivat strategjikë të qeverisë. Këto shifra të përmbledhura gjithsesi fshehin performance e dobët të disa shoqërive, kryesisht të vogla dhe të mesme, të ardhurat e të cilave janë të pamjaftueshme për të mbuluar qoftë edhe gjysmën e kostove të tyre.

Gjithsesi performanca e këtij treguesi duhet parë me rezervë sepse nëse shohim që tendenca e treguesit të normës së arkëtimit ka rënie, atëherë përmirësimi i performancës financiare të shoqërive mund të shpjegohet vetëm me reduktimin e shpenzimeve, fakt i cili për impaktet financiare në ato vlera që jepen në këto tregues vështirë se mund të pranohet.

Kjo evidenton problemin e saktësisë dhe të besueshmërisë së të dhënave, problem i cili akoma nuk po zgjidhet që përfundimisht të kemi një nivel të kënaqshëm të besueshmërisë dhe të saktësisë së të dhënave që raportohen nga shoqëritë” thotë raporti.

Për Tiranën, që përfshihet në grupin e parë të ndërmarrjeve të UK ka këto tregues:

tabela 2
  Ecuria e mbulimit të kostove totale për grupin e I-rë

Pra, ndërmarrja me pronar Bashkinë e Tiranës i mbulon kostot totale të menaxhimit të ndërmarrjes nga 123 % (viti 2014) në 138 % (viti 2016), duke rritur me 17 % ecurinë e mbulimit të kostove në krahasim me vitet respektive të raportuara.
 
Çfarë e shtyn Bashkinë e Tiranës të rrisë tarifën e ujit të pijshëm?

Sipas analizës së “Monitor”, “Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rekuperimit të detyrimeve të prapambetura.

Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të Ujësjellësit.

Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.
Tre vitet e fundit, sipas bilancit, aktiviteti i Ujësjellës Kanalizimeve ka qenë i qëndrueshëm me një rritje të lehtë të të ardhurave, ndërsa norma e fitimit është përmirësuar. Në vitin 2016, norma e fitimit ishte 23%, çka nënkupton se për çdo 100 lekë të ardhura, 23 ishin fitime (para taksave). Në vitin 2014 norma e fitimit ishte 18%.

Sipas bilancit të detajuar të vitit 2015, shpenzimet e personelit ishin rreth 860 milionë lekë (37% të totalit të shpenzimeve), ndërsa shpenzimet e përgjithshme të prodhimit ishin 924 milionë lekë, rreht 40% të totalit.

Në vitin 2015, Ujësjellësi kishte logari të arkëtueshme, si rrjedhojë e mosarkëtimit të faturave nga konsumatorët familjarë, privatë, shtetërorë, etj, prej 2.7 miliardë lekësh (gati 20 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 70%,në krahasim me 1.9 miliardë lekë që ishin detyrimet e paarkëtuara në 2014-n. 75% e këtij detyrimi i përket konsumatorëve familjarë.

Sipas kryetarit të ERRU-së, z. Shani, norma e arkëtimit është në nivele mjaft të mira, të pranueshme dhe që ka pak hapërirë për t’u përmirësuar. Ja tabela përkatëse:

tabela 3
Tirana këtu udhëheq! Pra është në vend të parë në rang republike sa i përket arkëtimeve. Pse duhet rritur tarifa?

Unë në fakt, nuk jam kundër rritjes së tarifave për të gjitha shërbimet dhe produket që ofrohen nga entet shtetërore, por kam rezerva kur flitet për ente monopolistike dhe sidomos kur propozimet nuk shoqërohen me analiza ekonomiko-financiare, të cilat e bëjnë më të besueshëm dhe, pastaj, më të lehtë realizimin dhe miratimin e propozimit të Bashkisë së Tiranës.

Nga Tirana, nëpër Shqipëri…
Ata që dinë të bëjnë analizën dhe njohin treguesit ekonomiko-financiarë të kompanive shtetërore që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë duhet ta dinë se një tregues, “Uji pa të ardhura” është treguesi më negativ në vite, ai është krejtësisht në nivele të papranueshme, mbi 67 %. Kjo do të thotë se nga 100 litra ujë që prodhohet për të furnizuar popullsinë, 67 litra vidhet, nuk paguhet. Ky është skandali i këtyre ndërmarrjeve në vite, pra edhe i Bashkisë së Veliajt. Ja sa ujë i vjedhin kryetarit të metropolit:

taela4
Ecuria e Ujit Pa të ardhura për Grupin e I-rë

Pra, Tirana humbet 67,77 litra ujë në 100 litra që i prodhon me kosto të konsiderueshme në Bovillë apo në impiantet e tjera të prodhimit të ujit të pijshëm. Kjo është një rezervë e konsiderueshme, që shkon tek tarifa e ujit që paguajmë të gjithë! Le të ulë bashkia këtë shifër skandaloze, që nuk e gjen askund në botë! Po ka edhe një tregues tjetër tronditës: Shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve janë të mbipopulluara me staf, me një mesatare (në rang republike) deri në 8,3 punonjës për një lidhje?!

Nga ana tjetër, sektori i ujësjellës kanalizimeve është mjaft i fragmentarizuar, aktualisht janë akoma 58 shoqëri, por vetëm 15 shoqëri ofrojnë shërbime për 83 % të popullsisë. 45 shoqëri janë të një dimesioni mjaft të vogël, që janë shumë të vështira të mbijetojnë. Ka një strategji kombëtare të menaxhimit të ujit të pijshëm, por strategjia e financimit të sektorit mungon.

Mbulimi i shpenzimeve administrative, sipas udhëzimit të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës materializohet në një kontratë të lidhur nga kryetari i bashkisë me drejtorin ekzekutiv. Kjo ka bërë që mbipopullimi i këtyre ndërmarrjeve të bëhet gangrenë jo vetëm për tarifat që paguajmë, por edhe për buxhetin e shtetit. 131 komuna kanë bërë deri para një viti administrimin e UK. Me reformën territoriale ndërmarrjet duhet të kalojnë në administrimin e ri, të rregjistrohen në qendrën kombëtare të biznesi (QKB) dhe të aplikojnë për licensë dhe tarifë tek ERRU.

Të gjithë shoqëritë kanë nevojë për plane biznesi, në të cilat, krahas analizës, jepen edhe objektivat real për përmirësimin e menazhimit dhe tarifave.

Të gjithë e dinë se ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve kanë qënë “mall pa zot” dhe në dorë të askujt. Por mirëadministrimi i tyre nuk mund të kalojë detyrimisht vetëm nga ndryshimi në rritje i tarifave të furnizimit me ujë. Kostot shtesë për ujësjellësat janë bërë pjesë e buxhetit të qeverisë qëndrore, kur  nga 3,2 milionë euro, qeveria ka paguar rreth 7,5 milion për vitin 2016. Veliaj dhe “veliajt” e tjerë të bashkive të kategorisë së parë (ndërmarrjet e tyre janë rentabël aktualisht) duhet të propozojnë reduktim të stafit të tepërt, sepse kostot e stafit përbëjnë ende 36 % të kostove totale  të shpenzimeve të operim&mirëmbajtjes, të hartojnë planin e menaxhimit të aseteve, sepse pjesa e aseteve lidhet me shpenzimet për riparime për asetet ekzistuese, që zënë 12 % të kostove të mirëmbajtjes.

Shumica e ujësjellësave janë me ngritje mekanike të ujit dhe pjesa e energjisë, që është pjesa e luanit në shpenzimet e operim mirëmbajtjes përbën 43 %  të shpenzimeve totale.

Nga një studim që kam në dorë, për 22 ndërmarrje, ky komponent ka hapësirë për përmirësm dhe ulje të kostos. Edhe për Tiranën gjithashtu! Eshtë e rëndësishme të realizohet zhdukja e ndërmarrjeve kaq të fragmentarizuara: 47 ndërmarrje mbulojnë rreth 17 % të popullsisë, ndërsa efikasiteti i tyre për ekonominë e shkallës është një strategji që deri tani nuk është aplikuar. Shikoni sa kanë shkuar kostot e energjisë për shoqëritë tona të ujësjellës kanalizimet:

tabela 5
 Ecuria  e zërave kryesorë të shpenzimeve dhe të ardhurave për tre vitet rresht

Nevojat për investime publike për rinovimin e rrjeteve dhe për krijimin e të rejave, për impiante dhe për ujrat e ndotura janë të vlerësuara në masterplanin kombëtar. Janë rreth 3,7 miliardë euro dhe këto nuk bëhen për një ditë.

Dhe as duke rritur pa asnjë analizë kostosh tarifat e përdorimit të ujit të pijshëm. Strategjia kombëtare e menaxhimit të ujit ka rivlerësuar deri në vitin 2040 përdorimin e këtyre miliardave, që do të thotë rreth 150 milionë euro në vit. Ndërkohë që tani përdoren vetëm rreth 50-60 milionë euro në vit.

Standardi i pranuar kudo në botë është  se të ardhurat nga shoqëritë planifikohen duke ruajtur parimin e përballueshmërisë së tarifave dhe rritjen graduale të tyre.

Pa harruar rritjen e cilësisë e përformancës së monitorimit të shoqërive të ujësjellës kanalizimeve, sidomos në treguesit kryesore që janë uji pa të ardhura, rritja e furnizimit me ujë që lidhet me cilësinë e shërbimit dhe eficensa e energjisë.


Redaksia online
e.m/Shqiptarja.com

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Ardian Vehbiu: Histeria ndaj kryepeshkopit Anastas

Ardian Vehbiu: Histeria ndaj kryepeshkopit Anastas