Kërkesa e fundit e Francës që në veri të Kosovës të mbahen sa më shpejt zgjedhje të reja dhe thirrja e Parisit që Prishtina të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në kuadër të rrugës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kanë ngritur zëra se francezët janë kundër Kosovës, apo se po ia mbajnë anën Serbisë.
Disa e kanë rikujtuar edhe kërkesën që pati bërë Franca për ta lidhur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, me hyrjen në fuqi të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).
Ambasadori i parë i Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, nuk pajtohet me këto pikëvështrime. Por, redaktori për Evropën i Radios Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak, beson se Franca nuk po i shfrytëzon të gjitha kapacitetet që ka për t’i ndihmuar Kosovës.
“Kthesa e madhe” e Francës ndaj Kosovës
Nëpërmjet një komunikate, më 23 prill, Presidenca e Francës ka theksuar se mbështetja e Parisit për pavarësinë e Kosovës dhe për integrimin evropian të vendit, mbetet e palëkundur.
Edhe Kullashi, dikur profesor i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës dhe më pas në Universitetin Parisi 8, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuancat e vogla, ndryshe në krahasim me vendet tjera perëndimore, për ndonjë problem konkret, nuk nënkuptojnë ndryshim të qëndrimit shtetëror.
“Edhe amerikanët, edhe britanikët, i kanë afërsisht kërkesat e njëjta lidhur me zgjidhjen e problemeve që i ka Kosova”, është shprehur ai, duke insistuar se vendet perëndimore koordinohen para çdo veprimi të madh.
Duke i komentuar zërat që e afrojnë Francën me Serbinë, Kullashi ka thënë se ndonëse të dyja vendet kanë kultivuar tradicionalisht marrëdhënie të mira, kthesa e madhe është bërë kur Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ka intervenuar kundër objektivave të ushtrisë jugosllave, më 1999.
Kullashi ka thënë se që nga takimet që ka pasur më 1999 me presidentin e atëhershëm francez, Jacques Chirac, e ka parë vendosmërinë e Francës për t’i ndihmuar Kosovës, teksa ka pohuar se atmosferë e njëjtë ka vazhduar në Paris edhe gjatë viteve 2008-2016, kur shërbente si ambasador në Francë.
Franca ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa, sipas Kullashit, rrjeti diplomatik francez i ka ndihmuar shumë Kosovës me njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Si shembull konkret, ai ka përmendur ndihmën e Francës në integrimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
“Diplomatët francezë e kanë kuptuar presionin që ka bërë Rusia te 10 vende afrikane, që të mos e votojnë anëtarësimin e Kosovës. Pas një kërkese që presidenti François Hollande ua ka dërguar shefave të shteteve që kanë shprehur rezerva, të gjitha janë pajtuar për anëtarësim të Kosovës”, ka thënë Kullashi, autor i dy librave për marrëdhëniet e Kosovës me Francën.
Si mbështetje shumë të madhe për Kosovën, Kullashi e ka përmendur edhe kontributin e Francës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 2010 konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ai ka thënë se ekspertë të lartë juridikë francezë përgatitën një raport prej 70 faqesh për të mbrojtur rastin e Kosovës./REL