A ka qenë Rusia gjithmonë në krah të Serbisë?

A ka qenë Rusia gjithmonë në krah të Serbisë?

Ambasadori rus, Yuliy Vorontsov (i pari nga e majta), duke votuar Rezolutën 757, me të cilën i janë vendosur sanksione Republikës Federale të Jugosllavisë. Maj, 1992.

Shumica e qytetarëve të Serbisë e perceptojnë Rusinë si një vend mik, tregojnë të gjitha hulumtimet. Kjo pasqyrohet edhe në deklaratat e zyrtarëve, të cilët shpesh e quajnë Rusinë “vend vëllazëror”.

“Në momentet kyçe historike, Rusia ka qenë me ne”, tha në një nga deklaratat e fundit ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i ftuar në televizionin privat serb, Hepi.

Ndërkohë, thirrjet nga Brukseli dhe Uashingtoni se Serbia duhet t’iu bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, po bëhen gjithnjë e më të zëshme.

Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Beogradi zyrtar ka mbështetur vetëm disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara, që kanë kundërshtuar pushtimin rus.

Sanksionet kundër Rusisë nuk janë ende opsion për autoritetet në Serbi - gjë të cilën ato e justifikojnë me çështjet ekonomike.

Duke komentuar votën e përfaqësuesve të Serbisë për një rezolutë për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejta të Njeriut, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se Rusia i përcjell deklaratat e politikanëve serbë për presionin ndaj tyre, si dhe deklaratat e zyrtarëve serbë se Rusia është mike e tyre.

“Ndoshta kemi pikëpamje të ndryshme për miqësinë. Ne gjithmonë i mbështesim miqtë tanë në kohë të vështira. Gjithmonë nisemi nga fakti se ata që na quajnë miq të tyre, kanë qasje të njëjtë”, ka thënë Zakharova në një konferencë për media më 13 prill.

Megjithatë, Rusia, në historinë e vonë, nuk ka vepruar në përputhje me fjalët e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme.

Votimet e Rusisë për sanksione kundër Serbisë

Gjatë viteve 1990, Republika e atëhershme Federale e Jugosllavisë (RFJ), e cila ka përfshirë edhe Serbinë, është përballur me sanksione të mëdha ndërkombëtare. Shkak, mes tjerash, ka qenë pjesëmarrja e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) - e cila pas shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste ka mbetur nën kujdesin e Beogradit zyrtar - në luftërat në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Më 30 maj, 1992, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar Rezolutën 757, me të cilën shtetet nënshkruese janë zotuar se do të pengojnë “importimin në territorin e tyre të të gjitha mallrave me origjinë nga Republika Federale e Jugosllavisë [Serbia dhe Mali i Zi]”.

Gjithashtu, vendet kanë marrë përsipër t’i refuzojnë çdo avioni lejen “për t’u ngritur, ulur ose fluturuar mbi territorin e tyre” nëse ka qenë e planifikuar që ai avion “të ulet ose të ngrihet nga territori i RFJ-së”, përveç në rastet e fluturimeve humanitare.

Përveç kësaj, Rezoluta 757 ka kërkuar që nënshkruesit ta pengojnë pjesëmarrjen e personave ose grupeve që përfaqësojnë RFJ-në në ngjarje sportive në territorin e tyre, si dhe të pezullojnë bashkëpunimin shkencor dhe teknik, ashtu si edhe shkëmbimet kulturore dhe vizitat e personave që përfaqësojnë RFJ-në.

Në mesin e nënshkruesve të kësaj rezolute ka qenë edhe Rusia. Gjashtë muaj më vonë, luftërat në Bosnje dhe në Kroaci nuk kanë pasur të ndalur. Numrat e civilëve të vrarë dhe refugjatëve kanë vazhduar të rriten.

Zyrtarët serbë, të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq, kanë mohuar se vendi i tyre po merrte pjesë në luftëra, megjithëse nga territori i tyre rekrutoheshin grupe të shumta paraushtarake, të cilat, së bashku me ushtrinë e JNA-së, kryenin krime në Bosnje dhe Kroaci.

Në nëntor të vitit 1992, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar Rezolutën 787, me të cilën ka dënuar “të gjitha shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë në veçanti praktikën e spastrimit etnik dhe pengimin e qëllimshëm të furnizimeve ushqimore dhe mjekësore për popullatën civile të Republikës së Bosnje e Hercegovinës”.

Me të njëjtin dokument - i nënshkruar po ashtu nga Rusia - është ndaluar “transportimi i naftës bruto, produkteve të naftës, qymyrit, pajisjeve të lidhura me energjinë, hekurit, çelikut dhe metaleve të tjera, kimikateve, gomës, automjeteve, avionëve dhe motorëve të të gjitha llojeve”.

Rezoluta, po ashtu, u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që “t’i ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar që asnjë nga eksportet e tyre të mos devijohet në Republikën Federale të Jugosllavisë”.

Këto masa kanë ndikuar shumë në rënien e standardit jetësor të qytetarëve të Jugosllavisë dhe në kolapsin e ekonomisë së saj.

Sanksionet janë hequr në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në nëntor të vitit 1996.

Megjithatë, në periudhën e ardhshme janë intensifikuar konfliktet e armatosura ndërmjet pjesëtarëve të forcave shtetërore jugosllave dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilat janë përshkallëzuar në luftë në prill të vitit 1998.

Bombardimet nga NATO-ja

Pas raportimeve të shumta për dhunë dhe shkelje të të drejtave të njeriut nga policia dhe ushtria jugosllave kundër popullatës shqiptare në Kosovë, Aleanca Veri-Atlantike e NATO-s ka filluar bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë, më 24 mars, 1999.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia, së bashku me Kinën, kanë kundërshtuar ndërhyrjen e NATO-s.

Megjithatë, ndihma konkrete nga Rusia ka munguar, pavarësisht pritjeve të Beogradit në atë kohë se Kremlini do të ofronte ndihmë më aktive.

Avioni luftarak F-16 ngrihet nga baza ajrore e NATO-s në Aviano më 24 mars, ditën kur nisën sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake jugosllave në Kosovë.

Lufta në Kosovë ka përfunduar në qershor të vitit 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Kjo u ka dhënë fund bombardimeve të NATO-s dhe forcat jugosllave janë tërhequr nga territori i Kosovës. Forca paqeruajtëse ndërkombëtare - KFOR - e udhëhequr nga NATO-ja, është vendosur në Kosovë për të ruajtur rendin.

Përpara përfundimit të luftës në Kosovë, Kremlini ka zbatuar një iniciativë diplomatike për të futur trupat ruse në KFOR. Ky hap ka pasur sukses dhe ushtarët rusë janë bërë pjesë e forcës paqeruajtëse ndërkombëtare në qershor të vitit 1999.

Rusia i ka pasur anëtarët e saj në këtë forcë deri në korrik të vitit 2003.

Në një deklaratë të lëshuar nga NATO-ja, në korrik të vitit 2003, është thënë se Rusia ka marrë vendimin për tërheqje “në vazhdën e situatës së sigurisë në rajon, si dhe të angazhimeve të tjera”.

Sot, në kuadër të KFOR-it janë pjesëtarë të ushtrive nga 28 shtete.

Blerja e industrisë së naftës në Serbi

Vendimi i Qeverisë së Serbisë për t’ia shitur “Industrinë e Naftës së Serbisë” (NIS) kompanisë ruse “Gazprom Neft”, ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik në Serbi.

Sipas marrëveshjes së arritur në fund të vitit 2008, pala ruse, me 400 milionë euro, ka marrë 51 për qind të pronësisë në ish-gjigantin serb të naftës. Marrëveshja ka paraparë gjithashtu që “Gazprom” të investojë në modernizimin e NIS-it me së paku 500 milionë euro deri në vitin 2012.

Pronari i ri rus, nga ana tjetër, ka marrë dy rafineri në qytetet Pançevo dhe Novi Sad, fusha nafte dhe gazi, si dhe një rrjet të stacioneve të karburanteve. Në atë kohë, kritikat më së shumti i janë drejtuar Qeverisë së Serbisë dhe i janë referuar faktit se shitja është bërë me marrëveshje ndërshtetërore, pa tender.

Në krye të shtetit serb në atë kohë ka qenë Partia Demokratike e Serbisë, e udhëhequr nga kryeministri Vojisllav Koshtunica, dhe Partia Demokratike e presidentit të atëhershëm serb, Boris Tadiç.

Afera e spiunimit

Në nëntor të vitit 2019, në internet është shfaqur një video, e cila dyshohet se ka treguar një oficer të inteligjencës ruse duke i dhënë para një anëtari në pension të ushtrisë serbe. Sipas zyrtarëve të lartë të Serbisë, regjistrimi është bërë më 24 dhjetor, 2018.

Vërtetësinë e regjistrimit e ka konfirmuar Rela Zelski, shef i analizave në Agjencinë serbe të Zbulimit (BIA), i cili ka thënë se “oficeri i inteligjencës ruse, Georgij Kleban, është në të".

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se, në disa raste, “kontaktet e Klebanit me pjesëtarët e ushtrisë serbe janë vërtetuar dhe dokumentuar me fotografi, video dhe audio-incizime”.

Sipas tij, janë regjistruar dhjetë takime të Klebanit me gjithsej tre persona. Por, ka shtuar ai, Kleban “nuk ka qenë i vetmi oficer i inteligjencës ruse” dhe se “kontakte janë zhvilluar me gjithsej nëntë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë”.

Duke komentuar aferën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë janë të “natyrës vëllazërore” dhe ka shtuar se “asgjë nuk mund të ndikojë në këtë”.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë atëbotë se publikimi i videos ka qenë “një provokim përpara samiteve të rëndësishme”. Videoja ka dalë në publik disa javë para vizitës zyrtare të presidentit të Serbisë në Soçi të Rusisë.

I pyetur nga gazetarët nëse e ka hapur temën e aferës së spiunazhit në takim me presidentin rus, Vladimir Putin, Vuçiç nuk është përgjigjur drejtpërdrejt.

“Ne kemi diskutuar për të gjitha temat. Ne kemi marrëdhënie të mira dhe do të përpiqemi jo vetëm t’i mbajmë, por edhe t’i përmirësojmë ato marrëdhënie miqësore”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve më 4 dhjetor, 2019, në Soçi./ Marrë nga REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit