A mbahen këta ‘jetimë’ pa pushtet?

A mbahen këta ‘jetimë’ pa pushtet?

Edi Rama, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha

A mbahen këta pa pushtet? Them me vete cila kategori na kushton më shumë: Të burgosurit apo politikanët? … E di, nga statistikat, se një i burgosur na kushton rreth 500 euro në muaj, ndërsa paga mesatare e një njeriu të lirë e ta pa fajësuar- vetëm 30 mijë lek…

Po politikanët, këta rrondokopë të mbetur buzë përroit?

Po lexoj lajme e po shikoj fytyra prej këtyre dhe më vjen një mendim mëshire. Në radhë të parë më vjen keq për Lulin, mbi të gjithë për Lulin me barrën më të madhe. Pastaj edhe për Edin. Monika e ka punën ndryshe se kur t’i dojë qejfi ia le partinë Ilirit si pilaf, dhe merr rrugët.

Po çfarë mund të bëjë Luli me këta burra që, si klloçka, i ka mbledhur dhe i ngroh? Janë burra me nga 100 e më shumë kile, por lëpihen rreth një burri tjetër. Edhe në këtë rast Lul Basha del më i preferuari nga meshkujt se nga femrat, sipas një sondazhi të publikuar sot. Kryetarët e partive aleate, të gjithë burra, nuk i ndahen Lulit aq sa kënga e Naim Frashërit thotë për qengjin që ‘blegërin dy a tre herë/ edhe turret e merr dhènë…’.

Ky është halli i madh i Lulit, e prandaj e them atë fjalën ‘mëshirë’. Mëshirë, edhe mirënjohje ndaj Lulit, në fakt. Mirënjohja ka lidhje me barrën që ky lider i partisë ‘klloçkë’, në njëfarë mënyre, ia heq shoqërisë. Kryetari i PD ka marrë nën flatra nja gjashtë burra që ‘nuk i duhen as dreqit’, të gjithë kryetar partish por parti që nuk kanë asnjë anëtar partie, të gjithë qesharakë sa herë lakmojnë gazetarët e paditur që t’i shfaqin nëpër ekrane. Këta janë aleatët e Lulit, por në njëfarë mënyre edhe siamezët e të burgosurve.

Tani që i mori Luli në ‘furrik’, dhe iu ka dhënë vende të sigurt për anëtar parlamenti- tani këta vërtet na kushtojnë secili aq sa kushton çdo i burgosur. Por puna do të ishte më e rrezikshme nëse nuk do të futeshin nën flatrat e ‘nënës’. Nëse këta do të liheshin rrugëve, ju lutem a më thoni?, kush do t’i duronte lart e poshtë. E para, do të rrënonin estetikën e qytetit, duke rëndur nga një kafe në tjetrën për të kapur ndonjë mik të kryeministrit Rama në mandatin e ardhshëm. E dyta, do të na çudisnin duke sharë Bashën dhe PD-në. E treta, sa herë VV ose ca nevrikë të tjerë do të merrnin gurët kundër pemëve a godinave të qytetit, këta do të dilnin me krahë të shqyer.

Të paktën Luli bëri një mirësi: I futi në parti, i ‘vagjëloi’- thonë në Mirditë për fëmijët që qajnë, dhe ata tani po flenë rehat. Partia Demokratike dhe demokratët- natyrisht- e pësojnë keq, sepse nja dhjetë a dymbëdhjetë vende në Kuvend ua hanë aleatët ‘jetimë’, por kjo është mirësia e kryetarit.

Ka edhe një arsye tjetër pse Luli ndjehet shumë i qetë në mirësinë që bëri, pavarësisht se godet për vdekje PD-në. Luli e di se as në këto zgjedhje nuk ka ‘sy për çapje’ për të fituar gjë; dhe kjo është mençuri kur e di se jorgani yt do të jetë aq i vogël për t’i mbuluar gjithë demokratët. Kështu fitojnë ‘fëmijët e rrugës’ në çdo grupim mirësie, dhe mblidhen nën jorgan diku.

Ka pasur edhe plot arsye Edi, gjithashtu, që i la rrugës fajkonjtë socialistë, ata që nuk ecnin dot me tufën. Por ai bëri një gjë më të garantuar: I la atje, iu tha ‘më mirë djepin thatë’ se sa ju, dhe mori përpara. Disa prej tyre, ashtu çalë-çalë, nuk lanë gjë pa sharë, bënë edhe gazeta e portale, bënë edhe biznese…., por ‘atje larg!’, iu tha Edi. Ky e mori koston mbi vete, ndërsa Luli ia ngarkoi PD-së. Por hajde ndaje mirësinë nga politika…

Ndërsa më të pa lagur dolën Saliu dhe Monika:

Saliu e dha dorëheqjen, ashtu si ‘për gjasme’, pikërisht që të mos përballet me këso punësh e këso ‘jetimësh’. Sa për të mbledhur nën flatra gjashtë a shtatë kryetarë partish fantazmë, që kushtojnë secili sa një i burgosur; atëherë më mirë do të zgjidhte të mbante ca të burgosur të vërtetë. Se të paktën burgaxhinjtë ia dinë hallin liderit, të paktën kërcënojnë ca njerëz, ose e djegin qytetin, ose e vrasin dikë… Po rondokopët, pa vlerë?

Monika e ka zgjidhur ndryshe: Partinë e Ilirit e mban derisa t’i mbetet në dorë. Po iu hallakat si brumi, edhe më keq se kaq, Monika ia le në derë Ilirit; madje mund t’i thotë edhe se ‘mandatin tim po e çoj te kryeministri Rama, se ku bën ti!’.

Ja, vetëm kështu mund të durohen…

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Seko: 12/02/2021 19:08

    Pra do ishte mire ose te mos kishte fare opozite ose ti fusin ne burg, sa kohe kemi Ramen kryeminister?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës