A mbulohet Dielli me shoshë?!

A mbulohet Dielli me shoshë?!

Sali berisha dhe Lulzim Basha

“Ç’ka thuhet për njerëzit, e vërtetë apo e rremë, shpesh ka të njejtin ndikim në jetën dhe sidomos, në fatin e tyre, sa ajo ç’ka ata bëjnë” – Viktor Hygo, “Të mjerët”.

PD ka nisur një betejë lidershipi. Me tam-tame, por pa krisma dhe as viktima. Si në gjithë historinë e luftërave edhe kjo “luftë” politikanësh ka filluar si diversion. Armiku nuk tregohet kurrë me gisht dhe sebepi i sherrit kamuflohet me gjithfarë gjepurash.

Basha ka deklaruar zyrtarisht, se ai nuk ka lidhje me “luftën”. Lufta është midis SHBA-së dhe të padëshërueshmit Berisha. Basha është i shtrënguar të rreshtohet me SHBA-në për shkak të aleancës strategjike që buron nga aleanca euro-atlantike, por është gati t’a kthejë pllakën në rastin më të parë.

Berisha bërtet çdo ditë se ai nuk ka gjë me Amerikën dhe se respekton (respekton?!!!!) shpalljen e tij ‘non grata’. Ai është thjesht i mërzitur me Bashën, sepse ka shkelur statutin kur e ka përzenë atë nga grupi parlamentar, prandaj ka vendosur të dalë në popull, se vetëm populli mund t’ia heqë pezmatimin që ka.

Në fakt, në themel të kësaj zallamahie qëndron vetëm një çështje: “përfshirja e Sali Berishës në korrupsion domethënës…, pjesëmarrja e tij në akte korruptive, si shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për pasurimin e pjesëtareve të familjes dhe të aleatëve politikë…, demonstrimi i vullnetit për të mbrojtur veten, pjesëtarët e familjes dhe aleatët e tij politikë, duke dëmtuar hetimet e pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat llogaridhënëse”.

Mohimi se thelbi i çështjes është vetëm ky, apo shumë më keq, zëvendësimi i tij me çfarëdo historie banale me konspiracione dhe kulisa ndërkombëtare, nuk është gjë tjetër veçse amnisti e ndyrë dhe imorale e korrupsionit, e keqpërdorimit të pushtetit dhe e kapjes së drejtësisë. Kushdo që na thotë se problemi është Amerika, pabesia e liderit, dhunimi i statutit, mungesa e fakteve dhe provave, karrikja e parlamentit apo karrikja e liderit, ka vetëm një hall, kërkon të shpëtojë korrupsionin dhe të korruptuarin e radhës nga përbuzja.

Vërtet ai më sipër është vlerësimi i Departamentit të Shtetit për Sali Berishën dhe jo i organeve tona të drejtësisë, por vlerësimi i tij është shumë herë më autoritar dhe i besueshëm, se vlerësimi i të gjitha institucioneve shqiptare të marra së bashku. Nëse Basha, Berisha dhe gjithë shpura opozitare i përdorin dokumentat, raportet dhe statistikat e Departamentit të Shtetit si kalë beteje në luftën kundër qeverisë, sa herë bëhet fjalë për të hedhur akuza për nivelin e korrupsionit, për gjendjen e kriminalitetit, për shkallën e lirisë së shtypit etj., atëherë vlerësimin për Sali Berishën duhet padiskutim t’a pranojnë me kokën ulur dhe me ndershmëri.

Departamenti i Shtetit nuk gënjen. Dokumentet e tij nuk manipulohen. Përndryshe opozita që luftën opozitare e ka mbështetur rregullisht tek to del gënjeshtare, opozitarizmi i deritanishëm bëhet fals.

Deklarata e sekretarit të Shtetit është e vërtetë, pavarësisht nga përmbajtja e dosjes përkatëse. Ajo nuk vihet dot në dyshim, duke kërkuar faktet e dosjes, sikurse nuk bëhet dot pis duke përmendur vend e pa vend emrin e plakut Soros.

Ne që jetojmë në Shqipëri dimë shumë nga akuzat për korrupsion që i janë bërë Berishës, edhe ato për pasurimin e kundraligjshëm të familjarëve, me firmën e tij ose të bashëpunëtorëve të vet. Ne dimë edhe historitë me intimidimin e organeve të hetimit apo kapitullimin e tyre në hetimin e këtyre akuzave. Ne dimë p.sh. se Berisha ka pohuar vetë se ka qenë ai në krye të operacionit kur në bulevard u vranë 4 burra në 21 janar 2011.

Dimë gjithashtu se ai i ka bërë presion publik Prokurores së Përgjithshme, duke e akuzuar atë si komplotiste, sikurse dimë që ai vetë nuk është marrë kurrë në pyetje as lidhur me urdhërin për të qëlluar me armë, as për zhdukjen e regjistrimeve video nga kamerat e sigurisë të kryeministrisë. Këto fakte janë publike, i di i madh e i vogël në Shqipëri. Ato nuk na i ka servirur plaku Soros. Na i ka servirur vetë Berisha.

Në këtë zallamahi Basha ka vetëm një zgjidhje që e nderon: të dalë publikisht dhe të deklarojë se PD-ja është forcë politike që nuk pajtohet me korrupsionin, pa dallime dhe pa ekuivok. Damkosja e Berishës nga SHBA si i korruptuar është shkak i mjaftueshëm për PD-në që të ndajë rrugët me Berishën. Me këtë njollë në emrin e tij ai nuk mund të përfaqësojë PD-në në Kuvend, sikurse nuk mund të jetë më pjesë e familjes politike.

Me një deklaratë si kjo PD-ja ngelet parimore, e pastër dhe shqiptarët ia besojnë vërtet përbetimet e përditshme kundër korrupsionit dhe ndarjen nga kultura politike e pandëshkueshmërisë.

Berisha ka vetëm një zgjidhje që mund t’i qetësojë shpirtin: të njohë peshën e demaskimit që i ka ardhur nga SHBA, të kuptojë se reputacioni i tij është cenuar rëndë, të pranojë se aktivizimi i tij i mëtejshëm politik është i papajtueshëm me këtë damkosje dhe se pa pastrimin e plotë dhe të patundshëm të emrit ai nuk mund të ushtrojë më asnjë funksion publik. Prandaj i duhet të deklarojë largimin me vullnet të lirë nga jeta publike.

Vetëm me një deklaratë si kjo ai mund të shprehë pendesë dhe reflektim, vetëm kështu mund të ngjallë keqardhje dhe simpati.

Beteja jonë e përditshme është kundër korrupsionit. Këtë betejë duhet t’a zhvillojmë vetë. Amerika është aleati ynë dhe na mbështet. Kurse rasti i Sali Berishës ‘non grata’ është vetëm gur prove për ne.

Deri tani vetëm po bëjmë sikur e kemi seriozisht dhe përfaqësuesit e SHBA-së po e lexojnë këtë.

*Fatos Hoxha, ish-deputet i Partisë Demokratike 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë