Përgjatë një dekade e gjysmë, Kryeministri Hungarez Viktor Orban është konsoliduar si i forti par excellence i Europës. Por të fortët nuk janë imunë ndaj politikës, rënieve ekonomike, apo ndryshimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me të tria këto në ndryshim e sipër, kontrolli i Orbanit mbi pushtetin po lëkundet para zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit në Hungari.

Nëse partia e tij Fidesz humbet, pasojat do të shtrihen shumë përtej Hungarisë, e cila prej kohësh ka shërbyer si një barometër i prirjeve politike ndërkombëtare. Përpara se Donald Trump të shfaqej në skenën amerikane, Hungaria e Orbánit kishte parathënë tashmë fuqizimin e populizmit joliberal dhe të së djathtës së re ekstreme. Ndaj, të gjithë ata që kërkojnë të parandalojnë ose t’i shpëtojnë sundimit të të fortëve, do t’i ndjekin nga afër këto zgjedhje.

Sezoni elektoral në Hungari ka ofruar ndërkaq disa mësime të vlefshme. I pari është se edhe në një “autokraci elektorale” si Hungaria, politika tradicionale mbetet e rëndësishme. Dhuntitë politike dhe mobilizimi në terren mund ta tronditin sistemin dhe të sfidojnë iluzionin e pathyeshmërisë. Karizma dhe talenti politik e kanë ndihmuar Orbanin të kthehet në një nga liderët më jetëgjatë të Evropës. Por liderët karizmatikë janë të cenueshëm përballë sfidantëve po aq karizmatikë sa ata – dhe kjo është sfida që e pret Orbanin nën imazhin e Peter Magyar.

Ish-anëtar i Fidesz-it, Magyar e ka përmbysur politikën hungareze si lider i partisë opozitare Tisza (Respekt dhe Liri). Ai po e sfidon Orbánin me të njëjtat mjete që ky i fundit ka përdorur, çka do të thotë se marka politike e Orbánit – luftëtari trim i lirisë që mbron me guxim vlerat evropiane – mund të çmitizohet gradualisht.

Magyar ka shumë pak përvojë krahasuar me Orbanin, e megjithatë ai vepron si një profesionist politik me përvojë të gjatë. Ai ka vënë në dukje qeverisjen e dobët të Orbánit, përfshirë gjendjen e mjerueshme të infrastrukturës dhe të sektorëve të shëndetësisë e arsimit – fusha të lëna pas dore për shkak të përqendrimit të ekzagjeruar të qeverisë te luftërat kulturore dhe politika e jashtme. Magyar ka zhvilluar gjithashtu një fushatë jashtëzakonisht të disiplinuar, duke ngritur një bazë aktive dhe entuziaste votuesish, përmes qindra takimeve të drejtpërdrejta.

Megjithatë, rritja e tij si një sfidant i aftë përbën vetëm gjysmën e historisë. Leksioni i dytë është se edhe liderët e fortë me rrënjë të thella nuk mund ta injorojnë ekonominë. Para COVID-19, rritja vjetore e PBB-së së Hungarisë ishte mesatarisht 3.6% (falë një rrjedhe të vazhdueshme fondesh kohezioni nga Bashkimi Evropian), duke i lejuar Orbánit të pretendonte se standardet e jetesës ishin përmirësuar vazhdimisht gjatë qeverisjes së tij. Por që nga pandemia, rritja pothuajse është sheshuar, duke arritur në një 0.4% të zbehtë në vitin 2025 – shumë poshtë mesatares së BE-së dhe objektivit fillestar të qeverisë prej 3.4%.

Siç pritej, Orbán ka dyfishuar retorikën e frikës, duke pretenduar se një qeveri e drejtuar nga Magyar do t’i dërgonte hungarezët dhe paratë e tyre drejt luftës në Ukrainë. Por ekonomia mbetet çështja vendimtare. Klasa punëtore e Hungarisë dhe ajo pak shtresë e mesme që tradicionalisht ka mbështetur Fidesz-in për arsye praktike, janë goditur veçanërisht rëndë. Në Hungari çmimet e konsumit janë rritur më shpejt se në çdo vend tjetër të BE-së – me 66% mes viteve 2015 dhe 2024. Edhe lideri më karizmatik do ta kishte të vështirë t’i mbante votuesit të kënaqur në kushte të tilla.

Një leksion i fundit lidhet me kontekstin ndërkombëtar në të cilin po zhvillohet fushata zgjedhore në Hungari. Liderët evropianë – të lodhur nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe të alarmuar nga ndërhyrja e Trump në Venezuelë dhe ambiciet e tij për Groenlandën – po përpiqen të hartojnë një qëndrim të ri strategjik dhe të forcojnë kapacitetet ushtarake dhe infrastrukturën e sigurisë. Por e djathta ekstreme evropiane po ndërton gjithashtu aleancat e veta, dhe Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSS) nuk lë shumë vend për dyshim se kë mbështet administrata Trump.

Kështu, ndërsa dinamika e fushatës dhe gjendja e ekonomisë mund të favorizojnë Magyar, kushtet më të gjera gjeopolitike mund të jenë në favor të Orbánit, një mbështetës i hapur dhe besnik i Trump. Megjithatë, rikthimi i Trump në pushtet nuk i ka sjellë shumë përfitime Orbánit. Ashtu si pjesa tjetër e BE-së, Hungaria është goditur nga tarifat e Trump dhe pasiguria që ato kanë shkaktuar. Për më tepër, Trump nuk ka ndërmarrë hapa për të rivendosur traktatin e shmangies së taksimit të dyfishtë SHBA-Hungari, i cili u ndërpre nga administrata Biden, dhe linja e kreditit prej 20 miliardë dollarësh që Orbán mendonte se kishte siguruar gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar duket se ka mbetur në ajër.

Sigurisht, pavarësisht mungesës së përfitimeve për Hungarinë, Trump mund të ofrojë ende mbështetje personale për Orbánin. NSS-ja e re e përfshin Hungarinë ndër vendet që lëvizja MAGA shpreson t’i shkëpusë nga BE-ja, duke nënkuptuar se mund të ketë jo vetëm ndërhyrje ruse, por edhe amerikane në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, çdo mbështetje nga Trump nuk ka gjasa të vijë pa kushte. Orbán ka premtuar tashmë të blejë energji amerikane, përfshirë reaktorë bërthamorë modularë të vegjël me vlerë deri në 20 miliardë dollarë.

Për momentin, Magyar dhe partia e tij ndodhen në pozicionin kryesor, të nxitur nga një përzierje e fortë zemërimi dhe shprese. Por njerëzit e fortë nuk ndalen para asgjëje për të mbajtur pushtetin, dhe Orbán me siguri ka ende truke të tjera në mëngë. Nga loja me idenë e “rokadës” – vendosja e një kreu shteti kukull, siç bëri Vladimir Putin kur vendosi Dmitri Medvedevin në Kremlin për një mandat në vitin 2008 – deri te “përmbytja e hapësirës” me dezinformim të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, Orbán ka shumë mjete për ta mbajtur fushën e lojës të anuar në favorin e tij. Cilido qoftë rezultati, zgjedhjet në Hungari do të ndiqen me vëmendje të madhe. Nëse Magyar fiton, mënyra e tij e veprimit mund të shërbejë si model për të tjerët./Project Syndicate