Të dielën e 12 Prillit, e gjithë bota mësoi për fitoren e Partisë Respekt e Liri, njohur si Tisza, në Hungari. Kjo parti e qendrës së djathtë, themeluar në vitin 2020, arriti të gjunjëzojë Fidesz (Aleanca e Demokratëve të Rinj), drejtuar nga Viktor Orban, e cila mbante pushtetin prej 16 vitesh. Rezultati i thellë i Tisza, me më shumë se 74%, përkthyer në 138 vende kundrejt 55 të Fidesz, në parlamentin hungarez, shënoi një rotacion domethënës, për të cilin, është e pamundur të qëndrosh indiferent. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet në të cilën morën pjesë 80% të votuesve, kanë qenë të lira, por jo të ndershme, pasi janë vërejtur manipulime dhe mediat kombëtare kanë punuar dukshëm pro-qeverisë së Orban.

Viktor Orban, kryeministri hungarez që prej 2010, e quante veten joliberal, konservator, sovranist, anti-Europian, anti-globalist, pro-Rus, pro-amerikan. Analistët ndërkombëtarë mendonin se ai kishte krijuar një rregjim quasi-autoritar i tipit elektoral, me rrënjë të thella, e si rrjedhojë dështimi i tij në kërkim të mandatit të pestë, do ishte pothuajse i pamundur.

Gjatë drejtimit të tij politik, sidomos në vitet e fundit të pushtetit, Orban, duke pasur përparësi me një mazhorancë të fortë, me mbi 2/3 e vendeve në parlament, bëri reforma në kushtetutë. Ai ndryshoi strukturën e gjykatave dhe sistemin zgjedhor, ndërtoi një sistem patronazhist, të quajtur NER, i cili mundësoi pasurimin e besnikëve të tij, ndërkohë që vendi renditej si nga më të korruptuarit në Europë nga Transparency International (raporti i 2025).

Orban, vetë deklarohej sovranist, sepse edhe ai në karrierën e hershme politike, kishte qenë kundër ndërhyrjes së Rusisë në punët e tranzicionit Hungarez, por nga ana tjetër, ka dhënë mbështetje për Putin, ka mbajtur qëndrime kundër embarkos ndaj Rusisë madje, sipas burimeve zyrtare të Brukselit, akuzohet se ka transmetuar informacione të rëndësishme nga BE. Për më tepër, ai votoi kundër ndihmave të BE-së në Ukrainë, duke rrezikuar sovranitetin e Ukrainës. 

Gjithashtu, organizatat ndërkombëtare shpesh kanë bërë akuza ndaj Orban për cënimin kundrejt parimit demokratik të sundimit e ligjit. Për herë të parë, një vend i BE-së klasifikohet si vend “pjesërisht i lirë” nga Freedom House në vitin 2019, e ky vend është Hungaria.  Me ligje të porositura enkas u sulmuan mediat e lira dhe bota akademike. Në vitin 2011 Orban krijoi një Këshill Mediash të kontrolluar nga Fidesz, që  vendoste gjoba për “raportim të pabalancuar”. Nga ana tjetër, qeveria e tij shpërndante subvencione dhe kontrata për reklamim, në mediat pro-regjim, duke arritur të kontrollojë 85% të tregut mediatik. Ai ishte shprehuar hapur kundër pakicave, komunitetit LGBTQ+ dhe barazisë gjinore. Në fakt e gjithë fushata e Orban u mbështet në rrezikun që i vinte Hungarisë nga influenca e Soros, nga një përfshirje e mundshme në luftë, dhe nga Bashkimi Europian, të cilin e quante një organizatë burokratike.

Përballë Orban, shfaqej Peter Magyar, gjithashtu i djathtë, 47 vjeç, mbështetës dhe bashkëpunëtor i Orban prej 20 vitesh dhe anëtar i Fidesz deri në vitin 2024, kur ai vendosi të bashkohej me Partinë Tisza. Peter Magyar është me profesion jurist dhe vjen nga një familje borgjeze hungareze. Ai gjithashtu në adoleshencë, mbante në dhomë e tij posterin e Viktor Orban, gjatë kohës që ky i fundit ushqente bindje anti-komuniste liberale dhe shprehej kundër trupave ruse në Hungari. Për shumë kohë, deri në vitin 2018, Magyar shërbeu në misionin diplomatik hungarez në Bruksel, ndërsa bashkëshortja e tij shërbente si Ministre e Drejtësisë në kabinetin e Orban.

Rebelizmi i Magyar kundër Orbanit shpërtheu në mënyrë të pakthyeshme kur ish presidentja e Hungarisë Katalin Novak, gjithashtu pjesë e Partisë Fidesz, lejoi amnistinë për një person që kishte kontribuar në mbulimin e skandalit me përmbajtje abuzime fëmijësh në një jetimore. Magyar doli para mediave i revoltuar, duke u shprehur se familja ishte e shenjtë për konservatorët dhe kjo nuk mund të tolerohej. Ai akuzoi hapur Orban për korrupsion dhe se gjysma e vendit zotërohej nga disa familje.

Fillimisht Magyar u angazhua në zgjedhjet europarlamentare të 2024, ku Partia Tisza fitoi 30% të votave. Në dy vitet në vijim (2024-2026) ai ndërmori një fushatë intensive në gjithë territorin e Hungarisë. Me sloganin “O tani, o kurrë”, huazuar nga një poet patriot hungarez i shekullit XIX, ai i ra Hungarisë kryq e tërthor, duke akuzuar haptazi Orban për shpërdorim fondesh, pasurim të besnikëve të tij, cënim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, etj. Raportimet e fundit në media tregojnë se ai bënte rreth shtatë fjalime në ditë, duke vizituar edhe zonat më periferike, sidomos zonat e njohura si pro-Orban, e duke ndaluar pas çdo takimi, për të folur drejt për drejt me qytetarët.

E gjithë fushata e Magyar u mbështet në çështjet e brendshme: korrupsioni galopant, cënimi i pavarësisë së pushtetit gjyqsor, ekonomia në stanjacion dhe sistemi shëndetësor i dobët. Pa hequr dorë nga ideologjia e djathtë, Magyar shprehet se ligji i abortit, do të qëndrojë ai që është, megjithëse me diferenca thelbësore me ligjin europian dhe gjithashtu, nuk do të ketë mbështetje për integrimin e shpejtë të Ukrainës në BE. Megjithatë, Magyar premton se Hungaria do të jetë mbështetëse e fortë e BE-së dhe NATO-s.

Nga sondazhet e kryera deri më tani, kryesisht qytetarët mendojnë se Magyar nuk është një personazh i besueshëm në mënyrë absolute, por në Hungari kishte ardhur një pikë ku rotacioni ishte i domosdoshëm dhe njerëzit kishin nevojë të besonin në të ardhmen.