“Së pari, nuk duhet ta nënvlerësojmë faktin se ky është një moment unik ku një president amerikan, një president rus dhe një president kinez, janë të vendosur kundër evropianëve. Nëse nuk besojmë tek vetja, nuk kemi shanse”
Ky ishte mesazhi i presidentit francez Emmanuel Macron, i cili gjatë një fundjavës në Greqi paralajmëroi një moment të pazakontë në skenën globale, përplasjen e interesave mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës nga njëra anë, dhe Europës nga ana tjetër.
Deklarata e tij u bë tema kryesore e diskutimit në emisionin “Bota Report” në “Report TV”, ku u analizua drejtimi që mund të marrë Europa në vitet e ardhshme: brenda boshtit euroatlantik apo në një kurs më të pavarur nga SHBA.
Për ish-deputetin Ralf Gjoni deklarata e Macron nuk është befasuese.
“Fatkeqësisht, është në vazhdën e një seriali me disa puntata të përkeqësimit të marrëdhënieve transatlantike. Makron nuk po thotë që Amerika është kundër Europës, por po thotë që është një president amerikan. Pastaj këtë e thotë edhe vetë Administrata Trump. Dokumenti strategjik i politikës së jashtme amerikane e thoshte qartë se shumë zhvillime politike dhe sociale në Europë përbëjnë kërcënim për SHBA-të. Pra me fjalët e amerikanëve, Europa paraqitet si një entitet problematik për Ameirkën dhe ajo dëshiron të jetë më pragmatike në marrëdhëniet e saj. Është një deklaratë e guximshme nga Macron sepse Franca është vendi kryesor themelues i BE-së, është fuqia e vetme bërthamore e BE-së. Këtu po flet Franca dhe jo Macroni dhe Franca është fuqia bërthamore e BE-së dhe një nga motorrët e BE-së. Është një deklaratë e koordinuar dhe e mirë konsultuar me liderë të tjerë europianë. Kur flet Macron ai është një nga zëdhënësit më të fortë të BE-së” tha Gjoni.
Megjithatë, Gjoni nënvizoi se raporti me SHBA nuk pritet të prishet, por të rishikohet në bazë interesash.
“Epoka e Trump do të vijë drejt fndit dhe NATO është një aleancë shumë më e madhe se Trump apo Macron. Ata janë liderë episodikë. Ajo që ka rëndësi dhe që unë lexoj në të gjitha deklaratat evropiane është që Europa nuk mundet të ketë më besim 100% në mbështetjen e palëkundur amerikane. Mbështetja amerikane është sipas interesave dhe nuk mund të merret si e mirëqenë. Macron është specie në ikje. Nuk janë deklarata për efekt elektoral por për trashëgimin e tij personale si një president që nuk ishte bufon por tha disa gjëra që dolën të vërteta” tha Gjoni.
Sipas ish-deputetit, me zhvillimet e fundit gjeopolitike, dhe veçanërisht luftën në Iran, Europa po përballet ne nevojën për të rishikuar rolin e saj , sepse balancat globale po ndryshojnë dhe aleancat tradicionale nuk duken më aq të sigurta sa dikur.
Komente









