A po i vjen fundi një aventure të dobishme për Haradinajn?

A po i vjen fundi një aventure të dobishme për Haradinajn?

Pa marrë parasysh a arrin opozita ta rrëzojë apo jo qeverinë, për Ramush Haradinajn pothuaj dy vjet në pushtet qenë papritur të dobishme. Futi në punë ca militantë dhe pas aplikimit të tarifës kundër prodhimeve serbe mbështetja për partinë e tij është rritur.

Tani ai mund t’i bëjë një shërbim të mirë Kosovës nëse i jep fund bashkëpunimit me PDK-në, e cila nuk ka më asnjë ideal për këtë vend. Qëndrimi i saj në pushtet është vetëm qëllim në vetvete.

Për kryeministrin Ramush Haradinaj pothuaj dy vjet në pushtet qenë të dobishme në shumë aspekte. Futi në punë ca militantë dhe pas aplikimit të tarifës kundër prodhimeve serbe mbështetja për partinë e tij është rritur. Këtë e tregojnë edhe anketat. Tingëllon paradoksale, por rrugën drejt këtij suksesi Ramush Haradinajt ia hapi strategu i madh politik Kadri Veseli.

I mitizuar nga mediat e tij si supermen i botës sekrete, i cili sapo të kyçet edhe zyrtarisht në politikë do të bëjë mrekulli, Veseli me lehtësi u bë shef i PDK-së, pastaj ia vuri syrin postit të kryeministrit. Për këtë duhej rrëzuar qeverinë. Kjo u bë. Isa Mustafa si shumë të tjerë në LDK u hodh si leckë nga PDK-ja. E kishte kryer punën Mustafa duke e bërë Hashim Thaçin president.

Por në politikë gjërat nuk ecin si në botën e çudirave sekrete të Kadri Veselit. Para zgjedhjeve të fundit parlamentare (qershor 2017) atë e kapi paniku se PDK do të fundoset. Vetëvendosje gëzonte përkrahje të madhe, LDK po ashtu. I frikësuar deri në palcë, Veseli hoqi dorë nga ambicia për kryeministër dhe e pranoi si kandidat Ramush Haradinajn. Kështu «koalicioni i komandantëve» dhe shumë partive të vogla doli i pari. Haradinaj hyri në zyrën që e ëndërronte përherë. U bë kryeministër.

Duke qenë gjatë në opozitë Haradinaj ishte lodhur, ishin lodhur edhe «mashqit» e tij. Andaj sapo mori postin bëri atë që PDK e bën qe dy dekada: nisi të punësojë militantë partiakë kudo ku është e mundshme në institucionet publike. As LDK nuk ka qenë shumë më ndryshe. Bordet e ndërmarrjeve publike, për shembull, PDK dhe LDK i kanë ndarë siç ndahet një biftek i skarës.

Cilësia e qeverisjes nuk është përmirësuar nën Ramush Haradinajn. Janë së paku 100 skandale dhe vendime të paligjshme apo të dyshimta që ka marrë ky kabinet. Mbi 20 ministra dhe mbi 80 zëvendësministra janë ilustrim i një mentaliteti grabitës. Qeveria nuk punon si trupë e përbashkët. Haradinaj thotë se është kundër heqjes së tarifave ndëshkuese ndaj Serbisë, ministrat e PDK-së një kohë të gjatë u angazhuan për pezullimin e tarifës, ndërsa një ministër nga një parti minore propozon që veriu i Kosovës të shpallet zonë e lirë ekonomike dhe kjo zonë të administrohet nga një zyrtar i huaj. A është ky qëndrim i qeverisë? Jo. Por Haradinaj është aq i pafuqishëm, saqë nuk mund t’i kontrollojë as ministrat e tij. Një kabinet qeveritar duhet të ketë program dhe të punojë për realizimin e atij programi. Në qeverinë Haradinaj secila parti ka agjendën e vet, që shpeshherë nuk përputhet me kërkesat e shoqërisë së gjerë.

Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri tjetër me legjitimitet më të gjerë politik. PDK është në rënie të lirë për shkak të lidershipit të dobët të Veselit, për shkak se shumë skandale të dy dekadave të fundit lidhen me emra prominentë të PDK-së, për shkak se PDK nuk funksionin si parti, por si taraf që ndjek interesat e një grupi të ngushtë të njerëzve. Pas skandalit të fundit me një deputete që terrorizoi opinionin me fotografi të rrejshme mbi dhunimet në Kosovë, të gjitha figurat udhëheqëse të PDK-së i futën veshët në lesh. Askush nuk guxon të kundërshtojë hapur kryetarin e partisë. Askush nuk kërkon dorëheqjen e deputetes si akt të marrjes së përgjegjësisë për një veprim edhe moralisht të kalbur.

Ramush Haradinaj tani mund t’i bëjë një shërbim të mirë Kosovës nëse i jep fund bashkëpunimit me PDK-në, e cila nuk ka më asnjë ideal për këtë vend. Qëndrimi i saj në pushtet është vetëm qëllim në vetvete. Nëse liderët e saj nuk e dinë se ku do ta presin ditët e nesërme – në selinë e Eulexit apo në Hagë – si mund të drejtojnë këta njerëz punët e Kosovës? Një qeveri me legjitimitet më të gjerë, e cila përfaqëson edhe me vota shumicën shqiptare, mund të jetë më kredibile edhe në negociatat me Serbinë, të cilat herët apo vonë do të fillojnë. Shpeshherë viteve të fundit ka ndodhur që Kosova të hyjë në negociata me Serbinë e papërgatitur, me qeveri që nuk ishin të gatshme të marrin përgjegjësinë dhe ia linin terrenin zbrazët kryetarit të tanishëm të Kosovës, i cili, siç po thonë zërat kritikë në PDK, «për të shpëtuar veten s’e ka problem ta falë gjysmën e Kosovës». Kosovës i duhen urgjentisht politikanë që nuk kanë problem me ligjin dhe nuk i rri mbi kokë si re e zezë e kaluara e tyre.(DP)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë