Në teatrin kompleks të politikës shqiptare, ku aleancat ndërtohen mbi interesa klanore, lidhje gjaku dhe mbrohen me fuqi numrash, rasti i Elisa Spiropalit po shndërrohet në një prej dëshmive më interesante dhe melankolike të "vetmisë" së pushtetit. E njohur për rritjen e saj meteorike, artikulimin e mprehtë që shpesh kufizohet me agresivitetin retorik dhe një lidhje pothuajse simbiotike me liderin Edi Rama, Spiropali sot duket se po lufton me mullinjtë e erës. Është një betejë ku rreziku nuk vjen nga mungesa e inteligjencës apo paaftësia për të komunikuar, por nga një deficit strukturor që në politikën shqiptare është shpesh fatal: mungesa e një baze organike mbështetëse brenda vetë godinës rozë. Situata e saj politike është komplikuar ndjeshëm dhe balanca e forcave brenda selisë rozë nuk po rrjedh më në favor të saj. Rrugëtimi i Spiropalit, që nga ditët e lëvizjes civile "Mjaft" e deri në majat më të larta të ekzekutivit dhe legjislativit, ka qenë një ushtrim i pastër i asaj që mund ta quajmë "besim vertikal". Në një parti si PS, e cila pavarësisht modernizimit të fasadës, mbetet një strukturë me hierarki të forta, Spiropali ishte një "e huaj". Pa një trashëgimi dinastike dhe pa një bazë elektorale që e kontrollon si feud, ajo bëri një zgjedhje racionale por të rrezikshme: investoi gjithçka te figura e Kryetarit.

Publiku nuk mund të harrojë citimet që shënjuan këtë rrugëtim, të cilat sot tingëllojnë si një jehonë e largët e një epoke që po perëndon. Në vitin 2019, me një zell që la pa fjalë edhe veteranët e partisë, ajo deklaronte: "Edi Rama nuk është thjesht lideri ynë, por është Skënderbeu i kohëve tona". Pak më vonë, ajo do ta mbyllte çdo diskutim mbi opozitën duke e cilësuar liderin e saj si "shansin e vetëm që ka ky vend për t'u bërë shtet". Këto deklarata, që shpesh u konsideruan si forma të pastra servilizmi, ishin në fakt një mekanizëm mbrojtës. Spiropali e kuptoi herët se në mungesë të "ushtarëve" në bazë, e vetmja mburojë ishte "vula" e liderit. Ajo u bë zëdhënësja, mburoja dhe nganjëherë shpata e Ramës në Parlament, duke besuar se kjo besnikëri absolute do ta bënte të paprekshme. Megjithatë, kjo "zgjedhje inteligjente" e fillimit sot po rezulton të jetë thembra e saj e Akilit. Gjatë karrierës së saj, Spiropali ka mbajtur poste që do t’i kishin lënë zili kujtdo: Ministre e Shtetit, drejtuese e rëndësishme fushate dhe së fundmi Kryetare e Kuvendit. Por, për dallim nga figura si Erion Veliaj apo eksponentë të tjerë që kanë krijuar rrjetet e tyre të influencës përmes emërimeve, fondeve dhe strukturave paralele, Spiropali mbeti një "administratore" e besuar, por jo një "lidere" klanore.

Ajo do të duhej të kishte shfrytëzuar peshën e dikastereve për të afruar profesionistë të zotë, për të krijuar një bërthamë intelektuale dhe politike që do t’i bënte ballë stuhive. Pse nuk e bëri? Ka dy shpjegime të mundshme. E para, ajo mund të mos ketë pasur kurrë forcë reale vendimmarrëse. Postet e saj mund të kenë qenë thjesht "simbolikë e lartë" – një dekor i bukur për një pushtet që vendosej diku tjetër. E dyta, besimi i saj te Rama ishte aq i madh sa e çoi në një lloj arrogance strategjike; ajo mendonte se nuk i duheshin "klanet" për sa kohë kishte bekimin e liderit. Sot, ky ekuilibër po tronditet nga faktorë jashtë kontrollit të saj. Situata juridike rreth Bashkisë së Tiranës ka goditur rëndë atë që njihej si "grupi i Mjaft-it" brenda PS-së. Me dobësimin e Erion Veliajt, i cili shërbente si graviteti kryesor për këtë rrymë, Spiropali është gjetur papritur e zbuluar. Në politikë, sapo peshkaqenët nuhatin gjak, rrethimi fillon. Grupimet e tjera brenda PS-së – ato që përfaqësojnë pragmatizmin e vjetër dhe strukturat e reja të fuqishme që po konsolidohen – e shohin Spiropalin si një relikt të një epoke që Rama po përgatitet ta sakrifikojë.

Dalja e saj e fundit kundër vullnetit të Grupit Parlamentar, debatet e tensionuara në mbledhjet me dyer të mbyllura dhe kundërshtitë që po shfaq, janë shenja jo të një force të re, por të një dëshpërimi politik. Në kodet e pashkruara të socialistëve, të rebelohesh pa pasur një "ushtri" pas vetes është vetëvrasje politike. Nëse bëjmë një krahasim të ftohtë me shumë figura të tjera brenda asaj force politike, Spiropali qëndron padyshim më lart në rrafshin e artikulimit, kulturës dhe personalitetit njerëzor. Ajo zotëron një mprehtësi që shumë kolegë të saj nuk do ta kenë kurrë. Por në realpolitikën shqiptare, ku votat e delegatëve dhe besnikëria e kryetarëve të degëve peshojnë më shumë se sa një fjalim brilant në podium, inteligjenca pa bazament mbetet e pafuqishme. Spiropali duket se po mbytet në detin që vetë ndihmoi të krijohej – një det ku besnikëria është monedhë që zhvlerësohet sapo lideri vendos të ndryshojë kurs. Gjasat janë që ajo të mos ketë më mundësi për t'u rikthyer në piedestalin e dikurshme. Ajo po e mbyll ciklin e saj si "zëdhënësja e madhe", duke provuar se mund të bëhesh gjithçka duke i shërbyer Njërit, por mbetesh asgjë kur Ai vendos se nuk i duhesh më. Sot, Elisa Spiropali nuk po lufton thjesht për pozita, por për identitetin e saj politik në një ambient që po e vjell si një trup të huaj. Koha kur citimet e saj për "Skënderbeun" mbushnin sallat si mburojë, po i lihet vendit një realiteti të ftohtë, ku vetmia nuk është më një zgjedhje elitare, por një dënim politik.