Të jesh i djathtë nuk është thjesht një rreshtim politik; është një projektim i formësimit individual, i lidhur ngushtë me të kaluarën, familjen dhe mbi të gjitha me vlerat dhe parimet që mbart. 

Ky formësim më shtyu që, vite më parë, të bëhesha pjesë e Partisë Demokratike, me dëshirën dhe qëllimin e qartë për të dhënë kontributin tim që kjo forcë të ishte një shtëpi autentike e të djathtës shqiptare—me histori të djathtë, filozofi të djathtë dhe me një program që përfaqëson vërtet atë pjesë të shoqërisë që i ka rezistuar diktatit. 

Pas një rrugëtimi me angazhime dhe kontribute të shumta nën lidershipin e Lulzim Bashës, arrita të isha pjesë e PD-së dhe e forumeve të saj drejtuese. Por, siç dihet botërisht, Partia Demokratike hyri në një krizë të thellë ekzistenciale për shkak të krizës së saj të brendshme, arsyet dhe shkaqet e së cilës janë konsumuar aq gjatë sa nuk ka më vlerë t'i përsëris këtu. Ajo që vlen të analizohet është qëndrimi ynë përballë kësaj thyerjeje të madhe. 

Me rikthimin e Sali Berishës, vendosa të largohem vetë, në mënyrë të parevokueshme, nga çdo lloj angazhimi në PD, sepse nuk mund të pranoj kurrsesi idenë dhe mentalitetin se pas më shumë se tri dekadash tranzicion, askush tjetër përveç tij nuk mund ta ngrinte apo ta përfaqësonte këtë parti. Askush nuk ia mohon dot kontributin historik Sali Berishës në të kaluarën, por unë refuzoj të besoj se ai mbetet e vetmja alternativë e një brezi të tërë, pasi e ka dominuar skenën politike për më shumë se 30 vjet. 

Mbështetja ime për Bashën në atë kohë lidhej pikërisht me këtë ndryshim epokal, duke e lidhur atë me brezin dhe mendësinë e re, e duke shpresuar se ai do të ishte në lartësinë e një lideri të tipit perëndimor. Ne humbëm një betejë brenda një kohe të limituar, por unë nuk kam humbur asgjë nga qëndrimet e mia koherente, duke mos pranuar asnjë angazhim tjetër politik që nga dita kur hoqa dorë nga PD-ja. Sot, ndjehem krenar me veten dhe i ndershëm me të tjerët demokratë për qëndrimet dhe zgjedhjet e mia. 

Politika nuk është vetëm ofiqe dhe angazhim; shpesh qëndrimet apo koherenca janë virtytet më të larta që vlerësohen me kohën dhe caktojnë të drejtën nga e gabuara, të ligën nga e mira. Koha po më jep të drejtë për çdo qëndrim tim parimor, të zhveshur plotësisht nga interesat personale. 

Qëndrimet e mia nuk kanë pasur kurrë qëllim pushtetin apo privilegjet, sepse po të ishte ashtu, rrugët pragmatike ishin të hapura: mund të bëhesha me Berishën për oportunizëm, siç bënë disa, ose mund të kisha shkuar me Edi Ramën për përfitime, siç bëri shumica. 

Unë nuk mund të bëja asnjërën e as tjetrën, sepse secila prej këtyre rrugëve do të nënkuptonte tradhti ndaj mendimeve të mia të lira dhe parimeve të padiktuara nga interesat e çastit. Shpresa është e fundit që vdes, edhe në qëndrimet politike. Koha gjithmonë i qartëson vendimet dhe po ashtu koha do të caktojë të ardhmen e secilit prej nesh, si dhe të vetë PD-së. Sot, në realitetin e të djathtës dhe të PD-së, ka fituar ajo që në fakt është pakicë, duke përdorur si armë diktatin e imponimit politik.

Gëzimi i tyre i sotëm është thjesht versioni i përkohshëm i një dominimi artificial, por e nesërmja do t'i lërë ata të braktisur në fatin e tyre.  Demokratët e thjeshtë nuk meritojnë të paguajnë këtë faturë të gjatë dhe të dhimbshme opozitarizmi, vetëm sepse për disa individë pushteti është kthyer në një ves kronik. 

E nesërmja, megjithatë, do të ketë hapësirë dhe mundësi të reja për të gjithë ata që duan një PD vërtet të djathtë dhe një alternativë dinjitoze, europiane në Shqipëri.