Reportazh nga gazetari i A1 Report, Arbër Hitaj
Komuna e Novoselës në Vlorë dhe e Levanit në Fier, po përballen me një nga përmbytjet më të rënda që kjo zonë ka njohur në historinë e saj. Ndalesa jonë e parë në këto zona të prekura nga përmbytjet ishte komuna e Novoselës. Kudo shikon ujë, fusha të mbuluar nga uji dhe rrugë që mezi kalohen, është panorama e kësaj zone.
FOTO
Banorët të trembur nga forca e natyrës kanë marrë bagëtinë që në këto zona është gjëja më e shtrenjtë për ekonominë dhe e gdhinë mbi disa kodrina, që edhe pse pak metra mbi nivelin e detit janë një mburojë natyrore nga vërshimet.
Futemi në Novoselë, kudo ka policë që merren me mbarëvajtjen e lëvizjeve. Kamionët e ushtrisë venë e vijnë duke sjellë ushqime dhe duke ju qëndruar pranë banorëve. Por ata janë edhe e vetmja mundësi qarkullimi për banorët e izoluar. Uji siç duket qartë ka arritur në disa pjesë mbi një metër.
Banorët shprehen se fatmirësisht nuk patën probleme me jetët e tyre, por janë të shqetësuar për bagëtitë, pasuria e tyre më e madhe. Më të vjetrit kujtojnë se përmbytje kjo zone ka pasur edhe në 1970 dhe në 2005, por asnjëherë në këto përmasa. Shumë prej tyre bëjnë edhe përgjegjëse firmën që ndërtoi autostradën jashtë standardeve.
FOTO
Dashamirësia e tyre për të na falënderuar është e madhe, madje edhe kurioziteti për situatën ne qytete të tjera është i madh. Pasi u them se situata nuk është aq problematike sa këtu, ata qetësohen. Vizita e kryeministrit në Shtabin e Emergjencës ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe gazetarëve lokalë që mblidhen duke kaluar edhe vështirësitë e krijuara nga moti.
Një lajm i alarmon të gjithë, se një punonjës hidrovori ka humbur jetën. Por ankthi shoqërohet nga një lehtësim kur mësojmë se është evakuuar shëndoshë e mirë nga forcat e emergjencave civile në bashkëpunim me policinë, që u ka qëndruar vazhdimisht pranë banorëve.
Më tej shpërngulemi pak kilometra më tej në komunën e Levanit. Një numër i madh banorësh janë mbledhur për të pritur kryeministrin Edi Rama që shoqërohet nga ministri Saimir Tahiri. Të pranishëm banorë të zonës e pothuajse gjithë deputetët e Partisë Socialiste dhe të LSI.
Kryeministri së bashku me ministrin Tahiri takojnë gjithë efektivët e policisë të e emergjencave civile dhe të ushtrisë. Më pas kryeministri shikon nga afër dëmet dhe jep sinjalin e shpresës se do kompensohen dëmet. Drejtori i policisë Artan Didi në një intervistë për A1Report thotë se janë marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar jetën e qytetarëve, por edhe për të mbrojtur pronën e tyre ndaj çdo tentativë vjedhjeje.
“Unë ju falënderoj juve që ashtu si dhe punonjësit e policisë po edhe punonjësit e tjerë të emergjencave gjendeni në vendet ku gjithmonë ka shqetësime dhe ka probleme për të evidentuar dhe problemet por edhe punën tonë, punën e policisë po edhe të strukturave të tjera. Ne pothuajse u bë dita e tretë kjo që jemi në gatishmëri që parmbrëmë në darkë kemi marrë masa që të ngremë në gatishmëri forcat e ndërhyrjes së shpejtë që janë forcat më aktive në situata të tilla në situata të veprimeve në rast fatkeqësish sidomos të fatkeqësive natyrore. Dje që në mëngjes janë ngritur grupet e punë dhe shtabet. Përveç gatishmërisë për t’ju përgjigjur një situate tjetër të fatkeqësisë ne jemi në gatishmëri dhe për të ruajtur pasuritë që janë braktisur ose janë lënë për shkak të evakuimit të bërë nga banorët”, tha Didi.
Ndërsa drejtori i emergjencave Civile Shemsi Prençi, na njeh me të dhënat më të fundit të operacionit, që kryesoren ka jetën e banorëve të zonave dhe shpëtimin e gjësë së gjallë, pa harruar dhe furnizimin me ushqime e ujë të pijshëm.
“Pjesa më shqetësuese në 5 fshatra të komunës Levan dhe 5 fshatra të komunës Novoselë, të gjitha përgjatë shtratit të lumit Vjosa deri në Darzezë tek sistemi i pompave. Tashmë sipërfaqja e pushtuar me ujë është shtrirë edhe më gjerë sepse uji është shpërndarë në gjithë pjesën e nën Fierit duke filluar nga aksi rrugës nacionale Levan - Novoselë dhe deri në bregdet, sepse ka qenë fenomeni natyrës, ka qenë intensitet i lartë i reshjeve të shiut në Gjirokastër, Tepelenë dhe Fier me rreth 200 mm shi sipas raportimeve të shërbimit meteorologjik shqiptar që e ka konfirmuar orë pas ore dhe ishin marrë masa paraprake që rreth datës 28 që pritej se do ndodhte kjo situatë. Normalisht duke u monitoruar janë ngritur shtabet e emergjencave dhe kanë mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm dhe me veprime operacionale në gjithë zonën”, tha Prençi.
Më pas futemi në shtëpitë ë banorë më të prekur nga vërshimi i papritur i ujit. Fshati Ferras në Levan është ndër më të goditurit në zonën e Fierit, dhe ndodhet pikërisht në kufi me komunën tjetër më të prekur, Novoselën. Futemi në shtëpinë e zotit Gjergji që ka ardhur nga Tropoja 20 vite më parë. Pothuajse me lot në sy ai na tregon momentet e ankthit kur uji i shkatërroi kosheret e bletëve dhe një pjesë te mire të orendive që i kishte blerë me mund e sakrificë shumëvjeçare. Bagëtitë mundi ti shpëtojë duke u ngjitur në katin e dytë të shtëpisë.
Errësira në këtë zonë ka pllakosur gjithandej, mungesa e dritës e bën edhe më të rëndë atmosferën. Kur më thotë se uji ishte mbi 1 metër, nuk e besoj, por kur futem në shtëpi shikoj pamje qe më kujtuan përmbytjet në Shkodër. Gjithçka e shkatërruar dhe baltë ngado, elektroshtëpiake dhe mobiliet e reja të blera me aq mund nuk janë më. Ata dëshmojnë, se uji erdhi aq i rrëmbyer sa nuk ju la fare mundësi të shpëtojnë gjë. Por nuk mungojne as kritikat ndaj autoriteteve.
Tërheqja e ujit nga shtëpitë ka lënë pas vetëm baltë, ndërsa dëmet te gjëja e gjallë janë të konsiderueshme. Pula, lopë dhe gjithë derrat që Gjergji na thotë se kishte kohë që po i mbarështonte, kanë ngordhur. Në pamundësi per tu futur ne stalla per shkak te thellesive se ujit, Gjergji na ndihmoi duke u futur vete ne stalle dhe duke filmuar kafshet e ngordhura me celulare. Shpresa e tyre e vetme tashmë mbetet ndërhyrja e shtetit. Por pavarësisht fatkeqësisë natyrore që i ka pllakosur, këta banorë nuk e humbasin asnjëherë buzëqeshjen dhe optimizmin, e rëndësishme thonë ata është që nuk pati humbje në njerëz.
FOTO
Redaksia Online
(Gre.M/Shqitparja.com)