Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë për të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në reagimin e saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cilëson këtë kërkesë si të drejtë dhe legjitime, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është i garantuar si me Kushtetutë ashtu edhe me ligj, por sipas studentëve ende nuk po zbatohet në praktikë.
AAK thekson se kjo situatë ngre shqetësime serioze për respektimin e të drejtave dhe për barazinë reale të shqiptarëve në sistemin arsimor.
Partia i bën thirrje institucioneve përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut që të veprojnë pa vonesë dhe të garantojnë zbatimin e të drejtave të parashikuara me ligj, duke respektuar parimin e barazisë dhe standardet kushtetuese.










