Edhe pse në kohë pandemie në Malin e Tomorrit vijon rituali i festës së bektashinjve. Mijëra Pelegrinë kanë zgjedhur të ngjiten në majën më të lartë për të adhuruar Abaz Aliun dhe për t’u lutur.

Rituali i bektashinjve në malin e Tomorrit ndodh çdo vit nga data 18 deri në 25 gusht, duke u shndërruar në ritualin shpirtëror për çdo pelegrin, që as edhe këtë vit nuk i kanë marrë parasysh kushtëzimet prej koronavirusit.

“Vijmë në mal për të adhuruar shenjtin Abaz Ali dhe për t’u lutur për paqe e mirësi në familjet tona. Zoti i shikon dhe i ruan pelegrinët nga e keqja,”-shprehen besimtarët.

Ndërkohë Baba Mondi, kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, nga Teqeja e Kulmakut ka deklaruar se nuk e priste të kishte një fluks kaq të madh pelegrinësh në një kohë të tillë me pandemi.

“Nuk i ndalojmë dot pelegrinët të vijnë në këtë mal të shenjtë dhe të adhurojnë zotin e tyre. Ne si Kryegjyshatë Botërore e Bektashinjve kemi marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e festimeve në mal, kemi kryer dezinfektimin e të gjithë zonës, kemi rregulluar rrugën drejt malit, kemi siguruar ujin dhe dritat,ndërkohë që në bashkëpunim edhe me bashkitë Skrapar, Berat e Poliçan kemi siguruar praninë e mjekëve dhe ambulancave për tu ardhur në ndihmë çdo pelegrini që mund të ketë probleme shëndetësore,”- ka thënë Baba Mondi.

Tradita thotë se pelegrinët duhet të ngjiten deri në pikën më të lartë të malit të Tomorrit, aty ku ndodhet në një teqe e vogël në të cilën prehet shenjti Abaz Ali, vëllai i gjetur i profetit Muhamet. Gjithsesi asgjë nuk përfundon këtu sepse kjo mund të konsiderohet vetëm fillimit.

Me të përfunduar lutjen besimtarët ngrejnë çadrat dhe më pas ndezin qirinjtë në vendet e shenjta, dhurojnë para dhe bëjnë kurban një deleje apo qengj.

Policia ndërohë për mbarëvajtjen e Peligrinazhit të shenjtë në Malin e Tomorrit si dhe për të siguruar respektimin e protokolleve të sigurisë për shkak të Covid-19, ka hartuar që prej datës 18 gusht një plan të detajuar masash, duke shtuar kontrollet dhe efektivët e policisë rrugore përgjatë të dyja akseve që të çojnë drejt Teqesë së Kulmakut në Malin e Tomorrit.