Videot intime të Mirjana Pajkoviçit ish-drejtoreshë në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut në Mal të Zi, vazhdojnë të bëjnë jehonë dhe të komentohen në vendin fqinj pavarësisht se kanë kaluar pak muaj nga publikimi i tyre.

Pajkoviç u bë virale fillimisht 2 muaj më parë pas publikimit të videove eksplicite në platforma për të rritur, ndërsa më pas mediat lokale raportuan edhe për lidhjen e saj me Dejan Vukshiq, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Malit të Zi dhe këshilltar i presidentit Jakov Milatoviq.

Për shkak se në opinion nisi të përflitej se në materiale të tjera komprometuese mund të përfshihen edhe figura të njohura politike, pyetjeve mbi këtë çështje, nuk mund tu shpëtonte të mërkurën edhe  ish-kryeministri Dritan Abazoviç.

Gjatë një interviste televizive, Abazoviç u pyet drejtpërdrejt nëse shfaqej edhe ai në ndonjë prej videove.

“Nuk ka asgjë aty. Nuk jam fare aty”, u përgjigj Abazoviç i buzëqeshur.

Moderatori vijoi me pyetje ironike, duke a pyetur “a fle i qetë” për këtë histori, ndërsa Abazoviç solli në kujtesë se prej vitesh i ka mbijetuar shumë tentativave të diskreditimit dhe sulmeve politike.

“Kam kaluar nëpër shumë sita. Për mua ishte avantazh që gjatë gjithë këtyre viteve nuk kam qenë njeri familjar”, deklaroi ai.

Ish-kryeministri la të kuptohet se persona të lidhur me krimin e organizuar kanë tentuar ta komprometojnë përmes skandaleve të tilla.

“E kuptova menjëherë çfarë donin të bënin këta njerëz nga krimi i organizuar”, tha Abazoviç.

Kur moderatori e pyeti nëse dikush kishte tentuar ta lidhte me ndonjë grua për ta dëmtuar politikisht, Abazoviq u përgjigj:

“Kam qenë gjithmonë mbi situatën. Jam shumë, shumë i kënaqur.”

Në fund të intervistës, ai siguroi se është “plotësisht i relaksuar” për gjithçka që po qarkullon në publik.

Pas deklaratave të Abazoviçit reagoi vetë Mirjana Pajkoviç, e cila publikoi një video në TikTok dhe i kërkoi ish-kryeministrit të mos e përmendë më emrin.

“Po mbi çfarë je ti, Dritan? Hajde na trego pak. Mos ma përmend më emrin. Nëse nuk je i sigurt që s’duhet të më përmendësh, pyet Filipin”, tha ajo, duke iu referuar Filip Axhiqit, ish-ministrit të Brendshëm të Malit të Zi.

Më pas ajo përmendi edhe Dejan Vukshiçin, ish-drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANB), të cilin Abazoviç e kishte shkarkuar gjatë kohës sa ishte kryeministër.

“Ose pyet ‘Plakun’ nga ANB-ja, Dejan Vukshiçin, që e shkarkove, por më pas përfunduat në të njëjtin koalicion politik”, deklaroi Pajkoviq.

Ajo hodhi edhe akuza ndaj njerëzve pranë qeverisë së dikurshme të Abazoviçit, duke pretenduar se komunikime të përgjuara të saj janë dorëzuar në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë dhe në Prokurorinë Speciale të Malit të Zi.

“Ai do ta konfirmojë që mes njerëzve të tu kishte nga ata shumë problematikë, pikërisht gjatë qeverisë tënde. Por ti nuk e kupton këtë, sepse je ‘mbi situatën’”, u shpreh ajo.

Pajkoviç ka insistuar gjithmonë se ky rast nuk është një skandal seksual por një krim kibernetik dhe shkelje e të drejtave kushtetuese.