Kukësi dhe Partizani çelin nesër në orën 13:30 javën e 17-të në Superligën shqiptare të futbollit. Para ndeshjes për mediet foli Arbër Abilaliaj, trajneri i të kuqve.
Ai tha se është momenti për të lënë pas pesë barazimet radhazi dhe se duhen shfrytëzuar rastet e krijuara. Sa i takon Orges Shehit që është një trajner i lirë, vlonjati ka thënë se jo më kot ai u shpall trajneri më i mirë sezonin e shkuar. Me batutë 37-vjeçari shtoi se Partizani ka opsion për stolin edhe Ilir Dajën, meqë dje Ballkani humbi dhe është jashtë Conference League.
"Momenti për të lënë pas barazimet? U përpoqëm dhe javën që kaloi të lëmë pas barazimet. Rikthimet e rëndësishme në mbrojtje na kanë dhënë stabilitetin e humbur. Jam i kënaqur deri diku si u zhvillua ndeshja me volumin e lojës, por po të shfrytëzonim rastet duhet ta kishim fituar ndeshjen. Në çdo ndeshje futemi për ta fituar.
5 barazime radhazi, ndonjë peng? Ndeshja e kaluar sepse ishte e dominuar, s’kishte histori. Me 3 raste, në një na shënuan gol. Kurse Partizani me 12-13 raste arriti vetëm 1 gol. Duhet ta kishim fituar ndeshjen, por jo të gjitha shkojnë mirë. Nëse do them peng, ai është më i madhi. Kjo me Skënderbeun ishte super e dominuar.
Përveç ndeshjes me Skënderbeun dhe Egnatias, që kemi pasur kontigjent të plotë, të tjerat jemi munduar të sajohemi përsa i përket anës difensive. Reparti i mbrojtjes është i cunguar dhe kjo na ka sjellur destabilitet që e kemi shfaqur dhe në fushën e lojës. Në këto 3-4 ndeshje jemi detyruar të kthejmë rezultatin.
Ndeshjen me Kukësin pësuat 3 gola, e vetmja me më shumë se 1 gol.
Ajo ndeshje na prish statistikën, por ishte e çuditshme dhe për zhvillimin e saj. Patjetër qe ka ndikuar dhe zhbllokimi 2-0 që në fillim. Shtuar dhe oshilacionet që kishim me trajnerin Zekic. Golat që janë pësuar kanë qenë për arsye të jo përqëndrimit. 2 golat e fundit, në mos gaboj një ka qenë jashtë loje dhe një prekje me dorë nuk di si ta shpjegoj.
Orges Shehi është trajner i lirë nga dje. Qëndron si alternativë?
Shyqyr që doli i lirë. I uroj suksese. Kam përshtypjen që do ketë interesim në treg duke pasur parasysh që vjet ka dalë trajneri më i mirë në ligën shqiptare. Ne zakonisht i gjëmojmë trajnerët më të mirë, por për momentin jemi fokusuar te 3 ndeshjet e fundit që kanë mbetur dhe pastaj të shikojmë. Mund të gjëmojmë dhe Dajën, meqë humbi. Mund të jetë alternativë", tha mes të tjerash Abilaliaj.
Pas javës së 16-të, Partizani me 31 pikë mban vendin e dytë, teksa Kukësi me 17 pikë pozitën e shtatë.