Abuzime me fondet për 1 Majin
në gjykatë 5 zyrtarët e Kserës

TIRANË - Dërgohen për gjykim pesë zyrtarët e Ministrisë së Punës në kohën kur ky institucion drejtohej nga Spiro Ksera, pasi akuzohen për abuzimin me tenderin për aktivitetet për festën e 1 majit 2010.

Prokuroria e Tiranës, ka dorëzuar sot dosjen në Gjykatën e Tiranës, ndaj Kleves Bitros , Murat Mehmetit, Flora Batushës, Besnik Demës dhe Ilir Ibrahimit

Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, thuhet se: Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë me datë 06 tetor 2011 ka regjistruar procedimin penal nr. 4166 për vepren penale të falsifikimit të dokumenteve, të parashikuar nga neni 186 I Kodit Penal.

Ky procedim penal është regjistruar pas kallezimit të shtetases M. B. Kjo shtetase ka kallezuar funksionare të lartë të MPCSSHB Tiranë për veprime në kundershtim me ligjin gjatë organizimit të aktivitetit “1 Maji, Dita Ndërkombetare e Punetoreve”.
 
DENONCIMET NGA KLSH DHE ANËTARJA E KOMISIONIT
Në dosjen e prokurorisë, thuhet se, kallëzuesja pretendon se është thirrur nga Kleves Bitro (drejtor i kabinetit të MPCSSHB) nga mesi i muajit Maj të vitit 2010 dhe i është kërkuar të nënshkruajë si anëtare e Komisionit për organizimin e aktivitetit. Kallezuesja nuk ka pranuar dhe sipas saj ky ka qene shkaku i largimit nga puna. Në denoncimin e bërë thuhet se, të njëjtin qëndrim e kanë mbajtur gjatë deklarimeve të tyre dhe shtetaset K. M. dhe A.SH.
 
Gjithashtu në prokurori, në datën datën 21 maj 2012 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Tirane është depozituar kallëzimi penal i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në ngarkim të punonjësve të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
 
Në kallëzim thuhet se, “gjatë organizimit të aktivitetit për festën e 1 Majit të vitit 2010 është vepruar në kundërshtim me ligjin dhe në praktikën për organizimin e këtij aktiviteti ka mungesa të shumta për dokumentimin e aktivitetit, duke vlerësuar për një dëm ekonomik për shtetin në vleren 9.237.863 lekësh”.
 
KOMISIONI U NGRIT ME URDHËR TË MINISTRIT KSERA
Pas regjistrimit të padive, Prokuroria e Tiranës në datën 22 maj 2010 ka vendosur bashkimin e procedimeve në një të vetëm. Gjatë hetimeve paraprake, hetuesit kanë zbuluar se, “me urdhërin e datës 26 prill 2010 të Ministrit të MPCSSHB (më poshte Ministri) është urdhëruar ngritja e Komisionit për ndekjen e procedurave dhe hartimin e dokumenteve në marrjen pjesë të ngjarjes, ‘1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtoreve’ më këtë përbërje: Murat Mehmeti, Kryetar i Komisionit, Kleves Bitro, Flora Batusha, Ilir Ibrahimi dhe Besnik Dema anëtarë të Komisionit.
 
Po me urdhër të Ministrit në datën datë 26 prill 2010 është vendosur ngritja e Komisionit për specifikimet teknike të evenimentit ‘1 Maji , Dita Ndërkombëtare e Punëtoreve’ me këtë përberje: Murat Mehmeti, Kryetar, Kleves Bitro, A. L., G. XH., dhe R. J., anëtare të komisionit. Vlera për organizimin e këtij aktiviteti ishte caktuar 19. 800. 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e tëtëqindmijë) lekë”.

KOMISIONI FTESA VETEM TRE SUBJEKTEVE
Gjatë hetimit është zbuluar se, “në datën 26 prill 2010 rezultojnë se janë dërguar ftesa për organizimin e aktivitetit tre subjekteve , “S.... shpk”, “M... shpk”, dhe “U.....”, së bashku me specifikimet teknike për organizimin e aktivitetit. Me datë 29 prill 2010, rezultojnë se janë protokolluar tre ofertat e subjekteve për organizimin e atij aktiviteti. Me shkresën datë 30 maj 2010, Kryetari i Komisionit, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së PCSSHB, Murat Mehmeti, njofton Ministrin duke i dorëzuar raportin e hollësishëm për realizimin e procedurave të organizimit të aktivitetit për ditën e 1 Maji-t”.
 
 “Pas certefikimit të kërkesave, në datën 30 maj 2010 është lidhur kontrata e shërbimit midis MPCSSHB përfaqesuar nga Ministri dhe subjektit “M....” shpk, për organizimin e aktivitetit ‘1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtoreve”, thuhet në dosjen e hetimit të përgatirur nga Prokuroria Tiranës.
 
Në dosjen e prokurorisë thuhet se, “subjekti “M....” shpk , me datë 05 maj 2010 ka lëshuar faturën tatimore të shitjes për bleresin MPCSSHB në shumën 19.800.000 lekë. Me datë 26 maj 2010 nga ana e MPCSSHB është lëshuar urdhëri i shpenzimit për kalimin e kësaj shume në favor të MC shpk”. Në vijim të hetimeve, prokuroria ka kërkuar informacion televizioneve ku sipas ofertës së paraqitur nga subjekti fitues do të transmetohej spoti televiziv për festën e 1 Maji-t.
 
Nga informacionet e 3 televizioneve, rezulton se:
Subjekti “M....” shpk , ka lidhur me televizionin e parë kontratën për transmetim reklame me datë 27 prill 2010 për një afat të transmetimit nga data 27 maj 2010-01 maj 2010 në shumën 256.667 lekë.

Televizioni i dytë me subjektin “M.....” shpk nuk kanë përpiluar një kontrate formale, por sipas dokumentacionit bashkëlidhur rezulton se subjekti ka paguar për transmetimin e spotit shumën prej 1.522.844 lekë dhe spoti për festen e 1 Maji-t është transmetuar në datat 27 prill 2010 deri më 30 prill 2010.

Televizioni i tretë ka informuar se “M....” shpk ka lëshuar faturën tatimore të shitjes datë 04 maj 2010 për transmetimin e spotit për festën e 1 Maji-t për datat 27prill 2010-01 maj 2010 në vlerën 1.382.355 lekë.

Subjekti “P.....” rezulton se ka lidhur kontrate me subjektin “M.....” shpk me date 28 prill 2010, për vendosjen e CTL në datat 28 prill 2010 deri me 04 maj 2010 në vlerën e 8000 eurove me TVSH.
 
KOMPANIA FITUESE ISHTE PARACAKTUAR NGA MINISTRIA
Pas hetimeve të bëra dhe dëshmive të marra, prokuroria ka ngritur edhe akuzat. “Është provuar se nga ana e anëtarëve të Komisioneve të ngitura me urdhër të Ministrit janë konsumuar elementë të veprave penale të falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në dosjen e dorëzuar nga prokuroria në gjykatë.
 
Gjatë hetimit është zbuluar se, fituesi ishte paracaktuar nga Ministria e Punës. “Duke qenë se subjekti “M.....” shpk ka kontraktuar me tre televizionet dhe subjektin “P.....” që në datat 27 prill 2010 dhe 28 prill 2010, konkurrimi rezulton të jetë bërë fiktiv, pasi nga dokumentacioni rezulton se oferta e subjektit fitues të jetë protokolluar në Ministri me datë 29 prill 2010 dhe kontrata që e ka shpallur fitues është lidhur me date 30 prill 2010, pra subjekti fitues është paracaktuar dhe nuk ka patur konkurim”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
 
SHKELJET E MINISTRISË SË PUNËS PËR SPOTET E FESTES SE 1 MAJIT
Në fund të hetimit, prokuroria ka nxjerrë konkluzionet në lidhje me abuzimet e bëra nga zyrtarë e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale.
 
“Në lidhje me vlerën e dëmit çmojmë si vlerë dëmi faktin që reklamat e vendosura nga “P......” që sipas preventivit është në vlerën e 5.500.000 lekëve, kanë patur vlerën e vërtetë 8000 euro me TVSH dhe kohëzgjatja e vendosjes së këtyre reklamave shkon përtej datës 1 Maji që është dhe dita e organizimit të aktivitetit që reklamohej si e tillë dhe para datës 30 Prill 2010 që është data e lidhjes së kontratës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës.
 
Në dosje nëvizohet se, “dëm për interesin e shtetit përbën edhe vlera që është paguar per transmetimin e spotit në televizionet e përzgjedhura para datës 30 prill 2010, pasi në specifikimet teknike, kërkohej transmetimi i spotit vetëm për dy ditë. Transmetimi i spotit jashtë këtyre datave, minialisht nuk duhet të ishte paguar nga Komisioni i ngarkuar për verifikimin dhe nga financa e MPCSSHB pasi është jashtë kushteve të kontratës së lidhur. Ky fakt provon fiktivitetin e procedurës dhe kontratës së lidhur”.
 
PAGESA E BËRË NGA MINISTRIA NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN
Prokurorët gjatë hetimit kanë zbuluar se, “nga ana e punonjësve të MPCSSHB është vepruar në kundërshtim me ligjin pasi është bërë pagesa për subjektin me datë 26 maj 2010 pa u njohur me të gjitha dokumentet që sipas kontratës subjekti kishte detyrim ti paraqiste për të provuar se kishte vepruar sipas preventivit. Nëse këto dokumente do të ishin paraqitur, Ministria nuk duhet të kishte paguar një pjesë të mire të vleres prej 19.800.000, pasi shërbimet janë kryer nga “M.....” shpk jashtë periudhës së kërkuar nga Ministria”.
 
TË PANDEHURIT KANË FALSIFIKUAR DOKUMENTET E TENDERIT
“E gjithë procedura e ndjekur që prej dates 27 prill 2010 deri më datë 30 prill 2010 është tërësisht fiktive, pasi kryetari i Komisionit të përzgjedhjes së subjektit fitues, i pandehuri Murat Mehmeti, rezulton se ka qenë gjatë kësaj kohe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Nga sa sipër rezulton e provuar se i pandehuri ka falsifikuar dokumente zyrtare duke qenë i ngarkuar në përpilimin dhe nxjerrjen e tyre”, thuhet në dosjen e dorëzuar nga Prokuroria e Tiranës në gjykatën e kryeqytetit.

NE GJYKIM JANE PESE ISH-ZYRTARET:
Kleves Bitro, i dtl . 22.02.1976, i hetuar ne mase sigurimi arrest ne burg ne mungese, akuzuar per vepren penale te falsifikimit te dokumenteve nga personi qe ka per detyre te leshoje aktin te kryer ne bashkepunim.

Murat Mehmeti , i dtl . 01.03.1964, i hetuar ne mase sigurimi arrest ne burg ne mungese, akuzuar per vepren penale te falsifikimit te dokumenteve nga personi qe ka per detyre te leshoje aktin te kryer ne bashkepunim.

Flora Batusha, i dtl . 25.08.1969, i hetuar ne mase sigurimi detyrim per tu paraqitur ne policine gjyqesore, akuzuar per vepren penale te falsifikimit te dokumenteve nga personi qe ka per detyre te leshoje aktin te kryer ne bashkepunim.

Ilir Ibrahimi, i dtl . 25.02.1968, i hetuar ne mase sigurimi arrest ne shtepi, akuzuar per vepren penale te falsifikimit te dokumenteve nga personi qe ka per detyre te leshoje aktin te kryer ne bashkepunim.

Besnik Dema, i dtl . 03.03.1962 , i hetuar ne mase sigurimi arrest ne burg, akuzuar per vepren penale te falsifikimit te dokumenteve nga personi qe ka per detyre te leshoje aktin te kryer ne bashkepunim.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 13:30

    Deri në 700 kWh ulet me 1 lekë çmimi i energjisë për familjet, si ju duket?



×

Lajmi i fundit

Berisha sulmon Ramën për energjinë: Ulja e çmimit favorizon të pasurit, mashtrim dhe hipokrizi ekstreme

Berisha sulmon Ramën për energjinë: Ulja e çmimit favorizon të pasurit, mashtrim dhe hipokrizi ekstreme