TIRANE- Zbardhen të tjera abuzime me skemën e pagesës së personave me aftësi të kufizuar. Etleva Bisha, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror ka deklaruar se vetëm në komunën Cakran të Fierit 54 persona e përfitonin atë padrejtësisht.
 
“Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka kallëzuar sot në Prokurorinë e Rrethit Fier anëtarët e Komisionit Mjekësor për Caktimin e Aftësisë në Punë, KMCAP Fier, anëtarë të Komisionit Mjeko-Ligjor të Spitalit Rajonal Fier dhe Administratorë të Ndihmës dhe Shërbimeve Sociale në Komunën Cakran, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.

Nga kontrolli i ushtruar nga ekipi i auditit të Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se nga 542 persona me aftësi të kufizuar në Komunën Cakran, 54 prej tyre kanë përfituar në mënyrë të parregullt pagesën e aftësisë së kufizuar, pasi rezultojnë me mangësi dokumentesh në dosje. Sipas vlerësimit paraprak, vetëm për 9 raste të gjetura me shkelje flagrante në dokumentacion, vlera e dëmit shkon në 2.782.000 lekë.

Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi administratorët e Ndihmës dhe shërbimet sociale në Komunën Cakran në Rrethin e Fierit, Komisionin Mjeko Ligjor të Spitalit Rajonal Fier, anëtarët dhe Kryetarin e KMCAP Fier.

Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë të mundshëm, nëse do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera”, - ka deklaruar drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bisha.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)