LESKOVIK- Shërbimi Social Shtetëror ka kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit të Korçës Përgjegjësen e Seksionit të Ndihmës Ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuar, Bashkia Leskovik. Ajo akuzohet për shpërdorim të detyrës.
“Nga kontrolli i ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se 35 për qind e skemës së ndihmës ekonomike dhe 73 për qind e skemës së aftësisë së kufizuar është abuzive. Më konkretisht, 43 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në Bashkinë e Leskovikut e kanë përfituar atë në shkelje me kriteret e përcaktuara ligjore, ndërsa janë vërejtur 62 raste të invalidëve të punës me mungesë dokumentacioni.”- thuhet në njoftimin e sotëm të ministrisë së Mirëqënies Sociale.

Gjatë kontrollit të dosjeve të personave me aftësi të kufizuara rezultoi se nga 38 persona që trajtohen me pagesë paaftësie në Bashkinë e Leskovikut, 24 prej tyre e kanë përfituar atë në shkelje të kritereve ligjore. Sipas vlerësimit paraprak të ministrisë, për periudhën e kontrolluar, këto shkelje ligjore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit gjithsej një dëm prej 3.732.381 lekë. Për këto shkelje Ministria bën përgjegjëse Administratoren e Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar të Bashkisë Leskovik.

Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera. Ministria e Mirëqënies Sociale vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Pagesave të Aftësisë dhe denoncimet në prokurori të personave dhe zyrtarëve të cilët kanë abuzuar me ndihmën sociale. Deri tani, janë zbardhur abuzimet në disa nga komunat të vendit dhe numri i abuzimeve ka arritur në rreth 1000. Abuzimet janë konstatuar si në skemën e ndihmës ekonomike, ashtu edhe në atë të personave me aftësi të kufizuar.

Ndërkohë që do të vijojnë abuzimet në skemë  për të të gjitha rrethet si dhe të gjitha këto do të kalojnë më pas në prokuroritë përkatëse. Ajo që pritet të sjellë  një ndryshim duke eleminuar rastet abuzive, është hyrja në fuqi e skemës së re, ku që nga janari ndihma ekonomike do t’u kalojë grave pasi shpesh ajo është përdorur nga kryefamiljarët për bixhoz dhe për alkol. Kjo ka bërë që për një kohë të gjatë ndihma të mos shkojë tek nevojtari, por të përfundojë në duart e gabuara.

 Një tjetër kusht i vënë nga instancat përkatëse për përfitimin e ndihmës ekonomike është ai i arsimimit të fëmijëve dhe vaksinimit të tyre. Asnjë familje nuk do mund të përfitojë këtë ndihmë nëse nuk arsimon dhe vaksinon rregullisht fëmijët. Megjithatë, ashtu siç kishte deklaruar më parë edhe Veliaj, të gjithë përsonat në nevojë kanë marrë tashmë pagat e muajit dhjetor dhe në janar do të marrin edhe të prapambeturat. Ndër të tjera, Veliaj ka premtuar se nga janari dhe në vazhdim nuk do të ketë më vonesa në dhënien e këtyre pagave sociale.
 

Shkrimi u publikua sot (12.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)