Teksa janë marrë në pyetje nga Krimet e Rënda Dashamir Xhika, Albens Alite dhe Aksel Qurduka, në ambjentet e prokurorisë ka mbëritur dhe ish-ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto. Ky i fundit është mesditën e djeshme është marrë në pyetje lidhur me ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, segment ky rrugor që ende nuk është ndërtuar ende.

Burime pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda i thanë “Shqiptarja.com” se Haxhinasto është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen dhe jo të personit të vënë në hetim. Deri në këto momente prokuroria e ka ish-ministrin Edmond Haxhinasto si dëshmitar dhe nuk i ka rregjistruar emrin si person nën hetim. Pasi është njohur me të gjitha të drejtat e tij ligjore, Haxhinasto ka filluar të japë deklarime para prokurores Elisaveta Imeraj dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në këtë prokurori. Nga sa mësohet, Haxhinasto u është përgjigjur pyetjeve të grupit hetimor lidhur me disa vendime të marra prej tij, të cilat i kanë hapur rrugën lëvrimit të miliona lekëve, duke ju shtuar shpenzimeve të mëdha për ndërtimin e kësaj rruge. Për gati 2 orë me rradha Haxhinasto ka rëfyer me detaje çdo pyetje që i është bërë nga prokuroria.

Sipas rëfimit të tij në prokurori gjithçka ka qënë e rregullt dhe nuk ka vend për dyshime të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit. Haxhinasto ka pretenduar se në cilësinë e ministrit ka përdorur të gjitha koopetencat që mos kishte asnjë vonesë dhe asnjë burrokraci për ndërtimin e kësaj rruge, që lidh në kohë të shkurtër Elbasanin me Tiranën. Teksa ka dalë nga prokuroria Haxhinasto ka folur pak për median duke pohuar: “Jam thirrur për të dëshmuar për projektin e rrugës Tiranë- Elbasan që është në hetim. Jam pyetur për ato gjëra, për përgjegjësitë e mia si drejtues politik për një periudhë të zhvillimit të këtij projekti.

Dëshmova ato gjëra që di”-deklaroi ish-ministri. Haxhinasto do të dëshmonte në fundjavë,ditën e shtunë por zgjodhi ditën e hënë për t’iu përgjigjur fletëthirrjes së prokurorisë. Për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan është arrestuar ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika, por edhe Albens Alite e Aksel Qurduka, drejtori dhe ish-drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Hetimet nga prokuroria nisën pas kallëzimit nga KLSH në 2016 për dëm ndaj shtetit me vlerë 54 mln euro për abuzime në rrugën Tiranë-Elbasan, por që janë ripërsëritura në një kallëzim të dyte të ministrit Gjiknuri në 2017. Në momentin që Haxhinasto po dëshmonte, te Krimet e Rënda ndodhej edhe kreu i Krimit Ekonomik Lutfi Minxhozi. Haxhinasto ishte një ndër personat që ndoqi nga afër në gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan gjyqin e Xhikës për dosjen e rrugës Gjinar-Elbasan.
 

Auditimi i KLSH
Ndryshimi i projektit fillestar dhe punimet në Ibë e Mullet
Procedura e ndërtimit të këtij segmenti është audituar nga KLSH, duke verifikuar tre episode, më konkretisht, urdhërat e ndryshimit të projektit fillestar, punimet në zonën e Ibës, kilometric 11+100, “Verifikimi i disa zërave të punimeve në objekt” dhe ndryshimin e “Usekut të Mulletit”. Sipas audituesve të KLSH që kanë depozituar kallëzim penal ndaj pertsonave të sipërcitur janë kryer pagesa të paargumentuara tek kompanitë private dhe të pajustifikuara me punime konkrete në teren. Ndërkohë gjatë ndërtimit të “Usekut të Mulletit”, KLSH në kallëzimin e saj evidenton si dëm ekonomik shumën prej 1.3 milion dollarë sepse i është dhënë kontraktorit ndërtues, ndërkohë që një pjesë e këtyre punimeve në këtë segment rrugor ishin kryer dhe paguar gjatë projektit origjinal.

d.b/shqiptarja.com