TIRANË - Vendimi i pafajësisë për ish-drejtorin e Tatimeve në Tiranë Ismail Muça i akuzuar se në bashkëpunim me 7 persona të tjerë nëpërmjet skemës së mashtrimeve të tatimit mbi vlerën e shtuar kanë përfituar 6 milionë uero nga buxheti i shtetit ka sjell përplasje ndërmjet prokurorisë dhe gjykatës.
 
Pafajsinë e Firmosur nga gjyqtari Artan Gjermeni, Prokuroria e Tiranës në një reagim për mediat e cilëson si një vendim absurd nga gjykata, kur nga 8 personat e akuzuar si të përfshirë në një skemë mashtruese me rimbursimin e TVSH-së, 7 prej tyre janë shpallur fajtorë në procese gjyqësore të veçuara, ndërkohë që ish-drejtori i Drejtorisë së Tatimeve Tiranë, shtetasi Ismail Muça, është shpallur i pafajshëm.
 
Prokuroria në përfundim të gjykimit ka kërkuar shpalljen fajtor të shtetasit Ismail Muça dhe dënimin e tij me 14 vite burgim për veprat penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, të kryer në bashkëpunim;“Fallsifikimit të dokumentave”, të kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
 
Më tej sqaron akuza, ky shtetas konsiderohej si personi kyç në këtë skemën mashtruese, për faktin se urdhëronte kontrollin mbi këto subjekte fantazmë, fillonte procedurën e rimbursimit, e miratonte atë dhe në fund urdhëronte me akte të veçantë për kalimin e shumës së rimbursimit të TVSH nga thesari i shtetit në llogari të kompanive, të cilat deklaronin në mënyrë fiktive xhiro biznesi.
 
Akuza deklaron se do të apelojë pafajësinë e Muçës sapo gjykata të zbardhë vendimin e argumentuar, për të parë se cilat janë arsyet që vartësit e tij , Afërdita Hysi, Lauren Vata, Edmond Osmani, Gramoz Milushi, Kujtim Metalia, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe janë dënuar dhe eprori i tyre jo.
 
Procedimi penal për ish drejtorin e tatimeve nisi nëntorin e një viti më parë, ndërsa pas 8 seancave gjykata i ka dhënë atij pafajësinë duke dënuar vetëm vartësit e tij dhe dy administratorët e firmave fantazmë që nga buxheti i shtetit përfituan 6 milion euro rimbursim TVSH-je.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)