TIRANE- Menjëherë pas bërjes publike të rastit të mitmarrjes në këmbim të vërtetimit për kemp, janë pezulluar nga detyra të gjithë anëtarët e KMCAP-së të Drejtorisë Rajonale Durrës. Kjo është bërë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, me kërkesë të posaçme të Ministrit të Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj. Gjithashtu, ISSH-ja ka urdhëruar ngritjen menjëherë të një grupi për kontrollin e të gjithë dosjeve të invaliditetit të vlerësuara nga ky komision, duke vlerësuar të gjithë dokumentacionin e tyre deri në origjinën e krijimit të tij.

Nga ana tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, kërkoi dje nga Drejtoria e Spitalit Rajonal Durrës marrjen e masës së pezullimit nga detyra të Vladimir Laro, me detyrë mjek kirurg-angiolog në Spitalin e Durrësit. Nisur nga këto raste Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mirëqenies Sociale nxisin Prokurorinë e Përgjithshme që,në kryerje të funksioneve të saj kushtetuese, të fillojë menjëherë procedimin penal për personat përgjegjës.

 
Shkrimi u publikua sot (15.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)