Abuzimi me 56 hektarë toka në bregdetin e Spillesë ka çuar në pranga pesë zyrtarë të Bashkisë së Rrogozhinës dhe zyrës së Hipotekave në Kavajë, ndërsa është shpallur në kërkim biznesmeni i njohur dhe i afërt me politikanët, Idlir Karkini, për të cilin gjykata ka dhënë masën e “arrestit me burg” në mungesë.

I proceduar penalisht në gjëndje tëg lirë është dhe kryebashkiaku i Rrogozhinës Beqir Nuredini, ndërsa 4 persona, përfshi ish-krye rregjistruesin e Zyrës Vendore të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, Asim Arkaxhiu u arrestuan, 2 janë shpallur në kërkim dhe ndaj dy të tjerëve janë marrë masa më të lehta sigurimi, ndërsa për një noter është caktuar “pezullim i aktivitetit”.

Në një reagim për median kryebashkiakuj Nuredini i mohoi akuzat, duke shtuar se ishte i hapur të hetohej. “Mbështes hetimet. Autorët të vihen para përgjegjësisë. Unë kam zbatuar procedurën që parashikon ligji. Zbatova ligjin për regjistrim fillestar të pronave. I gatshëm gjatë hetimeve vura në dispozicion dokumentet”-deklaroi në media Nuredini.

Prokuroria dhe policia në dy deklarata të ndryshme për mediat bënë me dije se hetimet ishin vijim i operacionit të nëntorit të vitit të kaluar, kur u arrestuan 11 persona me akuza të ngjashme, ndërsa hetimet gjetën se pronat publike ishin tjetërsuar dhe përfituar nga të afërm të ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi dhe personave të tjerë pranë pushtetit lokal.

Ndalim jashtë shtetit dhe roli i noterëve
Në hetim për abuzime me pronat në Spille është edhe kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i cili dje është marrë në pyetje nga Prokuroria si dhe me vendim të Gjykatës i është komunikuar dalja jashtë vendit, përmes sekuestrimit të pasaportës dhe kartës së identitetit.

Organi i akuzës së Kavajës ka nisur një hetim për 10 persona, mes tyre edhe kryebashkiakun Nuredini, të cilët akuzohen për tjetërsim të pronave shtetërore ranishte dhe kthimin e tyre në prona private për interesa të palëve të treta.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, masa e arrestit me burg është dhënë për Asim Arkaxhiu, Ish-Regjistrues i ZVRPP Kavajë, Aldo Kila, Jurist pranë ZVRPP Kavajë, Julian Zhelegu, Noter Dhoma e Noterisë, Tiranë, Shpendi Dema, Juristi Bashkia Rrogozhinë, Arben Daja, sekretar i protokollit Bashkia Rrogozhinë, Artur Tosku, Kryenspektor Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë.

Vijim i operacionit
Prokuroria dhe policia njoftuan se operacioni, të cilin kjo e fundit e ka pagëzuar “Ranishtja 2”, është vijim i atij të nëntorit të vitit 2017, kur u arrestuan 11 persona të tjerë me të njëjtat akuza por për 36 hektarë në zona të tjera të Kavajës.

Në pranga atëherë përfunduan Fatos Kaja, ish-zyrtar i njësisë administrative Kryevidh që deri në maj 2017 mbante postin e nënprefektit të Tiranës si dhe dy ish-zyrtarët e së njëjtës komunë, Behgjet Pjeci dhe Dashnor Çullhaj, drejtori i ALUIZNI Kavajë, Altin Çoba dhe ish-shefi i Kadastrës, Nezir Leçini, Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë, Andi Gjeçi, jurist, ZVRPP, Kavajë, Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë, Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë, Enver Duqi, ish-drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Kavajë dhe Seid Cikaleshi, ish drejtues i Hipotekës së Kavajës.

Prokuroria thotë se skema e tjetërsimin në të dy rastet është e ngjashme dhe përfshin po ashtu falsifikimin dhe fshehjen e dokumenteve të Këshillit të Qarkut Tiranë. Ndërkohë në hetimin e fundit janë përfshirë edhe ndërtimi i 27 lokaleve në të njëjtën zonë, që dyshohet se është bërë në shkelje të ligjit.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com