TIRANE- Pavarësisht aksionit që ka ndërmarrë qeveria, ka ende në qarkullim pika karburantesh të cilat abuzojnë me cilësinë. Inspektorati Shtetëror Teknik ka gjetur me përmbajtje tej normave të lejuara të squfurit dhe pikës së flakërimit, në disa karburantë në të gjithë vendin. Bëhet fjalë për 13 pika karburantesh të cilat nuk kanë cilësinë e kërkuar nga ligjet shqiptare, 12 pika të tjera që nuk kanë pasur dokumentacionin e kërkuar dhe kanë ndërhyrë tek pajisjet që hidhet nafta, benzina ose gazi.

Ndërkohë për një rast është propozuar heqje licence. “Nga inspektimet e bëra nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për periudhën Dhjetor 2015 janë gjobitur 26 subjekte nga të cilat 12 për mungesë dokumentacioni dhe 13 për tregtim jashtë standardeve. Gjithashtu është bërë 1 propozim për heqje licence”, - thotë në një njoftim Inspektorati Shtetëror Teknik. Të gjitha këto gjoba janë vendosur në muajin dhjetor 2015.

tabelat karburantet

Masa e gjobave
Masa e gjobave varion nga 100 mijë deri në 2 milionë lekë të reja. Konkretisht nga 10 karburantet të cilat kanë abuzuar me cilësinë, 9 prej tyre u është vendosur gjobë 2 milionë lekë të tjera, ndërsa për një është vendosur masë e përkohshme për heqje licence. Gjobat e tjera variojnë sipas llojit të shkeljeve ku bien në sy një gjobë, 1 milionë e 700 mijë lekë si dhe dy të tjera 1.5 milionë lek. Për katër karburante që është bazuar me cilësinë mbi normat e lejuara dhe kanë ndërhyrë tek pajisjet është marrë masë “Akt bllokimi”. Gjobat janë vendosur nga data 2 deri në 29 dhjetor 2015.

Kontrollet
Inspektorati Shtetëror Teknik prej më shumë se një viti ka filluar aksionin për kontrollet e të gjitha subjekteve që tregtojnë naftë, benzinë e gaz. Deri tani janë vendosur më shumë se 50 gjoba, ndërkohë që numri i karburanteve që janë bllokuar është shumë i ulët. Prej vitesh qytetarët shqiptarë ankohen për sa i përket cilësisë së naftës dhe benzinës që hedhin në makinën e tyre. Nga hetimet e deritanishme, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria kanë arritur që të gjejnë disa raste ku nafta e papërpunuar Virgin përzihet me naftë cilësore. Nga ana e saj qeveria ka bërë dhe ndryshime ligjore për të rritur masën e gjobave dhe për të forcuar kontrollet, që kanë dhënë efekt, pasi ka një numër të lartë subjektesh që janë gjobitur për mungesën e cilësisë apo të dokumentacionit të kërkuar.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)