Gjykata e Shkodrës ka nxjerrë nga qelia 14 punonjësit e policisë që akuzohen se abuzuan me tenderin për rikonstruksionin e Komisariatit. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një tender të rikonstruksionit të komisariatit të Policisë së Shkodrës, në vlerën 2 milionë lekë. Ish shefi i rendit Saimir Rrustemi, i cili është lënë në arrest shtëpie është pritur me brohoritje nga qytetarët, të cilët protestuan në mbrojtje të tij para se të jepej vendimi i gjykatës. "Shef Saimiri krenaria e policisë", "Burgu nuk është për të ndershmit!", ishin mesazhet që dhanë ata. 

14 punonjës të policisë dhe ish-zyrtarë, përfshirë ish-shefin e Rendit, Saimir Rustemi dhe punonjës të administratës së Policisë së Shkodrës, u arrestuan pasi akuzohen se kanë favorizuar subjekte të ndryshme në periudha të caktuara për të përfituar fiktivisht tendera me vlera të vogla në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Sipas hetimeve të Prokurorisë veprimet e dyshuara janë kryer gjatë periudhës 2020-2021dhe punonjësit e Auditimit, siç thotë organi i akuzës, dyshohet se në mënyrë të qëllimshme nuk kanë pasqyruar shkeljet e kryera me procedurat e prokurimit.

Po ashtu, gjatë hetimeve ka rezultuar se financierja Veronika Xhanaj dyshohet se ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke përvetësuar shuma të ndryshme parash në periudha të ndryshme kohore, për vete dhe punonjës të tjerë të kësaj Drejtorie, me burim të ardhurat nga paga e punonjësve të policisë.

Kryekomisar Saimir Rustemi u transferua paraprakisht në sallën operativë të Policisë së Dibrës dhe akuza e ngritur ndaj tij ishte e shpërdorimit të detyrës.  Arrestimi i tij ngjalli revoltën e gazetarëve të kronikës, si në Shkodër dhe Tiranë që kanë bashkëpunuar ndër vite me kryekomisarin dhe e vlerësojnë ndër efektivët më të trajnuar që është përballur me shumë grupe kriminale të rrezikshme.

Masa për arrest shtëpie

Saimir Rrustemi 
Luida Ujka 
Mustaf Ishmaku
Xhavit Isufi 
Rudina Keqi 
Klement Tola 
Paulin Prendi 
Armand Basha 
Rrezert Prela
Veronika Xhanaj 

Masa për detyrim paraqitje

Altion Basha
Briland Mnela

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:15
VIDEOLAJM/ Samir Rrustemi lë burgun, momenti kur familjarë e të afërm në Shkodër brohorasin për fitoren ndërsa ish-efektivi i përqafon

 

Ky është momenti kur ish efektivit Saimir Rrustemit i është caktuar masa arrest shtëpia nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër. Turma me protestues i është turrur ish efektivit ndërsa ky i fundit i ka përqafuar. Ata brohorasin njëzëri emrin e tij.

Ora 08:42
Abuzuan me tenderin në komisariatin e Shkodrës, qytetarët ngrihen në protestë: Burgu nuk është për të ndershmit

SHKODËR- "Shef Saimiri krenaria e policisë", "Burgu nuk është për të ndershmit!", këto kanë qenë dy ndër mesazhet e protestuesve në Shkodër ditën e sotme në mbrojtje të ish shefit të rendit, Saimir Rrustemi. Gjykata e Shkodrës vendosi të nxjerrë nga qelia punonjësit e policisë që dyshohet se abuzuan me tenderin për rikonstruksionin e komisariatit. 

“Kam ardhur për të mbështetur  Komisar Saimir Rrustemi , ky në veçanti është një nga policët më shembullor , Samiri është një djalë, që jo vetëm unë, por gjithë Shkodra e nderon”, tha një protestues.  

“Duhet ta lëmë gjithë në dorë të drejtësisë, por kemi dalë se figura si Saimir duhet të mbështeten, nuk duhen kurrë njollos, unë jam i bindur se do të dalë i pafajshëm, ka qenë polic në Shkodër dhe gjithmonë në krye të detyrës”, tha një tjetër qytetar.

“Kam ardhur për të mbështetur komisar Saimir Rrustemin sepse është një njeri i ndershëm, një ndër më shembullorët. Në çdo sfidë është parë vetëm ky polic, në pandemi është parë vetëm ai , në çdo sfidë madje edhe në hashash.” , u shpreh një protestues.