Deputetja e PD, Flutura Açka, së bashku me nismën ‘Thurje’, e cila kishte mbledhur 10 mijë firma nga qytetarët për lirimin e plazheve publike do të dorëzojë në Kuvend projektligjin për ndryshime ligjore. Në fjalën e saj para mediave, Açka tha se 80% e plazheve të vendit janë të zëna dhe se kjo praktikë duhet të ndryshojë për të kthyer 100% plazhet publike.

“Do kërkojmë amendime e ndryshime të ligjit që mëtojmë të bëjmë vendosëm ta bëjmë në vjeshtë që të përfundonte sezoni turistik e mos përplasnim dhe idetë gjatë sezonit turistik. Në 80% të plazheve janë të okupuara e shqiptarët nuk kanë akses për t’u futur në disa prej tyre. Iniciativa për ta privatizuar plazhet duket dikur sikur ndihmon e rregullon turizmin por në fakt e ka dëmtuar. Këtë verë, edhe bizneset vetë e kanë vuajtur barrën e pagesave të detyrueshme të plazheve private. Iniciativa ndihmon jo vetëm qytetarët e thjeshtë por edhe bizneset që t’ia heqë këtë barrë të detyrueshme. Ne do ia paraqesim parlamentit me hollësi se çfarë kërkojmë, por është në të drejtën e tyre që gjykojnë, por mendojmë se do i kthejë autoritetin plazhet publike”, tha Açka.

Ndërkohë drejtuesi i Nisma Thurje Endri Shabani është shprehur se në plazhet publike të Shqipërisë ka tra për shqiptarët, të cilët lëvizin të lirë nëpër Europë, por nuk mund të bëjnë të njëjtën gjë në vendin e tyre. Shabani theksoi se deputetët sot duhet të tregojnë se krahun e kujt mbajnë, të qytetarëve apo grupit të biznesmenëve.

“Açka e mbështeti këtë nismë dhe ka qëndruar në mbrojtje të interesit publike dhe i ka hapur derën 10 mijë qytetarëve që të sjellin zërin e tyre. 10 mijë shqiptarë kanë propozuar një projektligj. Ky Kuvend që nga 2008 ka kaluar të paktën 50 ligje. Shqiptarët kërkojnë të rifitojnë të drejtën të shijojnë bukuritë e Shqipërisë, kërkojnë që së bashku me fëmijët të bëjnë pushimet në Shqipëri. Sot nga Saranda deri në Shkodër plazhet e Shqipërisë kanë tra. Shqiptari ka tra për shkuar në plazhe. Shqiptari është i përjashtuar nga toka e vet, është i përzënë nga prona e përbashkët dhe i nëpërkëmbur në shtëpinë e vet. Ky Kuvend ka mundësinë t’i japë fund zaptimin të tokës. Çdo deputet i Shqipërisë, sot ka shansin historik për të treguar për të treguar nëse është këtu për të sjellë zërin e qytetarëve dhe për të mbrojtur të dobëtin apo për një grup të vogël biznesmenësh”, tha Shabani.

Ndërsa Pano Soko tha se duhen lënë plazhet e lira dhe të ofrohen shezllonet nëse qytetarët e kërkojnë si shërbim, por mos të jetë biznes që nxjerr të ardhura më shumë se hoteli e restoranti.

"Biznesi i plazheve është i bazuar tek të ardhurat nga shezllone. Kjo është e tmerrshme. Ndodh vetëm në Shqipëri. Në botë biznesi është hoteli e restoranti. Këtë vit ia vumë fajin krizës. Ne kërkojmë të rregullojmë se duke e bërë plazhin të aksesueshëm për shqiptarët, fitojnë të gjithë", tha Soko.