Adam Yamey, anglezi që
e ka “fiksim” Shqipërinë

Adam Yamey, anglezi që<br />e ka “fiksim” Shqipërinë
TIRANE - Quhet Adam Robert Yamey. E ka pasur gjithë jetën e tij Shqipërinë në mendje dhe në zemër. Madje i ka dedikuar Shqipërisë një libër, i cili titullohet "Albania on my mind/ Shqipëria në mendjen time". Mësojmë për këtë personazh të veçantë dhe për librin e tij në faqen “Geg e Toskë”, një hapësirë virtuale, ku vetë Adam Yamey, lexonte me kërshëri çdo informacion dhe material historik mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Madje ai shkruante shpesh komentet e tij, duke i lënë me gojë hapur për horizontin e tij të dijeve rreth Shqipërisë jo vetëm administratorët e kësaj faqeje por edhe studiues të shumtë që janë anëtarë në të. Kërkojmë diçka më shumë rreth këtij personazhi dhe kuptojmë se për Adam Yamey, Shqipëria është më shumë se një pasion, ajo është obsesion.

I lidhur ngushtësisht me këtë vend diku në një cak të pambërritshëm për të asokohe, për Adamin Shqipëria u kthye në një ëndërr qysh në fëmijërinë e tij të hershme. Ai i binte kryq e tërthorë bibliotekave angleze në kërkim të Shqipërisë. Madje edhe në udhëtimet familjare në Itali, Greqi a gjetkë, kudo shkonte do të kërkonte lajme mbi Shqipërinë e izoluar.

Në rininë e tij ai mori guximin dhe i shkruajti Radio Tiranës për obsesionin e tij ndaj Atdheut tonë dhe nga Shqipëria komuniste i dhurohet një disk e një album fotografik. Ka dëgjuar BBC shqip me dekada të tëra. E derisa në vitin 1984 pati rastin ta vizitonte Shqipërinë për 2 javë, aq sa mund të vizitohej Shqipëria nën vëzhgimin e spiunëve shoqërues.

Nga ajo vizitë, nga kujtimet dhe ndjesitë që provoi, Adami shkruajti librin e tij shqipëria në mendjen time, një libër që ende nuk është përkthyer në shqip, por që nuk duhet ti mungojë bibliotekave tona.

PAK BIOGRAFI

Në biografinë që servir vetë Adam Yamey thuhet se u lind në Londër 3 muaj pasi Mbretëresha Elizabeth II u shpall Mbretëresha e Anglisë. Prindërit e tij kishin lindur në Afrikën e Jugut, por u vendosën për të jetuar në Britaninë e Madhe në vitin 1947.

Pasi ndjek shkollën Highgate, Adami studion për 12 vjet në “University College” në Londër. Diplomohet si kirurg dentar, profesion në të cilin punon që nga viti 1982.

Më tej Adam tregon në profilin e tij se në kohën e lirë lexon, gatuan, sheh filma, dhe sigurisht bën kërkime rreth temave të ndryshme duke përfshirë historinë e familjes së tij të gjerë, shumë anëtarëshe të cilët jetonin në Afrikën e Jugut. Adam jeton e punon në Londër, është i martuar dhe ka një vajzë. Të shkruarit mbetet për të një nga pasionet më të mëdha.

MBI SHQIPËRINË E TIJ...

Mbi librin e tij “Shqipëri në mendjen time” Adam ka rrëfyer se është frymëzuar pas vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1984.

Ajo vizitë i ka lënë mbresa të forta. Adam thotë se për disa kohë, kishte menduar ti mbante shënim diku ato çfarë mbante mend nga udhëtimi i tij në Shqipëri më 1984. “U kam treguar edhe pacientëve të mi shqiptarë për këtë udhëtim. Një ditë, një nga pacientët e mi, i cili ishte rritur me kohën e Enver Hoxhës më tha se unë duhet ti shkruaja këto kujtime.

Ai tha se askush nuk do ta besonte atë nëse do të përshkruante kushtet e jetesës në Shqipëri në ato vite të vështira. Por ai besonte se njerëzit për shumë arsye do të besonin më shumë një të huaj siç isha unë në këtë rast...” Kësisoj Adam vendosi të shkruajë librin.

Ai rrëfen se në mbresat e asaj vizite kanë mbetur të pashlyera tablo nga peisazhi, gjelbërimi i pafund, pasi ai e vizitoi Shqipërinë në pranverë. Gjithashtu e tërhoqën ndërtesat e vjetra ballkanike ndërtuar me elegancë, arkitektura italiane dhe bunkerët e pafund që kishin mbirë gjithandej...

Për Adamin Shqipëria ishte e bukur, e çuditshme por çuditërisht mikpritëse edhe pse ai si turist i huaj, në kushtet e izolimit komunist nuk i lejohej që të fliste me dikë tjetër përveçse me shoqëruesit. Por edhe pse kjo vizitë kishte qenë si një prekje e ëndrrës së madhe, sërish portat e pasionit mbetën hapur.

Nuk iu fashit dëshira për të mësuar më shumë për këtë vend. Siç e thotë vetë ai, libri që shkroi e ndihmoi të rigjallërojë interesin e tij për Shqipërinë”, madje të kërkojë më shumë mbi askepte të tjera tërheqëse të Shqipërisë dhe historisë së saj.

Do të pëlqente shumë të bënte një vizitë tjetër në Shqipëri, ndërsa vijon të shkruajë artikuj e mbresa që lidhen me vendin e ëndrrave. Në blogun e tij gjen mjaft shkrime të tilla për Shqipërinë dhe shqiptarët, madje ka në plan të shkruajë kujtimet e tij mbi udhëtimet e shumta në ish-Jugosllavi, disa nga të cilat siç e thotë vetë Adami, i ka bërë me idenë që të vizitojë vendet ku kanë jetuar gjithmonë shqiptarët etnikë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin


Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin