Speciale/ Adela dhe Anxhelo Muçollari: Udhëtimi ynë nëpër Shqipëri në kërkim të talenteve

Dy balerinët e talentuar rrëfejnë projektin “WE ARE ALL MADE OF STARS” . Gara e madhe e talenteve, jo vetëm në fushën e baletit, por edhe në fusha të ndryshme të muzikës dhe aktrimit.

“Korça ishte qyteti i parë që ne vendosëm të startojmë. Vendosën që ta nisim me Korçën të parën për vetë natyrën e saj tërheqëse në dimër, e cila mbulohet nga bora, për veçoritë mikpritëse që ka ky qytet turistik, për kulturën artistike që ka, e shumë të tjera. Duke nisur nga Korça të gjithë do jemi në të njëjtin udhëtim dhe do të punojmë në të gjitha fazat njësoj, ku do të zgjidhen artistët më të mirë. Ata do të nxiten dhe ne do punojnë me ta për të ardhur në Tiranë.” - thotë Adela Muçollari. 

Dy yje të baletit shqiptar, Adela dhe Anxhelo Muçollari janë balerinët e parë të premierave më të bukura që ka ngjitur në skenë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

Me portret të bukur, me linja perfekte dhe posturë shumë të mirë, ata kanë qenë kudo në qendër të vëmendjes, në spektale, festa, premiera. Dhe janë adhuruar nga publiku

Janë një dhe të pandarë në pasionin për vallëzimin. Kjo i ka frymëzuar drejt një ideje të madhe për kërkimin e talenteve në gjithë Shqipërinë.

Adela sapo është shkëputur nga disa projekte interesante me talentet e reja të baletit dhe rrëfen se tashmë bëhet fjalë për një projekt, jo vetëm sfidues, por projekt krijues.

“Për çdo produksion që ne mendojmë, të rinjtë janë kryefjala. Kush ka një talent, kush ka një dëshirë, le të vijë e ta provojnë veten. Ne besojmë se të gjithë kanë atë yllin e tyre brenda vetes”- thotë Adela.

“Të marrin pjesë, le të vijnë e ta provojnë” -thotë Anxhelo.

Adela dhe Anxhelo flasin plot pasion për synimet e projektit.

“Projekti që titullohet “WE ARE ALL MADE OF STARS” do të udhëtojë nëpër Shqipëri, jo vetëm për talentet në fushën e baletit, por edhe në fusha të ndryshme të muzikës dhe aktrimit.” - thotë Adela.

“Ka nisur një punë e madhe, kanë nisur audicionet. Ne kemi një staf të madh mbështetës mbrapa. Dhe unë e theksoj këtë se është e rëndësishme dhe e domosdoshme që talentet dikush duhet t'i drejtojë në rrugën e duhur që ata të japin më të mirën e tyre.”- tha Anxhelo.

Por, të ndash të njëjtin profesion me njeriun më të dashur është më shumë sesa një sfidë. Ide të ndryshme, ndjesi të ndryshme në përjetimin e rolit, duhet patjetër që ta gjejnë një fill të fortë lidhës në skenë, dhe ky fill lidhës është talenti. Ata e kanë. Kur performojnë ata janë edhe kritikët më të mirë të njëri-tjetrit. Kur  e pyet Adela Muçollarin se çfarë  e shtyn të kërkojë talentet e reja, ajo thotë se i pëlqen që në fushën e baletit dhe koreografisë të përcjellë atë që di.

“Projekti për zbulimin e talenteve synon të përfshijë të gjithë të rinjtë e grupmoshave 15 - 29 vjeç. Talentet shqiptare kanë shkëlqyer dhe na kanë nderuar në skena dhe teatro të mëdha botërore. Shqipëria ka shumë talente, por duhet që dikush t'i zbulojë dhe t’i mbështesë. Ndaj nëse ne zbulojmë përmes këtij projekti talentet shqiptare dhe ata një ditë do të bëhen yje, unë dhe dhe Anxhelo do të jemi të lumtur për këtë.

Unë do të doja të tregoja si shembull eksperiencën time dhe të Anxhelos, si ecëm ne si dy talente të rinj dhe se si mund të bënim diçka më të mirë. Unë mendoj se për të rinjtë do të jetë një eksperiencë e bukur, që të rinjtë të zgjedhin rrugën ku do të ecin në rrugën e artit” .”-thotë Adela.

 Kur i pyet se nëse ata si motër  vëlla e mbartin punën në shtëpi, Adela përgjigjet:

“Edhe ne si të gjithë e mbyllim në një çast punën, por duke qenë të dy të lidhur, ne edhe e mbështesim njëri-tjetrin. Kjo na bën që puna të eci më mirë, dhe mendoj se jam me fat për këtë.”

Anxhelo Muçollari ndoshta nuk do të ishte sot një yll baleti, sikur dikush të mos e zbulonte talentin e tij.

Sa domosdoshmëri ka skena shqiptare që të freskohet me talente të reja?

Adela thotë se: “Unë mendoj se Shqipëria ka një supermundësi për të promovuar talente. Dhe pse mos ta bëjmë ne këtë, që kur ata nesër të bëhen të famshëm, ne do të jemi krenar që i zbuluam.” 

Ata nuk ndihen konkurrentë. Edhe pse Adela shpesh si më e madhja është lidere, Anxhelo thotë se është instiktive që motra më e madhe të jetë pak si shefe, por shton me të qeshur se “kjo është gjë e mirë, sepse ajo merr përgjegjësitë dhe më lehtëson disi, por me rëndësi është bashkëpunimi që ne kemi.” 

Anxhelo që vijoi baletin pas shkëlqimit të së motrës thotë se ka bërë zgjedhjen  duhur.

“Dhe tani jam unë që më pëlqen baleti, por me rëndësi për mua kanë qenë ata që bënë shtytjen e parë. Megjithatë dua të theksoj se sado familja të të shtyj, je ti që do të mendosh vetë për zgjedhjen. Sot mundësitë janë më të mira për të zgjedhur. Duhet të theksoj se në atë kohë mungonin aktivitete të tilla në kërkim të talenteve, ndërsa sot iu jepet mundësia të gjithëve që ta provojnë. Për mua ishte tërheqja drejt artit, emocioni dhe satisfaksioni, që unë hyra në rrugën e artit. ”, -thotë Anxhelo.

“Deri në prill do kemi shumë kohë për të zbuluar talentet. Do të jetë një fazë kërkimore shumë e gjatë. Nuk do përfshihet vetëm baleti apo instrumenti në këtë pjesëmarrje. Do të jetë faza e parë e audicionit, në të cilën do të zbulohen talentet në disa fusha. Të rinjve do t’u japim një eksperiencë ndryshe nga ajo që dinë, derisa të jenë gati të performojnë në një gala në Tiranë.”, -thotë Adela. 

Ndërsa Anxhelo institon t’ju jap më shumë kurajo pjesëmarrësve:

“Artin nuk do ta trajtojmë njësoj sikur të jetë një garë sporti. Ne do t’i mbështesim të gjithë talentet dhe ata që kanë sadopak dëshirë. Do ta mbjellim atë dëshirë që të gjithë pjesëmarrësve t’u hapet një derë dhe madje në do të ndihmojmë që t’u hapen mundësitë në një sërë projektesh. Të kenë mundësi të angazhohen dhe të prekin ëndrrën e tyre.”

Projekti është planifikuar të zhvillohen në tri faza, të cilat përfshijnë: audicionin me të rinjtë, workshopin për të gjithë talentet; një gala përmbyllëse me talentet më të spikatura.

I mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ky projekt do të realizohet në 6 qytete të Shqipërisë: Korçë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Tiranë.

Adela dhe Anxhelo premtojnë se për talentet që do të fitojnë, do të kenë porta të hapura në projekte artistike.

“Kjo është një nismë shumë e madhe. Nën kujdesin tonë dhe të stafit, do të ketë një udhëtim të gjatë për ata artistë dhe do kujdesemi mirë, sepse nxitemi edhe nga eksperienca personale që ne kemi pasur disa mungesa nga fëmijëria jonë. Pra, ne do ndihmojnë të gjitha talentet të rriten të sigurt dhe të kenë mundësinë të shprehin veten.”, -thotë Adela Muçollari. 

1640552790_ANXHELAA.jpg

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion